Portieri i Paris SG-së, Gianluigi Donnarumma, është kthyer të flasë për episodin e shumëpërfolur në Madrid, që do t’u kushtonte më pas eliminimin francezëve nga Liga e Kampioneve.
Kampioni i Europës me Italinë ka dhënë një intervistë për agjencinë e lajmeve franceze “AFP”, duke mos pranuar përgjegjësinë për eliminimin e PSG-së.
Donaruma gaboi në rastin e golit të Benzemasë, por ai nuk e ndien veten aspak fajtor. Jo vetëm kaq, por Donaruma i ka bërë një apel të qartë klubit francez që të zgjidhë sa më parë çështjen e portës dhe rivalitetin mes tij dhe Kejlor Navasit.
“Goli i Benzemasë nuk ishte i rregullt, duhej anuluar për faull ndaj meje, por natyrisht që mund ta kishim administruar më mirë takimin. Tani duhet të mendojmë për të ardhmen, ta lëmë të kaluarën pas, sepse nuk mund të ndryshojmë asgjë”, ka thënë Donnarumma.
Në lidhje me konkurrencën me Navas ai ka shtuar: “Të presim të shohim se çfarë do të ndodhë, por mendoj se klubi do të marrë një vendim përfundimtar, nuk mund të vazhdojë kështu”.