Viti 2024, nuk ishte shumë produktiv sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.
Këta 12 muaj nuk prodhuan ndonjë marrëveshje apo përparim në këtë çështje.
Takimet e mbajtura gjatë këtij viti, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qoftë në nivelin e lartë apo në atë të kryenegociatorëve, përfunduan kryesisht pa rezultate konkrete.
Palët, që dialogojnë prej vitit 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve ekzistuese apo për dështim të dialogut, ndërkaq BE-ja ka theksuar se ka mungesë të vullnetit politik për zbatimin e marrëveshjeve.
Kosova dhe Serbia kanë edhe mendime të ndryshme për përfundimin e procesit të normalizimit të raporteve. Kosova kërkon njohje reciproke, ndërkaq Serbia do kompromis ku “asnjëra palë s’do të jetë fituese absolute apo humbëse absolute”.
Madje, shteti serb me provokimet, kërcënimet e saj vetëm sa e ka vështirësuar dialogimin.
Për këtë, shpesh është fajësuar edhe Bashkimi Evropian, kjo për qasjen e butë ndaj Serbisë dhe për mos ushtrim të presionit ndaj Aleksandar Vuçiq.
Mirëpo, sa ka shpresë që viti 2025 do sjellë një kahje tjetër, pse jo edhe një marrëveshje finale?
Koci: Dialogu Kosovë-Serbi gjatë këtij viti ishte dështim spektakular
E në lidhje me këtë, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, foli ish-kryeredaktori i Radio Evropa e Lirë, z. Melazim Koci.
Së pari, ai u shpreh se ky ishte një vit i dështuar sa i përket bisedimeve Kosovë-Serbi.
Ai potencoi se kemi të bëjmë me politikë që favorizohet nga Bashkimi Evropian nga viti 2014, e që fatkeqësisht përkëdhelet Beogradi.
“Dialogu Kosovë-Serbi gjatë këtij viti ishte dështim spektakular. Serbia vazhdoi me logjikën e zhagitjes së dialogut, “blerjes së kohës” dhe shkaktimit të incidenteve dhe sulmeve terroriste në veri (Ibër – Lepenci). Beogradi është në pritje të rrethanave të reja ndërkombëtare që do ta favorizonin dhe mundësonin aneksimin e veriut. Kemi të bëjmë me politikë që favorizohet nga Bashkimi Evropian nga viti 2014 kur u lansua e ashtuquajtura strategji e “stabilokracisë”. Ajo nënkuptonte përkëdhelje dhe koncesione për Beogradin me synim të ruajtjes së stabilitetit në Ballkan. Brukseli logjikonte në këtë formë: pasi që Beogradi ka potencial për të prodhuar kriza, ne do të bëjmë koncesione për Vuciqin dhe ai do të bëhet “roje” e stabilitetit. Mjerisht, zhvillimet në teren në këto 10 vite dhe sidomos 2 vitet e fundit dëshmuan të kundërtën: Vuçiqi këtë përllogaritje të gabuar e cilësoi si dobësi të BE-së dhe në vazhdimësi shantazhoi, duke mos hezituar të prodhoi kriza në vazhdimësi dhe deri te sulmet terroriste në Banjskë dhe Ibër – Lepenc. E ashtuquajtura politikë e “stabilokracisë” së BE-së u shndërrua në prodhuesen e krizave në Ballkan dhe sidomos në Kosovë”.
Gjithashtu, Koci tha se ‘fatura’ për dështim të dialogut i shkon BE-së, ku tha se viti 2024 dhe 10 vitet e fundit janë dëshmi që këto negociata kanë vdekur.
“Në këto rrethana dialogu Kosovë-Serbi nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë gjasë të ketë sukses.
Nuk ka asnjë dyshim që fatura e dështimit të dialogut edhe gjate vitit 2024 i shkon Bashkimit Evropian. Nuk ka ndryshe si komentohet fakti që BE-ja mban nën sanksione Kosovën, por jo edhe Serbinë pas dy sulmeve terroriste dhe shumë incidenteve tjera të dirigjuara nga kreu politike në Beograd.
Viti 2024 dhe dekada e fundit janë dëshmi se dialogu Kosovë – Serbi në këtë format ka vdekur. Ai jo që nuk ka prodhuar rezultate pozitive, por përkundrazi është bërë prodhues i krizave në vazhdimësi.
Nëse nuk do të ketë ri formatim, ai mund të prodhojë konflikt të hapur në veri”, nënvizoi ai.
Çfarë mund të pritet në vitin 2025?
Më tej, ish-kryeredaktori I REL foli edhe mbi pritshmëritë për vitin 2025, ku tha se pret një përfshirje më të madhe të SHBA-së, ku nuk përjashtoi edhe mundësinë e një plani të ri për këtë çështje.
Ndër të tjera përmendi edhe një ofertë që mund ta marrë Kosova, sa i përket marrëveshjes me Serbinë.
