Drejtoresha e “Kozles” hedh poshtë akuzat ndaj saj: Katër doktorët u larguan me vetëdëshirë, kërkuan mjete shtesë

October 5, 2024
min lexim

Shkup, 5 tetor – Drejtoresha e “Kozles”, Karolina Simonovska ka reaguar pasi dje u publikuan akuza ndaj saj, nga një pjesë e të punësuarve në këtë Klinikë, për keqmenaxhim dhe keqpërdorim.

Drejtoresha përmend katër doktorë, që sipas saj akuzat drejt saj i bëjnë për qëllime personale. Sipas saj, po të njëjtit doktorë me vetëdëshirë kanë dhënë nënshkrim që ta lëshojnë Bronkoskopinë, pasi sipas saj, i kërkuan mjete shtesë financiare dhe ajo nuk ua aprovoi.

“Sa i përket publikimeve në publik, të njëjtat i konsideroj si tendencioze, dashakeqëse dhe bazohen në interesa personale të vetëm katër doktorëve në Klinikë. Me përgjegjësi informoj se Klinika ka ekip kompetent për realizimin e bronkoskopisë me përgatitje adekuate të nivelit më të lartë të problematikës me të cilën punon. Në ekip është specialisti bronkoskopist – orl i cili është dëshmuar me suksese me dekada më parë. Dy doktorët të cilët akuzojnë se nuk punojnë në kabinetin bronkoskopisë, me vetëdëshirë kanë dalë me nënshkrim sepse kanë kërkuar nga unë si drejtor mjete shtesë financiare ose do ta lëshojnë ekipin e bronkoskopisë. Tani prezantohen në publik se janë të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve, por nëse do të ishin me të vërtetë të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve, nuk do të largoheshin me vetëdëshirë, por do të qëndronin dhe të kujdeseshin për fëmijët pa kushtëzime. I lus mediat të mos bien pre e këtyre shpifjeve dhe edhe një herë ju siguroj, se ata mjek me çdo kusht duan që t’i përmbushin interesat personale, kurse vetëm e gënjejnë publikun se interesi i tyre është shëndeti i fëmijëve”, tha mes tjerash Simonovska në reagim.

Ankesa për drejtoreshën e re të Klinikës “Kozle” Karolina Simonovska. TV21 mëson se të punësuarit po ankohen për shumë çështje si shkarkimi i ekspertëve duke lënë ekipin me mjekë të rinj pa përvojë, menaxhim i papërshtatshëm, shkelje të procedurave, keqpërdorimi i resurseve, sjellje papranueshme, ngacmim psikologjik dhe shpifje.

Për shembull, mes problemeve të identifikuara, nga ato që mësoi TV21, është se dy nga anëtarët më të përvojë të ekipit të bronkoskopisë kanë dhënë dorëheqje për shkak të pamundësisë për të bashkëpunuar me drejtoreshën, e cila i ka pranuar dorëheqjet pa diskutim, duke lënë ekipin me mjekë të rinj pa përvojë, gjë që rrezikon shëndetin e fëmijëve.

Nga ana tjetër, mjekët po ashtu ankohen se drejtoresha krijon ekipe të reja për alergologji dhe spirometri, duke injoruar ekspertët me përvojë si dhe vendimmarrje pa konsultim, duke shkelur statutet ekzistuese dhe emëruar mjekë me pak përvojë në pozita drejtuese, ndërsa kërkesat e stafit nuk përfshihen në rendin e ditës të mbledhjeve të bordit drejtues. Mjekët po ashtu ankohen se i vetmi ekspert për tuberkuloz të fëmijëve është degraduar dhe drejtuesve të departamenteve përkatëse u janë hequr kompetencat.

Përveç këtyre shqetësimeve të të punësuarve për aspektin menaxherial, ankesa kanë edhe për sjellje të drejtoreshës, duke krijuar atmosferë frike e tensioni si dhe duke praktikuar edhe ngacmim psikologjik ndaj stafit të mesëm, veçanërisht ndaj laboratorëve.

TV21 u përpoq që këto shqetësime mjekët t’i paraqesin edhe para kamerës, por me sa kuptuam, tani për tani, nga frika e pasojave, nuk ishin të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë. Për këtë arsye me pyetje iu drejtuam Ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili ishte i njoftuar me rastin.

Nëse Taravari do të ndërmarrë ndonjë gjë, mbetet të shihet ditëve në vijim, por ndër shqetësimet e të punësuarve tek të cilat arriti TV21, mes tjerash thuhet edhe se situata kërkon ndërhyrje urgjente për të garantuar menaxhim të duhur dhe për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e pacientëve.

BURIMI: zhurnal.mk

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Shtyhet rikthimi i kapitenit të Tiranës

Story i radhës

Princ Leka sërish baba?

Të fundit nga

ShkoLartë