Dosja ndaj të akuzuarve që e blenin drogën në Shqipëri dhe nga Kosova e transportonin për në Serbi

min lexim

Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj Astrit Goqit, Agron Krasniqit, Luan Krasniqit, Halil Jonuzit dhe Srgjan Llomigora, të cilët po akuzohen nga prokuroria për krim të organizuar.

Arsyeja pse kjo seancë ka dështuar të mbahet është për shkak se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtën e saj, pasi mungoi i akuzuari Luan Krasniqi dhe i akuzuari Halil Jonuzi.

Kryetari  i trupit gjykues Kushtrim Shyti i njoftoi avokatët e të akuzuarve Luan Krasniqi dhe Halil Jonuzi, se në rast se nuk e arsyetojnë mungesën e tyre trupi gjykues do të vlerësojë që ndaj tyre të shqiptojë masën e paraburgimit.

Gjatë kësaj seance nga kryetari i trupit gjykues Shyti u bë e ditur se pas kërkesës së tyre lidhur me statusin jetësor të akuzuarit Agron Krasniqi, gjykata është njoftuar se i pandehuri Agron Krasniqi ka vdekur dhe e kanë bashkangjitur si provë certifikatën e vdekjes.

Ndërsa sa i përket të pandehurit Srgjan Llomigora, i njëjti nuk gjendet në Kosovë dhe sipas familjarëve të tij ai është në vuajtje të dënimit në Serbi për një vepër tjetër penale.

Ky rast po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës në Departamenti Special në përbërje të trupit gjykues Kushtrim Shyti kryetar dhe dy anëtarët Rrahman Beqiri dhe Lutfi Shala.

Prokurore e kësaj çështje është Merita Bina- Rugova.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur më këtë çështje pritet të mbahet gjatë muajit tetor.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Sipas dosjes së prokurorisë të pandehurit, duke vepruar në bashkëpunim si një grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar i shtrirë në territorin e tri shteteve – Kosovë, Shqipëri dhe Serbi, i përbërë prej shumë anëtarëve, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare pa autorizim kanë blerë, kanë poseduar, shitur dhe transportuar substanca të cilat janë shpallur të rrezikshme, të llojit marihuanë, në atë mënyrë që gjatë periudhës së gjatë kohore, së paku gjatë tërë vitit 2013, kanë blerë marihuanë nga Shqipëria.

Sipas aktakuzës i pandehuri Astrit Goqi e kishte transportuar deri në Kosovë, në fshatin Xërxë (Rahovec), dhe të pandehurit Agron Krasniqi dhe Luan Krasniqi kishin mbajtur deri sa e kishin organizuar transportin e së njëjtës deri në Serbi, tek i dyshuari i quajtur Sasha nga Beogradi, i cili kishte qëndruar në krye të këtij grupi të organizuar kriminal dhe i kishte mbikëqyrur veprimet e këtij grupi.

Në aktakuzë thuhet se Sasha dërgesat e drogës zakonisht i kishte paguar me automjete të ndryshme si mjet pagese, kurse ndërmjetësimin mes anëtarëve të grupit nga Kosova dhe Serbia nga mesi i vitit 2013 e kishte kryer i pandehuri Srgjan Llomigora.

Me këtë të pandehurit Astrit Goqi, Agron Krasniqi, Luan Krasniqi, Srgjan Llomigora dhe Halil Jonuzi akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge”.

Story i mëparshëm

Festa e 8 Shtatorit, në Mavorovë do të mbyllet një rrugë

Story i radhës

Për zjarrin në “Rasadnik” / Kallëzim penal për 14 vjeçarin

Të fundit nga