​Disa komuna dhe fermerë kërkojnë ndarjen e zonave për prodhimet bujqësore, flet ministri Peci

Fermerët e vendit kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë të krijojë strategji për Bujqësi, të ndahet në zona komuna ose rajoni sa i përket kultivimit të produkteve bujqësore që rekomandon edhe Instituti. Njëjtë kërkojnë edhe disa kryetarë të komunave sikurse edhe ekspertë të bujqësisë. Sipas tyre, duhet të bëhet një dallim i subvencionimit të rrafshit të Dukagjinit me rajone tjera.

Në anën tjetër në Ministrinë e Bujqësisë, thonë se janë duke punuar në kuadër të avancimit të politikave të ministrisë që në proces e sipër të ketë një rajonizim në këtë sektor.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci thotë për KP se deri në fund të mandatit synojnë të kenë një analizë më të thellë shkencore, duke parë edhe analizën e cilësisë së tokës, dhe faktorët tjerë.

Peci: Po punojmë për avancimin e politikave për rajonizim

“Ne jemi duke punuar në kuadër të avancimit të politikave të Ministrisë që në proces e sipër të kemi një proces që në terminologjinë profesionale quhet rajonizim në sektorin e bujqësisë, mirëpo rajonizimi nuk nënkupton që komunat ndahen si ato i kanë kufijtë administrativ. Në rast se flasim për sektorin e vreshtarisë dhe verarisë ku qendra kryesore në Kosovë është Rahoveci, nuk mund të themi se vetëm Rahoveci është zona e vreshtarisë për shkak se potencial të madh ka edhe Suhareka, që edhe kultivon pjesën e hardhisë së rrushit, por, njëkohësisht është edhe Prizreni, Mamusha, madje edhe Gjakova dhe Malisheva. Kështu, këto janë komunat që kanë potencial në sektorin e vreshtarisë dhe verarisë, ndërsa për sektorët tjerë ose komunat tjera që kanë më shumë potencial për argoturizëm ose turizëm malor, normal se dihet cilat janë ato. Mirëpo, deri në fund të mandatit në synojmë të kemi një analizë më të thellë shkencore dhe me potencialin që ka, por duke parë edhe analizën e cilësisë së tokës, dhe faktorët tjerë. Kështu, deri në fund të mandatit besoj që kemi me përgatit pjesën e platformës dhe udhëzimeve për periudhën vijuese, ta zëmë ministrit pasardhës timin, mundet t’i ketë të gatshëm orientimin mbi bazën e rajoneve se cilat janë potencialet më të mëdha, jo tani të përfshihet edhe në skemën e ofrimit të përkrahjes në dy programet kryesore, edhe në subvencione dhe në grante”, thotë Peci për KosovaPress.

Ai thekson se secili rajon ka me pas top pesë produktet me potencialin më të madh për zhvillim.

Peci: Ndarja nuk ndodhë në komuna, ajo ka me qenë në rajone

“Ndarja nuk ndodhë në komuna, ajo ka me qenë në rajone dhe jo domosdoshmërisht vetëm një rajon përcaktohet ta zëmë për kulturën e patates apo specit, për shkak, se bëhet edhe në Podujeve dhe në Mamushë. Kështu, do të ndahen zonat, secila ka me pas top pesë produktet ku ka potencialin më të madh për zhvillim, ajo pastaj do të përkrahet më shumë nga institucionet dhe nga Ministria e Bujqësisë në të ardhmen”, vijon Peci.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi thotë se Rahoveci i plotëson të gjitha kushtet që të shpallet si zonë strategjike e interesit të veçantë për bujqësi.

Latifi: Rahoveci me rrethinë plotëson kushtet për t’u shpallur zone strategjike

Parakushtet që Rahoveci me rrethinë mund të jetë edhe më i gjerë kufiri i plotëson për t’u shpallur zone strategjike e interesit të veçantë për bujqësi. Madje, ne kemi kërkuar dhe ju kemi drejtuar me shkrim edhe Ministrisë së Bujqësisë, sikurse edhe Komisionit funksional, Komisionit të përhershëm parlamentar që është jetike në qoftë se Rahoveci do të mbrohej me ligj, do të shpallej me ligj të veçantë si zonë tipike bujqësore, si zonë strategjike e interesit të veçantë për bujqësi. Ne jemi zonë e njohur e perime- kulturës, dhe zonë e njohur po ashtu e vreshtarisë”, thotë Latifi.

Se një gjë e tillë duhet të bëhet, thotë edhe Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini.

Kryetari Xheladini ka kërkuar të ndryshohet politika e subvencionimit të fermerëve, siç kërkon ai të bëhet një dallim i subvencionimit të rrafshit të Dukagjinit me atë të Dragashit.

