Katër burra u arrestuan për dhunë në familje gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.
Rasti i parë i dhunës në familje i raportuar dje, ndodhi në Prishtinë, ku u arrestua një burrë për shkak se kishte ushtruar dhunë psikike dhe kanosur verbalisht me vrasje bashkëshorten e tij. “Me urdhër të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.”, informoi Policia.
Rasti i dytë i raportuar dje në Polici, ndodhi në Graqanicë, ku u arrestua një burrë, i cili pas një zënke verbale të çastit që kishte pasur me nënën e tij, e kishte sulmuar fizikisht atë. “Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.”, u bë e ditur në raportin e Policisë.
Një rast tjetër i dhunës në familje, dje u raportua në Prizren, ku u arrestua një burrë, i cili për shkak të një mosmarrëveshjeje e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. “Si pasojë e rastit i dyshuari dhe viktima kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.”, u bë e ditur në raportin 24 orësh të Policisë.
Në Gjakovë, dje një grua raportoi se në vazhdimësi është keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht nga bashkëshorti i saj. “I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.”, bëri të ditur Policia.