Sot në gjeneratën e 58-të të Policisë së Kosovës kanë diplomuar 418 kadetë të rinj, në mesin e tyre, 46 janë femra.
Në ceremoninë e diplomimit, krerët e shtetit kanë theksuar se Policia e Kosovës është prioritet për Qeverinë e Kosovës, për të cilën kanë premtuar se do të adresojnë çdo sfidë të secilit zyrtar policor.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se të diplomosh në Akademinë e Policisë nuk është një arritje e vogël.
Osmani para kadetëve të rinj, ka theksuar se e kanë përgjegjësi mbrojtjen e kufirit me autoritetet vendore dhe partneret ndërkombëtar.
“Mos harroni se distinktivi që mbani përfaqëson jo vetëm autoritetin që ju është dhënë, por mbi të gjitha, shpresat dhe aspiratat e qytetarëve tanë…Në këto momente kur ju do të bëni betimin e shenjtë për te realizuar detyrat e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të bashkoheni kolegëve tuaj për të realizuar me vendosmëri përgjegjësinë për ruajtjen e rendit të sigurisë publikë në tërë territorin e Kosovës si dhe përgjegjësinë për kontrollin e mbrojtën e kufirit në bashkëpunim të drejtpërdrejt me autoritetet vendore si dhe me partneret tanë ndërkombëtar”, ka thënë Osmani.
E para e shtetit, Osmani është shprehur se është e domosdoshme që Kosova të bëhet anëtare e Interpol-it dhe Europol-it. Ajo ka thënë se është e nevojshme që të ketë më shumë gra e vajza në Policinë e Kosovës.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Policia e Kosovës vazhdon të mbetet një ndër institucionet më të besueshme për qytetarët.
Derisa ka uruar kadetët e rinj, Kurti ka shtuar se qeveria do t’i mbështesë për të tejkaluar çdo sfidë.
“Si qeveri që nga marrja e mandatit jemi zotuar për luftë të pa kompromis ndaj korrupsionit, veçanërisht atij që është mirëmbajtur me vite në institucionet tona…15:17 Në mbështetje të parezervë keni një qeveri demokratike e bashkëpunuese, e cila asnjëherë nuk do të synojë të minoj rolin tuaj, e që do të adresojë secilën sfidë që keni para vetes. Sfida juaj është sfida jonë. Policia e Kosovës do të vazhdojë të mbetet në shërbim te të gjithë qytetarëve pa dallim dhe dyert e saj do të jenë gjithmonë të hapura për të gjithë ata që duan të jenë faktor i garantimit të sigurisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla derisa është shprehur krenar për punën që po realizon Policia e Kosovës, ka theksuar se zyrtarët policorë në muajt e fundit me angazhimin e tyre kanë treguar se nuk bëjnë kompromis me banda dhe krim.
“Dita ditës ne po i shtojmë dhe forcojmë radhët e Policisë së shtetit tonë e të jemi krenarë për punën që Polica e Kosovës po e bënë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim. Ajo po mbron dinjitetshëm dhe me sukses jetën dhe pronën e të gjithë qytetarëve tanë dhe me përkushtim po zbaton ligjshmërinë në tërë territorin e Republikës….Zyrtarët tanë policorë në vitet e fundit e veçanërisht në muajt e fundit me angazhimin e tyre kanë treguar se nuk bëjnë kompromis me banda e krim”, ka thënë Sveçla.
E drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka pasur disa porosi për kadetët e rinj.
“Gjenerata e 58-të që diplomon sot numëron gjithsej 418 kadet nga sot policë të Kosovës, prej tyre janë 372 meshkuj, 46 femra…20:46 Sot derisa për herë të parë mbani uniformat policore do të bëni betimin për t’i shërbyer shtetit të Kosovës duke zbatuar ligjet e vendit dhe duke mbrojtur ligjshmërinë, rendin dhe sigurinë publike. Kërkoj nga ju që t’i zbatoni me nder dhe me krenari përgjegjësitë dhe obligimet që vinë me profesionin dhe detyrat e juaja si Polic të Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Zëdhënësja e gjeneratës, Marigona Brahimi është shprehur e lumtur që pas të gjitha sfidave gjatë trajnimit, kanë arritur t’i kalojnë me sukses.
Brahimi ka thënë se njohuritë e fituara gjatë trajnimit, do të shërbejnë që ta bëjnë popullin e Kosovës më të sigurtë.
“Jemi krenarë që jemi këtu në këtë ditë të veçantë për vendin tonë. Ne kemi kaluar sfida të ndryshme gjatë periudhës të trajnimit dhe kemi arritur që me sukses të kurorëzojmë këtë ditë të rëndësishme, jo vetëm për ne, por edhe për Policinë e Kosovës. Angazhimi dhe njohuritë e fituara gjatë trajnimit, profesionalizmi për punën do të bëjnë shtetin Kosovës dhe popullin tonë më të sigurte”, është shprehur Brahimi.