‘Do të të vras’: Sulmi ndaj një mjeku pro vaksinimit në Bullgari

January 22, 2022
min lexim

Ivaylo Ivanov ka qenë duke kërkuar nëpër disa dollapë me dokumente në zyrën e mjekut në Novo Selo, një fshat i qetë në veriperëndim të Bullgarisë, kur është përballur me vizitë të papritur më 17 janar.

Me kamerë në duar, Ventsislav Angelov, një nga kundërshtarët më të mëdhenj të vaksinimit në Bullgari, ka hyrë në zyrë, i përcjellë nga një grua, burri i së cilës – me histori të problemeve me zemër – ka vdekur pasi është vaksinuar kundër koronavirusit nga Ivanov.

“Do të të vras, po të tregoj more bastard”, dëgjohet duke bërtitur Angelov në videon e publikuar në llogarinë e tij në Facebook.

Ai njihet ndryshe edhe me nofkë “Çikago”.

Angelov, i cili është përfshirë në politika të krahut të djathtë dhe është kundërshtar i ashpër i masave për luftim të pandemisë, përfshirë vaksinimin, është arrestuar më vonë, teksa është rritur përkrahja për Ivanovin, i cili është përgjakur në sulm, ashtu sikurse Angelov.

Kryetarja e Novo Selos, Mareila Yordanova, ka thënë për Shërbimin Bullgar të Radios Evropa e Lirë se Ivanov është shokuar nga incidenti dhe ka dhënë dëshmi para policisë.

“Tani për tani, shumë fshatra nuk kanë mjekë për shkak të këtij rasti”, ka thënë Yordanova më 18 janar.

Incidenti ka kthyer sërish vëmendjen te Bullgaria, një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, me 7 milionë banorë.

Në të është vaksinuar më pak se 30 për qind e popullsisë dhe aktualisht është duke luftuar me valën e pestë të pandemisë.

Bullgaria ka raportuar një rekord prej 11,181 rastesh të reja me koronavirus më 18 janar, kryesisht me variantin Omicron të koronavirusit.

Prej shpërthimit të pandemisë, ky shtet ka regjistruar mbi 840,000 raste me koronavirus.

Prej tyre, 32,332 pacientë kanë vdekur.

Është e paqartë se me çfarë akuzash do të mund të përballet Angelov, mirëpo Sindikata e Mjekëve në Bullgari, i ka bërë thirrje policisë që të ndjekë këtë rast plotësisht.

“Sindikata nuk do të tolerojë që mjekët të ngacmohen, të poshtërohen, dhe të sulmohen teksa bëjnë punën e tyre”, është thënë në njoftim.

Ky është një prej dy sulmeve që janë raportuar ndaj stafit shëndetësor në Bullgari në ditët e fundit.

Familjarët e një pacienti në një dhomë për përkujdesje të pacientëve për koronavirus në Ruse, qytet në verilindje të Bullgarisë, kanë pretenduar se familjari i tyre nuk është i infektuar dhe se duhet të largohet nga aty, ka raportuar Televizioni Kombëtar i Bullgarisë më 18 janar.

Në kohën e këtyre dy incidenteve, ministrja e Shëndetësisë në Bullgari, Asena Serbezova, ka mbrojtur punëtorët shëndetësorë të Bullgarisë, duke thënë se ata meritojnë respekt dhe jo dhunë.

Qeveria e re e qendrës, e udhëhequr nga kryeministri Kiril Petkov, e ka përsëritur disa herë thirrjen që bullgarët të imunizohen, pasi në këtë mënyrë mund të shmanget presioni nëpër spitale.

Një nga shkaqet e rritjes së skepticizmit për vaksinim në Bullgari lidhet me dezinformatat e përhapura nëpër platformat e rrjeteve sociale, të cilat përkrahen nga Angelov dhe individë e politikanë tjerë të mirënjohur, kryesisht të tillë që i takojnë partisë, Ringjallja, apo që besojnë në qasje kundër NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Anëtarët e partisë Ringjallja, të udhëhequr nga Kostadin Kostadinov, i cili i ka përshkruar vaksinat kundër koronavirusit si “eksperiment”, kanë qenë pjesë e një tubimi të madh jashtë Parlamentit në Sofje më 12 janar.

Ata kanë protestuar kundër vaksinave dhe masave tjera për luftim të pandemisë, duke përfshirë edhe imunizimin e detyrueshëm dhe të ashtuquajturat pasaporta të vaksinave.

