Dragusha thotë se për mbajtjen e mësimit tërëditor siguria duhet të jetë në nivel

min lexim

Kryetari i Këshillit të prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha ka thënë se blerja e teksteve shkollore përmes subvencionimit të tyre ka qenë një metodologji e re.

Dragusha thotë se vitin e kaluar si këshill i prindërve dhe si prind e ka kundërshtuar në ministri këtë metodologji, për arsye se kishte të panjohura.

“Blerja e teksteve shkollore përmes subvencionimit të tyre ka qenë një metodologji e re për vitin e kaluar ne si këshill i prindërve dhe si prind në tërësi e kemi kundërshtuar në ministri këtë metodologji, për arsye se kishte shumë të panjohura dhe është e vërtetë që vitin e kaluar ka pasur shumë mangësi në procese, këtë vit ne vazhdojmë t`a kemi ende mendimin si këshill i prindërve se sigurimi i teksteve shkollore nga Ministria përmes blerjes së tyre dhe shpërndarja në shkolla do të ishte shumë e leverdishme për prind për arsye se prind nuk kanë nevojë të kërkojnë në librari të ndryshme për t`i siguruar tekstet shkollore, mirëpo si proces këtë vit ka qenë shumë mirë se sa në të kaluarën”, ka deklaruar Dragusha.

Sipas informacioneve të kryetarit, ka pasur mungesë në disa tekste shkollore, si dhe në disa libra u është munguar çmimi i tyre.

Tutje, ai bëri të ditur se në disa komuna kanë mungesë të librave.

“Informatat që ne i kemi si këshill në nivelin nacional deri më tani më tepër ka të bëjë me mungesën e disa teksteve shkollore, ka pasur mungesë nuk kanë qenë të mjaftueshme, pastaj kemi informacione nga prindërit që në disa libra ka munguar çmimi i librit dhe është obligative që çmimi i librit të shtypet prapa në secilin tekst që të dihet, si pasojë e kësaj ka zona të thella të komunave të vogla të cilat e kanë me çmime jo të larta se sa është çmimi real i librit, pastaj disa komuna kanë mungesë të librarive dhe fshatrat e tyre është dashur që të bëjnë kilometra rrugë për të bërë blerjen e teksteve shkollore, këto kanë qenë disa nga sfidat që kanë qenë lidhur me tekstet shkollore”, thotë kryetari.

Ndryshe, kryetari tha se në zonën e Kaçanikut, janë disa fëmijë në shkolla të cilët kanë lindur në Maqedoninë e Veriut dhe nuk posedojnë numra personal dhe për këtë arsye prindërit nuk mund të aplikojnë për blerjen e teksteve shkollore.

“Një informacion që e kemi së fundi është për banorët e zonës së Kaçanikut, sipas Këshillit të Prindërve të asaj pjese disa fëmijë janë në shkolla për të cilët kanë lindur në Maqedoninë e Veriut, vendlindjen e kanë në Shkup nuk posedojnë numra personal dhe për ata prindërit nuk munden të aplikojnë për blerjen e teksteve shkollore gjegjësisht për subvencionimin e tyre. Dje jemi takuar me ministren dhe ia kemi adresuar këtë çështje, ministrja kërkoi që të mblidhen informacionet se cilët janë ata fëmijë dhe t`u dërgohet lista e tyre në mënyrë që t`iu bohet zgjidhja për t`u subvencionuar me tekste, ajo premtoi që personalisht do të merret me këtë çështje për të zgjidhur këtë veprim”, tha ai.

Në fund, duke folur për realizimin tërë ditor, ai tha se për t`u realizuar duhet infrastrukturë e shkollave, që të ketë hapësira dhe të bëhen kuzhinat ku të ketë ushqim për fëmijë, dhe siguria të jetë në nivel.

“Ne kemi kërkuar vitin e kaluar dhe këtë vit që të kthehet forma e vjetër nxënësit t`i presin mësuesit me libra në shkollë.Që të realizohet mësimi tërë ditor dihet që fillimisht të realizohet infrastruktura e shkollave, që të ketë hapësira, të bëhen kuzhinat ku të ketë ushqim për fëmijë, të jetë siguria në nivel. Komuna e Prishtinës ka filluar në dy shkolla mësimin tërë ditor aktualisht dhe së shpejti do të fillojë edhe në tri të tjera ose në fund të këtij muaji”, deklaroi Dragusha.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

SHBA, fushata për Shtëpinë e Bardhë

Story i radhës

Volkswagen mund të mbyllë fabrikat në Gjermani për herë të parë në histori

Të fundit nga