Ishte trajneri më i keq në karrierën time”, tha pa dyshuar Angel di Maria, duke kujtuar aventurën e tij zhgënjyese te Mançester Junajtid.
“Më shpëtoi karrierën”, deklaroi Serxho Romero, kur erdhi te gjigantët anglezë duke shpëtuar nga vuajtjet te Sampdoria. Referencat e lojtarëve të Argjentinës janë për të njëjtin person: Luis van Galin, trajnerin kontrovers të Holandës, me të cilin “Fideo” do të përballet të premten për një biletë në gjysmëfinalet e Botërorit.
Trajneri veteran, më i moshuari në Katar (71 vjeç) do të ketë përballë në çerekfinale më të riun e Botërorit, Lionel Skalonin (44 vjeç). Në stolin e Holandës si sot, Van Gal humbi gjysmëfinalen e “Brazil 2014” kundër Argjentinës së Alehandro Sabejës me penallti. Ajaksi i tij që fitoi Champions-in në 1995-ën ishte një pikë reference për shumë trajnerë, Marselo Bielsa në veçanti, i cili adoptoi modulin e tij 3-3-1-3 dhe e solli në kombëtare.
Në 8 korrik 2002, Rikelme u prezantua si blerja e re e Barcelonës për 13 milionë dollarë nga Boka. Kontratë 5-vjeçare, por Roman luajti vetëm 13 muaj në “Camp Nou”. Një prej arsyeve kryesore ishte se ai nuk shkëlqeu nën drejtimin e Van Galit dhe qëndronte në stol. Zëvendëspresidenti aktual i Bokës tregoi një bisedë me holandezin në dhomën e zhveshjes gjatë konferencës së prezantimit. “Van Gal më tha se donte të fliste me mua dhe më ftoi në dhomën e zhveshjes. Më tregoi disa video dhe më tha këto janë të gjitha të tuat.
‘Ti je futbollisti më i mirë në botë kur ke topin në zotërim, por kur nuk e ke ne luajmë me një lojtar më pak. Unë këtu kam një sistem loje dhe i besoj atij. Ti do të luash në krah të majtë’. Dhe historia vazhdoi: Ndeshjen tjetër unë u zhvendosa në pozicionin tim, në qendër.
Ne fituam 2-1 dhe dy asiste ishin të miat. Ditën tjetër ne do të shkonim të stërviteshim dhe unë mendova se do të ishim të gjithë të lumtur. Por ai më tha: ‘Je shumë i padisiplinuar. Të gjithë thonë se ti luajte një ndeshje të shkëlqyer, ndërsa unë them se ti duhet të kishe luajtur në krah të majtë’. Pastaj më përjashtoi nga skuadra, por ishte i sinqertë me mua dhe m’i tha gjërat në fytyrë”.