Një 50-vjeçar ka mbetur i plagosur këtë mbrëmje në Këlcyrë pasi teksa ecte në këmbë është përplasur nga një mjet tip “Benz”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:35, në aksin rrugor Këlcyrë-Ura e Leklit, në vendin e quajtur “Gryka e Këlcyrës”.
29-vjeçari me iniciale G. L. që po drejtonte makinën ka përplasur shtetasin shtetasin me iniciale K. Y..
50-vjeçari ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që nuk dihet nëse ka qenë lëvizja jashtë rregullave të qarkullimit rrugor të shoferit apo gabim i vetë këmbësorit që shkaktoi përplasjen.
Kjo e hënë është shoqëruar nga aksidente rrugore në të gjithë vendin. Më i rëndi ishte ai në Berat, ku një 25-vjeçare që udhëtonte në makinë me djalin e saj 6-vjeçar, humbi kontrollin e mjetit dhe përfundoi në lumin Osum. Të dy humbën jetën në një aksident që si shkak dyshohet ka pasur një parakalim të gabuar.
Një aksident i trefishtë ndodhi gjatë pasdites në afërsi të kryqëzimit të Shënkollit, në fshatin Markatomaj. Një furegon përfundoi në parcelat anësh rrugës, dy persona mbetën të plagosur, ndërkohë që ende nuk dihet çfarë e shkaktoi përplasjen.