Mediat vendase i kanë kushtuar vëmendje një historisë së një të riu shqiptar, i cili është arrestuar duke kryer transport droge.
Sipas të dhënave të tyre, mësohet se shqiptari ka shkuar në Angli për të studiuar e madje në një degë mjaft të mirë, por ai është detyruar ta braktisë shkollën dhe të nis aktivitetin e shpërndarjes së drogës pasi sipas tij, ai kishte borxhe për të shlyer dhe ishte i detyruar.
Por, policia vendase dhe më pas prokuroria dhe gjykata nuk e kanë falur studentin, duke i dhënë edhe një masë dënimi me burg, ndërkohë që emri dhe historia e tij ka dalë ditën e djeshme nëpër media. Kështu mësohet se Renaldo Shyti, një 23-vjeçar shqiptar është dënuar me 12 muaj burg nga gjykata britanike në Ipswich. I riu u kap duke transportuar lëndë narkotike.
Arrestimi i tij u bë i mundur në tetor të këtij viti kur oficerët kontrolluan makinën dhe i gjetën kokainë të fshehur në anën e derës së shoferit.
Sipas prokurorëve, droga e ndarë në doza shitej nga 40 deri në 800 paund. Në dëshminë e tij për policinë, i riu shqiptar tha se gjërat që i ishin gjetur nuk ishin të tij dhe se dikush e kishte detyruar ta bënte veprimin e paligjshëm.
“Gjërat nuk janë të miat. Dikush më detyroi ta bëja këtë”, mësohet të ketë deklaruar 23-vjeçari.
Kur telefoni i tij u kontrollua, u zbulua se përmbante kodet postare të vendeve ku ai do të dërgonte drogën. Gjatë dëshmisë për Policinë ai tha se kishte qenë i pastrehë dhe i ishte kërkuar të dorëzonte drogë në Ipswich pasi kishte një borxh prej 5,000 paundësh për të shlyer.
Mediat e huaja bëjnë me dije se përpara se të vinte ilegalisht në Britaninë e Madhe, në gusht të vitit të kaluar, Shyti kishte studiuar për degën laborant dentar në Shqipëri dhe tani ai dëshironte t’i kthehej jetës së tij atje.