Dita e 15-të e barrikadave në veri, KFOR-i kërkon dialog, Kosovës po i “shteron” durimi

December 24, 2022
min lexim

Sot është dita e 15-të prej kur serbët lokalë vendosën barrikada nëpër rrugë, në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit, Dejan Pantiq. Për heqjen e këtyre barrikadave, KFOR-i ka kërkuar zgjidhje përmes dialogut, ndërsa krerët institucionalë kanë bërë të ditur se largimin e tyre mund ta bëjë edhe Policia e Kosovës, duke dhënë shenja se iu është “shteruar” durimi.

Që nga 10 dhjetori, serbët në Veri kanë nisur vendosjen e kamionëve dhe makinerive të rënda, të cilat dita-ditës i forcuan.

Heqjen e tyre e kërkuan Amerika e BE, mirëpo KFOR-i ende nuk ka marrë vendim për të ndërhyrë, edhe pse ka kërkuar zgjidhje përmes dialogut.

Kjo gjë që është kritikuar nga dy deputetë të VV-së.

Adnan Rrustemi dhe Arban Abrashi kanë thënë se janë bërë 14 ditë, ndërsa KFOR-i kërkoi vetëm pak kohë.

“KFOR-i kërkoi pak kohë për heqje barrikadash, ndërkaq sot kur u bënë 14 ditë thotë të zgjidhet kjo çështje me dialog. Si ndodhi kjo që nga pak kohë për heqje të barrikadave të kalojmë te negociimi me krimin dhe bandat kriminale e të armatosura”, ka shkruar Abrashi dje.

Ndërsa, Rrustemi tha se heqjen e barrikadave mund ta bëjë edhe Policia e Kosovës.

“Këto deklarata dhe kjo zhagitje vërtetë po bëhen të papranueshme dhe janë duke kaluar çdo pritje. Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojë. Me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet. Barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet ta bëjë këtë gjë”, ka shkruar Rrustemi në Facebook.

Se Policia e Kosovës mund t’i heqë këto barrikada, e ka thënë edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai të enjten në një konferencë për media tha se po presin angazhimin e KFOR-it që t’i largojnë barrikadat.

“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që atë angazhimin e tyre ta realizojnë. Por pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në Jarinjë dhe Bërnjak, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Besoj që KFOR-i dhe faktori ndërkombëtar po angazhohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.

Ndërsa dje për situatën e krijuar në veri, ka reaguar komandanti i KFOR-it., Angelo Michele Ristuccia.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i inkurajojmë të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut.”/express/ 

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Man United në bisedime për transferimin e Gakpos

Story i radhës

Sonte në katedralen Shën Nënë Tereza mbahet mesha solemne e Krishtlindjes

Të fundit nga

ShkoLartë