Është vit i sprovave për atletët e atletet, veçmas për sfidat që i presin në garat e Lojërave Mesdhetare, që do të mbahen gjatë verës.
Selektori i Kombëtares së Kosovës në atletikë, Bajram Duja, tha se do të përgatiten në mënyrën më të mirë me atletet e atletët për secilën garë, që të korrin rezultate sa më të mira.
Gjatë këtij viti morën pjesë në disa gara të forta, në Stamboll dhe në Beograd. Madje dy herë morën pjesë në Beograd në Kampionatin Ballkanik U-19 dhe në Kampionatin Botëror.
“Edicioni i ri ka filluar me garat në sallë, ku atletët e kombëtares kanë marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik, të mbajtur në Stamboll dhe në Kampionatin Botëror në Beograd.
Gara tjetër është mbajtur në Portugali, konkretisht Kupa europiane e hedhjeve.
Sfidat kryesore janë arritja e normave për gara ndërkombëtare dhe përmirësimi i rekordeve kombëtare.
Me përmirësimin e rezultateve, synojmë edhe plasmane sa më të larta në gara ndërkombëtare.
Presim rezultate të mira në shtytjen e gjyles dhe në gatat e shtigjeve të mesme”, thotë Duja.
Selektori beson e shpreson se do të përmirësohet edhe infrastruktura si parakusht për përmirësimin e rezultateve:
“Presim që edhe baza materiale dhe infrastruktura të përmirësohet si parakusht për përmirësimin e rezultateve dhe arritjen e plasmaneve sa më të mira në garat ndërkombëtare.
Garat e rrjedhës janë Lojërat Mediterane të cilat mbahen në Oran të Algjerisë. Në këtë garë Kosovën do ta përfaqësojnë 3 atlet dhe një atlete”.