Dëshmia më e freskët e “marrëdhënieve ndoshta më të mira ndonjëherë” u shfaq më e gjallë se kurrë në vizitën e fundit në Tiranë së presidentit turk, Recep Tayip Erdogan. “Bekimi” hapi dyert e Xhamisë së Namazgjasë gati një dekadë pas hedhjes së themeleve ishte vetëm maja e ajsbergut të vëllazërisë shqiptaro-turke. “Dhuratat” e tjera që Erdogan kishte sjellë me vetë bashkë me marrëveshjet e firmosura në Tiranë, bënë që me plotë gojën kryeministri Rama të nxirrte nga goja se… “Shqipëria është e pa-goditshme”.
Politikisht, Shqipëria dhe Turqia e kanë shpallur njëra-tjetrën si aleate dhe partnere të rëndësishme, një sinjal ky për tregjet dhe investitorët e të dyja vendeve për të rritur bashkëpunimit dhe nxitur shkëmbimet mes tyre edhe në vijim.
Marrëdhëniet e mira politike mes dy vendeve po reflektohen me ritme të shpejta edhe në rrafshin ekonomik. Në fluksin e investimeve të huaja në Shqipëri, shpenzimet e sipërmarrjeve turke zënë një peshë kryesore. Në top 5 shtetet më të rëndësishme për vendin tonë renditet Turqia sa i përket investimeve, pas Holandës, Zvicrës, Kanadasë dhe Italisë, shkruan A2 CNN.
“Zonën e Ballkanit, por edhe Shqipërinë e shikojmë si një vend potencial për rritjen e bashkëpunimit midis Turqisë dhe shpresojmë në një rritje të volumit tregtar pas këtij aktivitetit. Qëllimi ynë është rritja e bashkëpunimit dhe vëllimit tregtar midis dy vendeve tona dhe mendoj që me anë të aktiviteteve të këtij lloji shpresojmë t’ia arrijmë”, tha për A2 CNN, Samet Damar nga Shoqata Turke e Eksportuesve të Çelikut.
Rritja e bashkëpunimit ekonomik ka bërë që vlera tyre të ndjek një trend rritës duke arritur në 1.1 miliardë euro në gjysmën e parë të vitit. Investimet turke shtrihen në një sërë sektorësh si pasuritë e patundshme, pasuar nga investimet në sektorin bankar dhe atë financiar, hidrokarburet, energjia dhe tregtia, shëndetësia, arsimi, përcjell A2 CNN. Por vëmendjen e bizneseve turke këtë vit po e tërheq dhe sektori i turizmit, të cilin e shohin si një potencial për ta zhvilluar më tej duke sjellë eksperiencën ndërkombëtare.
“Shqipërinë e shohim si një vend potencial për të investuar. Është një vend i vogël, por duke u zhvilluar. Shpresojmë shumë që dhe kompanitë shqiptare të vijnë në Turqi dhe të fillojë lëvizja e tregut. Çeliku turk eksportohet në shumë vende të botës, kështu që ne duam edhe me rritjen e sektorit të ndërtimit në Shqipëri, çeliku turk të jetë i pranishëm në tregun shqiptar”, tha Ipek Yuksel, sipërmarrëse turke në Shqipëri.
Shqipëria dhe Turqia rikonfirmuan së fundmi partneritetin e tyre strategjik, në një konferencë të përbashkët mes Presidentit turk Recep Taip Erdogan dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama. Në listën e projekteve të reja të përbashkëta u shpalos edhe një plani i ri, ai i dyfishimit të nivelit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
Sa i përket marrëdhënieve tregtare, Turqia është një ndër shtet që Shqipëria ka eksportuar por dhe importuar më shumë mallra këtë vit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se vlera e mallrave shqiptare të shitura në Turqi në 6 muajt e parë të vitit arriti në 2.7 miliardë lekë. Ndërsa blemë rreth 66.2 miliardë lekë produkte turke duke bërë që më e fituara në shkëmbimet tregtare të jetë Turqia teksa deficiti tregtar arriti në 63.5 miliardë lekë deri në qershor.
Si synim Turqia ka arritjen e vëllimeve tregtare në vlerën 2 miliardë dollarëve. Investimet turke në Shqipëri morën një hov edhe pas turit ndërkombëtar të takimeve të kryeministrit Rama.
BURIMI: Bota Sot