Dhuna në familje: Policia zbarkon në shtëpinë e prishtinasit pas denoncimit nga gruaja, i gjejnë AK-47 e qindra fishekë

min lexim

Gratë në Kosovë, si viktimat më të shpeshta të dhunës në familje në shumë raste nuk i denoncojnë në Polici bashkëshortët e tyre për dhunën që përjetojnë, për shkak të frikës. Jo rrallëherë raste të tilla të dhunës në familje kanë përfunduar tragjikisht, si pasojë e mosmarrjes së veprimeve të nevojshme edhe nga organet e rendit.

Një rast i dhunës në familje ka ndodhur edhe të hënën në rrugën “Adem Gashi” në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Konflikti mes tyre eskaloi deri në atë pikë sa edhe viktima u detyrua t’iu vërsulej të dyshuarit.

Sinjali ka mësuar se rasti është denoncuar menjëherë, me ç’rast është aktivizuar edhe Policia që ka arrestuar të dyshuarin B.R. Ai po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gruas, për motive ende ta panjohura.

Si rezultat i raportimit të rastit, është vënë në dijeni edhe Prokuroria, si dhe është dhënë urdhër që të kryhet bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, pasi gruaja e tij e kishte njoftuar Policinë se ai mban armë.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tyre, zyrtarët policorë kanë gjetur mbi 200 fishekë të kallashnikovit e pajisje të tjera, që janë sekuestruar, teksa në lokalin e të dyshuarit është gjetur arma AK-47.

Provat që janë gjetur do të shfrytëzohen si dëshmi në procedurën ndaj të dyshuarit, ndërsa ndaj të njëjtit, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalim policor për rastin e “Dhunës në familje”, teksa veprimet tjera do të ndërmerren brenda afatit ligjor.

Story i mëparshëm

Dita nis me kthjellime, si pritet të jetë moti sot

Story i radhës

Detaje të reja për rusen që ndodhet në çdo video të Putinit

Të fundit nga