Megjithatë, partia është turpëruar së fundi, pasi televizioni privat bullgar, bTV ka raportuar se katër prej 13 ligjvënësve të partisë Ringjallja në Parlament – Nikolay Drenchev, Ivo Ruschev, Stoyan Taslakov, dhe Daniel Petrov – kanë injoruar qëndrimet e partisë dhe janë vaksinuar.

Sikur edhe përgjigjet e të intervistuarve tjerë, Ruschev e ka mohuar se është kundër vaksinimit ndaj koronavirusit, duke e hedhur atë në rrafshin e zgjedhjes personale.

“Lufta tani nuk ka të bëjë për personat e vaksinuar apo të pavaksinuar. Ne jemi duke luftuar për të drejtat e njerëzve. Unë e kam bërë zgjidhjen time dhe jam vaksinuar”, ka thënë Ruschev.

Për të mbështetur këto pretendime, Drenchev dhe zyrtarë tjerë kundër vaksinimit në Bullgari shpesh citojnë Atanas Mangarov, pediatër me bazë në Sofje dhe specialist i sëmundjeve infektuese.

Mangarov është cituar gjithandej nëpër mediat bullgare dhe ka miliona mbështetës në TikTok, Instagram dhe YouTube, kur e përmend refuzimin e tij për t’u vaksinuar.

Ai hedh poshtë imunitetin që krijohet nga vaksinimi dhe preferon imunitetin e fituar përmes infektimit, i cili, sipas tij, mbron njerëzit nga variantet tjera të koronavirusit.

Në mesin e dezinformatave të përhapura nga Mangarov dhe të tjerë sikurse Angelov, Ministria e Shëndetësisë në Bullgari, ka lëshuar një deklaratë më 18 janar, duke theksuar se nuk ka pasur lidhje shkencore në mes të vaksinimeve për koronavirus dhe vdekjeve.

“Në Bullgari nuk ka raste të lidhura mes vaksinimit dhe vdekjes”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në një deklaratë të cituar nga Shërbimi Bullgar i Radios Evropa e Lirë.

Pas përleshjeve në Novo Selo, Radio Evropa e Lirë ka tentuar, por nuk ka arritur të bisedojë me Angelovin dhe Ivanovin.

Sindikata e Mjekëve të Bullgarisë ka thënë se do të mbrojë Ivanovin, duke ofruar ndihmë ligjore për të si dhe secilin mjek “që ka qenë subjekt i dhunës”.

Ende nuk është bërë e qartë se më çfarë akuzash mund të përballet Angelov, i cili edhe në të kaluarën ka pasur probleme me ligjin.

Në muajin shtator, një grup i personave kundër vaksinimit është përballur me një ekip mjekësor në një qendër vaksinimi në portin e qytetit Varna, duke abuzuar verbalisht mjekët me kërkesën që të ndalin procesin e vaksinimit.

Yordanova, kryetare në Novo Selo, ka thënë se Ivanov është tronditur nga incidenti mirëpo është mirë “aq sa është e mundshme në situatë të tillë”.

Ajo po ashtu ka dhënë hollësi për një burrë që ka vdekur disa ditë pasi është vaksinuar.

Sipas Yordanovas, familja e burrit të vdekur ka jetuar në Gjermani për të paktën 10 vjet dhe burri ka kryer një mori operimesh jashtë shtetit.

“Ai ka pasur probleme me zemër. Ata nuk i kanë treguar mjekut këtë gjë”, ka thënë kryetarja, e cila ka theksuar se mjeku Ivanov është i vlerësuar në fshat dhe nga të tjerët në rrethinë.

“Ky mjek ka shërbyer për disa vjet dhe nuk e meriton këtë lloj trajtimi”./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ibrahim Rugova, midis realitetit dhe ikonës

Story i radhës

Këshilla kundër dhjamit në bark

Të fundit nga

Pesë pyetje për 2025-ën

Ndërrimi i administratës në Shtetet e Bashkuara, me Donald Trump që merr përsëri drejtimin pas Joe Biden më 20 janar 2025, do të sjellë ndikime të rëndësishme në politikën amerikane dhe globale.

Alexander Isak, objektiv i PSG-së

Paris Saint-Germain vazhdon planifikimin e skuadrës me synim sezonin e ardhshëm, dhe fokusi kryesor është përforcimi i sulmit. Sipas thashethemeve të fundit, klubi parisien ka një objektiv të qartë: Alexander Isak, sulmuesi
ShkoLartë