“Asgjë nga BE-ja e paralizuar nga mekanizmi i vetos dhe nga bllokada që këtij procesi (dialogut) ia bëjnë 5 vendet mos njohëse të Kosovës. Sidoqoftë gjatë vitit 2025 dhe me më shumë gjasa në vitin 2026, duhet pritur përfshirjen më të fuqishme të SHBA-së në çështjen e dialogut Kosovë – Serbi. Nuk përjashtohet mundësia që Uashingtoni në 18 muajt e ardhshëm të bëjë publik një plan të ri, që nuk do të negociohej, por do t’u ofrohej palëve në formën “merre ose lëre” dhe që në qendër do të kishte njohjen reciproke Kosovë – Serbi. Alternativë e këtij plani (nëse Serbia refuzon njohjen “de jure”) mund të jetë edhe oferta për Kosovën që të përmbushi kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe si kompensim të përfshihet në organizatat ndërkombëtare deri në NATO.
Opsioni i dytë duket më real, sepse është pak e mundur që Serbia të pajtohet me njohjen e Kosovës në plan afatshkurtër.
Nëse kjo do të ishte oferta për Kosovën, uroj që udhëheqja e jonë të tregohet pragmatike dhe ta kuptoj që vendimtare për fatin e Kosovës nuk është njohja nga Serbia, por përfshirja në organizatat ndërkombëtare dhe në NATO. Në këtë mënyrë Serbia do të de faktorizohej dhe nuk do të mund ta mbante Kosovën peng dhe të shantazhuar përmes dialogut të pafund. Në këtë mënyrë dialogu do të merrte fund dhe Kosova do të dërgonte porosinë se nuk varet nga Serbia. Kosova mund të zhvillohet edhe pa njohje nga Serbia, nëse afirmohet dhe përfshihet në organizatat ndërkombëtare dhe Aleancën Veri atlantike”, përfundoi Melazim Koci për “Bota sot”.
Azemi: Viti që po lëmë pas, 2024, nuk shënoi ndonjë kthesë që ka mundur të pritet
Kurse, ngjashëm e vlerëson rrjedhën e dialogut edhe publicisti Emin Azemi.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se viti 2024 nuk ka shënuar ndonjë kthesë të madhe.
Madje, sipas tij duke parë zhvillimet, Kosova do duhej të këmbëngulte për penalizim të shtetit serb.
“Viti që po lëmë pas, 2024, nuk shënoi ndonjë kthesë që ka mundur të pritet, sidomos sa i përket dialogut të pambaruar me Serbinë. Kosova ka vazhduar të mbaj pozicionet e saj kundrejt këtij procesi i cili, për mendimin tim, nuk ka qenë i menaxhuar mirë nga Brukseli. Viti 2024 ndoshta ka mund të shfrytëzohet pak më tepër nga diplomacia e Kosovës, duke këmbëngulur që të penalizoeht Serbia për sulmin në Banjskë, por edhe për shpërthimi që ndodhi në kanalin Ibër- Lepenc. Kanë qenë këto dy raste, të cilat janë përdorur si kauza në diskursin e brendshëm politik, por jo edhe në atë ndërkombëtar”.
Azemi ishte kritik ndaj punës së diplomacisë së shtetit tonë, derisa tha se pret që gjerat të marrin rrjedhë tjetër, me kryesinë e re të BE-së.
“Diplomacia e Kosovë nuk ka punuar mjaftueshëm në intensifikimin e kontakteve dhe komunikime lobuese me grupet e ndryshme politike në Evropë dhe SHBA. Në këtë drejtim, kam përshtypje se ka dështuar edhe diplomacia e Shqipërisë, e cila aq sa kam mundur ta përcjell, ka pasur një qëndrim disi të vakët sa i përket aksioneve destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës.
Po shpresoj që me ndryshimet e bëra në kreun e BE-së, gjërat do të ecin ndryshe, të paktën nuk do të kemi diplomat në Bruksel që çështjen e Kosovës e shohin me dylbiat e mjegullta të shteteve të tyre të origjinës, siç kishte ndodhur me politikanët pararendës të BE-së.”, potencoi publicisti.
Në fund, përmendi pritshmëritë që ka për vitin 2024, ku tha se edhe ky do jetë një vit sfidues për negociatat Kosovë-Serbi dhe se pret përfshirje më të madhe të SHBA-së.
“Viti 2025 do të sjellë sfida të reja, sepse duhet të vazhdojë të përballet me procesin e pambaruar të dialogut me Serbinë, ku edhe diplomacia amerikane do të ketë rolin e vet, ndoshta më aktiv se deri më tani, pas ardhjes së Presidentit Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë në Washington.
Pres që qasja e Brukselit, por edhe e Uashingtonit, nuk do të jetë si kjo që ka qenë deri më tani, dhe sidomos pres që këtë qasje ta përjetojë pak më tepër Beogradi zyrtar, i cili, për shkak edhe të protestave masive kundër regjimit ë Vuçiqit, do të jetë i detyruar të pajtohet me faktin se Kosova është pjesë e një realiteti gjeopolitik të pakthyeshëm”, përmbylli Emin Azemi për “Bota sot”.
Kujtojmë që, marrëveshja e fundit që palët arritën, më 2023, ishte ajo për rrugën drejt normalizimit të raporteve – e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit – të cilën Brukseli e konsideron arritje të madhe.
Kjo marrëveshje – që nuk është nënshkruar për shkak të refuzimit të Serbisë – parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, si dhe njohjen e ndërsjellë të simboleve shtetërore. Ajo kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e arritura më herët, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, themelimin e të cilit Serbia kërkon me ngulm, ndërsa Kosova deri më tani e ka refuzuar.
Burimi: botasot.info