Djathtistët në Francë festojnë fitoren: Sytë në rundin e dytë

July 1, 2024
min lexim

Rundi i parë i zgjedhjeve parlamentare në Francë, i cili u zhvillua të dielën, konfirmoi dominimin e së djathtës ekstreme në politikën franceze dhe i hapi asaj portat e pushtetit.

Mbështetësit e Tubimit Kombëtar të Marine Le Penit festuan gjatë natës, ndërsa ajo u tha atyre se “blloku makronist i presidentit u zhduk plotësisht”.

Sipas rezultateve paraprake, Tubimi Kombëtar ka rreth 33.2 për qind të votave, aleanca e krahut të majtë 28.1% dhe aleanca e qendrës e presidentit Emmnauel Macron 21%.

“Unë synoj të jem kryeministër i të gjithë francezëve, nëse francezët na i japin votat e tyre”, tha udhëheqësi 28-vjeçar i Tubimit Kombëtar, Jordan Bardella.

Kjo është hera e parë që e djathta ekstreme fiton në rundin e parë të zgjedhjeve parlamentare në Francë.

Si zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Francë?

Zgjedhjet për 577 vendet në Asamblenë Kombëtare të Francës janë një proces me dy runde.

I dyti këtë herë do të mbahet më 7 korrik.

Në zonat ku asnjë kandidat nuk fitoi plotësisht në rundin e parë, dy kandidatët kryesorë, si dhe çdo kandidat me më shumë se 12.5% të numrit të përgjithshëm të zgjedhësve të regjistruar në atë zonë zgjedhore, kalojnë në rundin e dytë.

Kushdo që merr më shumë vota në rundin e dytë, fiton mandatin.

Ajo që Marine Le Pen dhe Jordan Bardella duan, është një shumicë absolute prej 289 vendesh në Asamblenë Kombëtare me 577 vende.

Pjesëmarrja e lartë të dielën do të thotë se rreth 300 zona elektorale përballen tani me balotazhe të mundshme trepalëshe, të cilat, në teori, favorizojnë Tubimin Kombëtar.

Për t’i parandaluar këto balotazhe trepalëshe dhe për ta bllokuar Tubimin Kombëtar, politikanët e qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë të Francës kanë praktikuar prej kohësh atë që ata e quajnë “front republikan”, ku kandidati i vendit të tretë tërhiqet nga gara dhe u kërkon votuesve të mblidhen pas kandidatit të vendit të dytë.

Të gjithë kandidatët që kalojnë në balotazh, kanë kohë deri të martën në mbrëmje për të vendosur nëse do të tërhiqen ose do të konkurrojnë në rundin e dytë.

Si është gjendja këtë herë?

Shumë udhëheqës politikë dhanë udhëzime për kandidatët dhe votuesit qysh të dielën në mbrëmje.

Presidenti Macron bëri thirrje për mbështetjen e kandidatëve republikanë dhe demokratë në rundin e dytë.

Ish-kryeministri i tij, Edouard Philippe, kërkoi nga kandidatët e partisë së tij të largohen nga gara nëse janë në pozitën e tretë dhe të tubohen pas kandidatëve nga qendra e majtë në qendrën e djathtë, duke përjashtuar Tubimin Kombëtar dhe partinë e ekstremit të majtë, Franca e Papërkulur.

Në taborin e majtë, udhëheqësit socialistë dhe të Francës së Papërkulur u bënë thirrje, gjithashtu, kandidatëve të tyre të vendit të tretë që të tërhiqen për ta bllokuar Tubimin Kombëtar.

Çka do të ndodhë tash?

Efektiviteti i “frontit republikan” është dobësuar me kalimin e viteve dhe shumë votues nuk i dëgjojnë më këshillat e udhëheqësve partiakë.

Është, po ashtu, e mundur që kandidatët të refuzojnë të largohen nga gara, pavarësisht udhëzimeve nga selitë e tyre politike.

Por, bisedimet gjatë orëve të ardhshme do të jenë vendimtare dhe mund t’i ndryshojnë ndjeshëm rezultatet.

Kjo edhe e bën jashtëzakonisht të vështirë të parashikohet rezultati i rundit të dytë./REL

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Çka ndodhi me Ledjonën dhe Julin?

Story i radhës

Banjska, Asociacioni, dialogu – mesazhi i Borrellit pak para largimit nga posti diplomatik i BE’së

Të fundit nga

Gjendja në gjyqësor akoma mbetet e njëjtë!

9 Shkup, 26 nëntor – Gjyqësori si një nga hallkat më të rëndësishme të funksionimit normal të një shteti vazhdon të mbet problem sfidues edhe i kësaj qeveria. Derisa nuk kthehet besimi
ShkoLartë