Entoni Rydiger do të largohet nga Chelsea në fund të këtij sezoni dhe pasi Bajerni i Mynihut dhe Barcelona kanë hequr dorë prej tij, në garë kanë mbetur vetëm Juventusi dhe Reali i Madridit.
Qendërmbrojtësi duket i fiksuar nga ideja për t’u kthyer në Serinë A pas aventurës me Romën, por pa dyshim që kur të vjen një ofertë nga “Galaktikët”, është e sigurt se joshja është në nivelet maksimale.
Gjithsesi, problemi kryesor për gjermanin lidhet me kërkesën ekonomike, të paktën 8 milionë euro neto në sezon, minimalisht për tri vite dhe nga Torinoja këtë gjë kanë mbi më shumë se një muaj që ia kanë garantuar.
I vetmi ngërç është komisioni prej 10 milionë eurosh që kërkon Sahër Senezi, menaxheri i Entoni Rydigerit për të hedhur firmat sa më shpejt madje në kontratën e re.
Por përveç milionave, për 29-vjeçarin ka nisur edhe një garë mes Masimiliano Alegrit dhe “Karleto” Ançelotit.
Trajneri i Juventusit ka nisur kontaktet e para me Rydigerin duke i garantuar këtij të fundit vendin e titullarit, duke parë se Xhorxho Kielini pritet të japë lamtumirën në fund të këtij sezoni, ndërsa De Ligt dhe Bonuçi do të kenë një stafetë mes tyre. Në të njëjtën kohë, dje media spanjolle konfirmon se edhe Ançeloti ka telefonuar Rydigerin, duke i garantuar të njëjtat kushte, pasi trajneri i Realit ka marrë garancinë se do të jetë në Madrid edhe sezonin e ardhshëm.