Buzëkuqi është produkti kozmetik më i shituri i të gjithave kohërave. Me një traditë të lashtë që daton 5000 vjet më parë, që nga koha e qytetërimit babilonas ai është shndërruar në armën sekrete të të gjitha femrave. Pavarësisht gjendjes shpirtërore dhe asaj fizike, një e kaluar me buzëkuq buzëve duket sikur ju përmirëson ditën dhe u shton dozën ”e munguar” të feminilitetit.
Nëse jeni në mëdyshje se ç’buzëkuq të përdorni gjatë mbrëmjeve të ftohta të vjeshtës, mjafton të shihni fotot e fundit të Irina Shayk apo Katie Holmes.
Të frymëzuara nga sharmi i viteve ’20 vajzat e njohura të showbizz-it propozojnë buzëkuqin e errët këtë sezon, nuancat e të cilit variojnë nga ngjyra bordeaux tek e zeza gotike. Buzëkuqët e errët janë tejet të guximshëm dhe i japin një pamje ekstravagante pamjes suaj. Duket sikur kërkoni të rebeloheni dhe të dilni nga zona juaj e rehatisë.
Para se t’i përdoni duhet të hidratoni buzët. Fillimisht bëni një scrub dhe fërkojini për disa minuta me furçë dhëmbësh derisa të eliminoni lëkurën e vdekur. Më pas aplikoni hidratuesin e buzëve për t’i zbutur dhe vijoni me konturimin e tyre. Pasi të keni përfunduar konturimin e buzëve, mbushini me buzëkuqin që dëshironi.