Dumani: Është kërkuar ekstradimi i Ahmetajt nga Zvicra

min lexim

Në Shqipëri, autoritetet e Drejtësisë kanë kryer procedurat për ekstradimin e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i larguar nga vendi disa orë përpara se Prokuroria e Posaçme të kërkonte një vit më parë autorizimin e parlamentit për arrestimin e tij. Kërkesa për ekstradimin e tij u konfirmua sot nga kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, por pa ofruar detaje.

Zoti Ahmetaj u vu nën hetim për disa vepra penale, që nga “shpërdorimi i detyrës” te “mosdeklarimi i pasurisë”, “korrupsioni” apo dhe “pastrimi i parave”. Ndaj tij janë ngritur dyshime për lidhje me sipërmarrësit e inceneratorëve, përfitime financiare, dhe ndikim për të favorizuar procedurat e koncensioneve.

Prokuroria, në dosjen dorëzuar parlamentit, vinte në dukje transaksione financiare me shitje-blerje pasurish të patundshme, të shtrira ndër vite, pas të cilave qëndronin dy sipërmarrësit e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Ai dyshohet se ka ndërmarrë një mori aktesh, në funksionet e tij si ministër, për t’i mundësuar këtyre sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare për tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Tiranë dhe Fier.

Ndaj tij ka një urdhër arresti ndërkombëtar. Megjithatë ai e ka bërë publik vendqëndrimin e tij, në Lugano të Zvicrës, ndërsa firmosi një kontratë me një firmë lobimi në Shtetet e Bashkuara për të informuar politikbërësit amerikan mbi akuzat, sipas tij “të rreme” të ngritura nga SPAK. Kontrata me një vlerë 150 mijë dollarë, u nënshkrua në fillim të vitit, dhe parashikon të përfundojë në fund të këtij muaji.

Ndërsa ka hedhur poshtë akuzat, zoti Ahmetaj ka pretenduar për një prapavijë politike në hetimet e zhvilluara ndaj tij. Ai ka akuzuar kryeministrin Rama se kishte tentuar ta bënte kokë turku për të fshehur të vërtetat sipas tij “të llahtarshme” që fshihen pas inceneratorit të Tiranës. Zoti Ahmetaj ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend që për momentin të kthehet në Shqipëri, dhe se kjo mund të ndodhte “kur e vërteta të marrë rrugë e dritë”.

Prokuroria ka sekuestruar dy vila që sipas saj, rezultojnë të jenë në pronësi të ish bashkëshortes dhe partneres akuale të tij, si dhe 4 apartamente në pronësi të ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe dy llogari bankare të tij ku ishin depozituar mbi 124 mijë euro./VOA

Story i mëparshëm

Ish-atashehu i FSK-së në Gjermani: Kosova gjendet në kryqëzimin mes Lindjes dhe Perëndimit, andaj ka rëndësi të…

Story i radhës

​Vëllezërit Tate akuzohen për evazion fiskal 21 milionë funte

Të fundit nga