Dollari u forcua me 0.4 për qind, euro ra me gjysmë për qind

min lexim

Dollari vazhdoi të rritet kundrejt një shporte valutash në tregtinë amerikane sot, ndërsa investitorët presin fjalimin e kryetarit të Rezervës Federale (FED) Jerome Powell të premten për të vlerësuar se sa agresive do të jetë banka qendrore në luftën kundër inflacionit.

Indeksi i dollarit, i cili gjurmon vlerën e monedhës amerikane kundrejt një shporte prej gjashtë rivalësh, u rrit 0.42 për qind në 108.99 pikë në të dhënat më të fundit të tregut, që është afër nivelit më të lartë 20-vjeçar prej 109.29 pikësh të regjistruar më 14 korrik.

Dollari u ul të martën pasi u raportua se aktiviteti në sektorin privat amerikan ishte më i dobët se sa pritej në gusht dhe se shitjet e shtëpive të reja për një familje në SHBA ranë në nivelin më të ulët prej gjashtë vitesh e gjysmë në korrik.

Euro, pas një rikuperimi afatshkurtër gjatë tregtimit të natës, ra sërish sot me 0.49 për qind në 0.9919 dollarë. Monedha e vetme e eurozonës arriti të martën në nivelin më të ulët të 20 vjetësh prej 0,99005 kundrejt dollarit.

Monedha e bllokut monetar 19-anëtarësh është nën presion për shkak të shqetësimeve për rritjen ekonomike të rajonit që po lufton me krizën energjetike.

Çmimet e gazit në bursën referente holandeze u rritën në tregjet për një muaj përpara për shkak të pezullimit të paralajmëruar tre-ditor të furnizimeve të gazit rus përmes tubacionit kryesor të gazit North Stream 1.

Për sa i përket politikës monetare të SHBA-së, investitorët e Wall Street-it ulën vlerësimet e mëparshme se Fed mund të ngadalësojë ritmin e rritjes së normës pasi inflacioni mbetet në një nivel të lartë prej 8.5 për qind në vit, shumë mbi normën e synuar të bankës qendrore prej 2.0 për qind.

Fjalimi i Powell të premten do të fokusohet në masën në të cilën ngadalësimi ekonomik mund të ndryshojë ritmin e shtrëngimit të politikës monetare, ose nëse nevoja për të zbutur presionet e inflacionit do t’i tejkalojë faktorët e tjerë nga të cilët FED udhëhiqet kur merr vendimin për rritjen e normës së interesit.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ndërron jetë nga Covid një 86-vjeçar nga Durrësi/ 445 qytetarë të infektuar gjatë 24 orëve

Story i radhës

​Daja: Edhe nesër do të derdhim djersë për ta arritur objektivin

Të fundit nga