Xheladini: Të bëhet një dallim i subvencionimit të rrafshit të Dukagjinit dhe të Komunës së Dragashit

“Duhet të ndryshojë politika e subvencionimit të fermerëve dhe të bëhet një dallim i subvencionimit të rrafshit të Dukagjinit dhe të Komunës së Dragashit. Gjithashtu kam kërkuar që të bëhet edhe subvencionimi jo vetëm i tokave bujqësore, por edhe i kullotave”, thotë Xheladini.

Fermeri, Labinot Shulina, i cili ka rreth 3 hektar vreshta, kërkon nga Ministria e Bujqësisë, që Rahoveci të ndahet si zonë e veçantë për rrush.

Shulina: Rahoveci duhet të shpallet zonë e veçantë që merret me mbjelljen e rrushit

“Duhet të bëhet, sepse Rahoveci është zonë e njohur, do duhet të ketë parasysh se rrushi nuk mbillet çdo vit, por njëherë në 100 vjet, kështu duhet të ketë një tretman më të veçantë. Mbështetje ka, mirëpo të ketë mbështetje akoma më të madhe që këtë kulturë ta ngrisim, e po ashtu ta bëjmë edhe një qytet i cili njihet në gjithë boten për turizmin e verave apo vreshtave”, thotë Shulina.

Se kjo ndarje është e rëndësishme, e thotë edhe fermeri, Armend Kastrati, i cili merret po ashtu me përpunimin e rrushit.

Sipas tij, Rahoveci duhet të ndahet si zonë e veçantë për kultivimin e rrushit.

Kastrati: Rahoveci duhet të ndahet si zonë e veçantë për kultivimin e rrushit

“Duhet të ketë përkrahje më të madhe për Rahovecin për shkak se aktivitet kryesor është vreshtaria dhe kulturat tjera bujqësore…02:07 Kështu mendoj se Rahoveci duhet të ndahet si zonë e veçantë për kultivimin e rrushit”, thotë Kastrati.

Edhe profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci konsideron se Ministria e Bujqësisë duhet të krijojë strategji zhvillimore në kuptimin e rajonizimit të prodhimeve të caktuara bujqësore.

Rusinovci: Nevojitet strategjia zhvillimore në kuptimin e rajonizimit të prodhimeve të caktuara bujqësore

“Është e vërtetë se, sepse kjo i mungon. Neve në vija të trasha gjithmonë në rrafshin e Dukagjinit e kemi prioritizua si rrafsh me toka pjellore të begatshme për perime dhe rrafshin e Kosovës për prodhimtari të drithërave. Dukuri kjo që nuk ka dhënë rezultat, sepse edhe këtu tanimë kanë filluar prodhimtarinë intensive në objektet e mbyllura, por mendoj se Kosova ka nevojë për një rajonizim krahas prioritizimeve që duhet t’i ketë për prodhime të caktuara, shembull, pjesa e territorit gjeografik të Rahovecit, një pjesë e Suharekës, një pjesë e rrafshit të Dukagjinit, deri tek pjesa Lindore Suhareka që mund të ketë prioritet vreshti, pastaj prodhimet tjera intensive siç janë perimet dhe prodhimtarit e zakonshme ose strategjike siç janë drithërat. Kosovës i mungon një rajonizim i duhur për lartësi të duhura mbidetare krahas ekspozicionit të terrenit qysh kanë zona të caktuara në vende tjera, që kanë trend të lartë të zhvillimit ekonomik”, thotë Rusinovci.

Mes tjerash, Rusinovci vlerëson se kjo formë e ndarjes, do të ishte shtysë e madhe edhe për fermerët.

Rusinovci: Kjo do të ishte një shtysë shumë e madhe për fermerët që me kohe e dinë çfarë duhet të kultivojnë

“Duhet të caktohen zonat e caktuara për prodhime të caktuara, në mënyrë që krahas rajonizimit dhe prioritizimit që bëhet në bujqësi, atëherë edhe planifikimi do të ishte më i duhur për sasinë e planifikuar të prodhimit që mund të realizojmë për të ulë sasinë marramendëse të importit që është për shumë prodhime bujqësore. Kjo do të ishte një shtysë shumë e madhe për fermerët që me kohe e dinë çfarë duhet të kultivojnë dhe normalisht se shteti duhet të intensifikojë pikat grumbulluese të prodhimeve të caktuara bujqësore për distribuomin e tyre dhe plasmanin që duhet të jetë prioritet qoftë për prodhuesin, përpunuesin apo piken grumbulluese”, shton Rusinovci.

Lidhur me këtë temë, KosovaPress ka tentuar të marrë përgjigje për këtë çështje edhe nga kryetar të tjerë të komunave, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ismet Krasniqi: Jashtëzakonisht krenar për një moment historik

Story i radhës

“Makarona, qumësht e patate” – të gjithë po qeshin me paraqitjen e fundit televizive të Vuçiqit

Të fundit nga