Dialogu strategjik me SHBA-në forcon pozicionet e integrimit të vendit në BE

Dialogu strategjik me SHBA-në nuk është alternativë, por është plotësues i procesit të integrimit të vendit në BE, vlerësojnë zyrtarët e lartë të vendit.

“Me këtë konfirmojmë sinjalin e fortë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri ynë strategjik dhe kjo ka një rëndësi të madhe për ne si vend. Tani më shumë se kurrë, me dialog ne po ndërtojmë bashkëpunimin tonë të mëparshëm, partneritetin dhe përkushtimin për sigurinë, lirinë dhe prosperitetin demokratik, respektimin e së drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe kërcënimeve të tjera për paqe në mbarë botën”, tha Kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm, Osmani.

Kryeministri rikujtoi se sivjet vendi ynë shënon 15 vjet të mbajtjes së partneritetit strategjik me SHBA-në, periudhë gjatë së cilës ne vazhdimisht marrim mbështetje në zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit.

“Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që ka zhvilluar një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara. Është vetëm një përmirësim i partneritetit strategjik afatgjatë mes dy vendeve dhe ngritja e marrëdhënieve dypalëshe në një nivel më të lartë. Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja ka vendosur synime strategjike për Maqedoninë e Veriut dhe ne po i realizojmë me iniciativa dhe hapa konkretë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për politikë të brendshme apo të jashtme. Është e vetmja mënyrë për të zhvilluar vendin, është e vetmja mënyrë që mund të kontribuojmë në promovimin e interesave tona strategjike në nivel global”, theksoi Kryeministri.

Në fjalimin e tij, Kryeministri Kovaçevski theksoi prioritetet e Qeverisë.

“Qëllimi ynë i përbashkët është anëtarësimi sa më i shpejtë i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, sepse qytetarët tanë kanë nevojë për institucionet evropiane, një standard evropian, një të ardhme evropiane. Për ta arritur këtë duhen reforma strukturore, për këtë duhet unitet, vendosmëri, tani nuk është koha për kalkulime partiake. Jam plotësisht i bindur se vendi i Maqedonisë së Veriut është në rrethin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, prandaj duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë dhe bazuar në parimet e vendosura të mbrojtjes së interesave të qytetarëve për ta realizuar atë”, konsideron Kryeministri.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, bëri të ditur se dialogu strategjik me SHBA-të dhe të gjitha projektet e planifikuara të bashkëpunimit janë pjesë e Programit të punës së Qeverisë.

“Fusha e parë e bashkëpunimit të intensifikuar dhe aktivitetit prioritar në kuadër të Planit të Veprimit është lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i së drejtës. Ne kemi krijuar gjithashtu një kapitull të veçantë në Planin e Veprimit që i referohet zbatimit të politikës kundër korrupsionit. Janë planifikuar aktivitete që synojnë mbështetjen e reformave në drejtësi duke shkëmbyer njohuritë e ekspertëve, të gjitha me qëllim të rritjes së besueshmërisë dhe besimit në gjyqësor”, tha ministri Osmani dhe vazhdoi: “Është paraparë përforcim në bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, aleanca në kuadër të NATO-s dhe segmenteve të tjera të sigurisë. Mes tjerash, kjo nënkupton mbajtjen e trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta me SHBA-të, si dhe mbështetje për modernizimin dhe pajisjen e Armatës sonë. Ne kemi përcaktuar një bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të dhe në kuadër të presidencës sonë me SHBA-të – Kartën e Adriatikut, apo A5-shit, veçanërisht në pjesën e krijimit të narrativit të ri të Kartës”, shpjegoi ministri Osmani.

Ai numëroi edhe fusha të tjera ku do të përforcohet bashkëpunimi, ndër të cilat në fushën e bashkëpunimit ekonomik, ai theksoi vendosjen e planifikuar të bashkëpunimit me Korporatën Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA-ve (US International Development Finance Corporation – DFC) dhe interesin tonë afatgjatë për hapjen e një përfaqësuesi rajonal të këtij institucioni në Maqedoninë e Veriut.

Ministri Osmani po ashtu bëri të ditur se janë planifikuar projekte me qëllim të tejkalimit të sfidave energjetike, më pas organizimi i një forumi të madh biznesi ndërmjet dy vendeve dhe krijimi i linjës ajrore të drejtpërdrejt Shkup – Nju Jork, si dhe ambicia e shtetit për t’iu bashkuar Programit për Hyrje Globale(Global Entry Program) të SHBA-ve.

Plani i aktiviteteve përmban edhe projekte që kanë të bëjnë me shkëmbimin kulturor, përforcimin e bashkëpunimit arsimor, si dhe përforcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve akademike, aktivitete që synojnë përmirësimin e lidhjeve dhe afrimin e popujve të të dyja vendeve.

Story i mëparshëm

Garevski: Ndërtesat e ndërtuara në RMV pas vitit 2014-të janë rezistente nga tërmetet

Story i radhës

Ten Hag: Martiali kurrë s’ka qenë 100 për qind

Të fundit nga