Dogana e Kosovës ka njoftuar për kontrollet e përditshme doganore që kryhen në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me qëllim parandalimin e shkeljeve dhe mbrojtjen e interesave ekonomike të vendit.
Sipas Doganës, udhëtarët që kalojnë përmes kanalit të gjelbër, duke deklaruar se nuk kanë mallra për të deklaruar, mund t’i nënshtrohen kontrolleve nga zyrtarët doganorë. Në këto kontrolle përdoret edhe skaneri për identifikimin e mallrave që mund të jenë objekt deklarimi.
“Dogana e Kosovës rikujton se për udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës përmes trafikut ajror, kufiri i patatueshëm për mallrat e destinuara për nevoja personale është 430 euro për udhëtar.Në rastet kur vlera e mallrave për nevoja personale tejkalon këtë kufi, mallrat duhet të deklarohen në kanalin e kuq, ku zyrtari doganor do ta informojë udhëtarin për procedurat e mëtejshme doganore”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesave të qytetarëve, ruajtjen e ekonomisë dhe luftimin e kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme.
Ndërkaq, nga Dogana është bërë thirrje që udhëtarët të informohen dhe të deklarojnë saktë mallrat, në mënyrë që udhëtimi të jetë në përputhje me legjislacionin doganor.
Burimi: botasot.info


