Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka zbuluar se motra e tij, Katerina, është diagnostikuar me kancer në gji.
Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë në shtetit fqinj tregoi se e motra e ka filluar kimioterapinë dhe e ka zbuluar sëmundjen në fazat e saj të para.
Mitsotakis u bëri thirrje të gjitha grave të moshës 50 deri në 69 vjeç që të përfitojnë nga mamografia falas.
“Sot ndaj me ju një problem timin familjar. Fatkeqësisht, para disa ditësh motra ime Katerina u diagnostikua me kancer në gji. Megjithatë, për fat të mirë, tumori u zbulua herët.
Tani fillon një aventurë e madhe. Katerina bëri kimioterapinë e parë pardje. Lajmin e pakëndshëm e ka përballuar me qetësinë dhe optimizmin e saj karakteristik.
Dhe ajo ka të gjitha arsyet për të qenë optimiste sepse e zbuloi sëmundjen malinje në një fazë të hershme. Shkenca ka bërë përparime të mëdha në trajtimin e kancerit të gjirit dhe në vendin tonë ofrohet kujdes i shkëlqyer ndaj kancerit. Veç kësaj, është vërtetuar nga dhjetëra mijëra gra greke që dolën fitimtare nga kjo betejë.
E di që çdo kontroll shëndetësor na shkakton frikë ose hezitim. Por ai është i nevojshëm. Në fakt, për të gjitha femrat nga 50 deri në 69 vjeç, shteti ofron mamografi falas, përmes programit “Fofi Gennimata”. Përfitoni prej tij!
Në muajt e fundit ne kemi zbuluar tashmë më shumë se 3000 raste të kancerit të gjirit në një fazë të hershme, me një prognozë shumë të mirë trajtimi. Njëra prej tyre është Katerina…”, shkroi ai.