Dhuna ndaj grave, KiE: Shqipëria përparim, por ka ende çështje që duhen trajtuar me urgjencë

September 19, 2024
min lexim

Shqipëria vlerësohet të ketë përparime në legjislacionin e saj kundër dhunës në familje dhe ndaj grave, por ende ka çështje të cilat kërkojnë të zgjidhen me urgjencë. Në këtë përfundim ka arritur raporti i ri i publikuar nga GREVIO (Grupi i Ekspertëve për Masat kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje), i cili është përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën ndaj dhunës mbi gratë dhe dhunës në familje, e njohur si Konventa e Stambollit.

Shqipëria e ratifikoi këtë konventë në vitin 2013, dhe raporti i parë për situatën në vend, ka qenë në vitin 2017. Që prej asaj kohe, vendi vlerësohet të ketë ndërmarrë “ndryshime ligjore gjithëpërfshirëse”, përfshirë “Ligjin për Masat kundër dhunës në marrëdhëniet familjare” dhe Kodin Penal, si dhe miratimin e akteve të shumta nënligjore, udhëzimeve të përgjithshme dhe manualeve. GREVIO “mirëpret veçanërisht, shtrirjen në të gjitha bashkitë shqiptare të një mekanizmi referimi të koordinuar”, të përmendur në raport si një “projekt pionier” që sjell mbrojtje të institucionalizuar dhe të koordinuar më pranë viktimave të një dhune të tillë.

Raporti për Shqipërinë, vlerëson po ashtu, “përpjekjet për të përmirësuar mbledhjen e të dhënave përmes prezantimit të një baze të re të dhënash e cila u lejon autoriteteve të integrojnë më mirë informacionet nga palët e tjera të interesuara”. Sipas GREVIO-s, ndërhyrjet e tjera ligjore që po ndërmerren, janë dëshmi e “përkushtimit të autoriteteve në ndërtimin e një kuadri ligjor të fortë dhe të qëndrueshëm për të parandaluar dhe luftuar dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje”.

Por pavarësisht përparimeve në zbatimin e Konventës së Stambollit, Grupi i ekspertëve ka identifikuar fusha që kërkojnë “masa urgjente” nga autoritetet për të përmbushur plotësisht dispozitat e konventës. Raporti sjell në vëmendjen faktin se “besimet tradicionale, rolet dhe stereotipet strikte gjinore, mbeten një “sfidë serioze” në Shqipëri, veçanërisht kur bëhet fjalë për dhunën seksuale dhe përdhunimin, ku raportimi i këtyre krimeve rezulton në shkallë jashtëzakonisht të ulët”.

Raporti vëren se në të gjithë vendin ekziston vetëm një qendër e menaxhimit të krizës për rastet e dhunës seksuale dhe se ajo është përdorur në mënyrë të pamjaftueshme. GREVIO shprehet se ka një “nevojë urgjente” që autoritetet të ndërmarrin masa të mëtejshme dhe më të qëndrueshme për rritjen e ndërgjegjësimit dhe për të krijuar shërbime mbështetëse përkatëse.

Konventa e Stambollit kërkon që të ndalohet pjesëmarrja e detyrueshme në çfarëdo procesi alternativ të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, përfshirë ndërmjetësimin dhe pajtimin, në lidhje me rastet e të gjitha formave të dhunës ndaj grave të mbuluara nga konventa. Kjo dispozitë e Konventës buron nga parimi se dhuna ndaj grave është një manifestim i marrëdhënieve të pabarabarta të pushtetit, dhe se viktimat e një dhune të tillë nuk mund të hyjnë kurrë në proceset alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në baza të barabarta me dhunuesin.

Për këtë arsye raporti për Shqipërinë kërkon që “të trajtohet urgjentisht” praktika që parashikon zgjidhjen me marrëveshje, pa gjyq, për rastet e përdhunimeve dhe martesave të detyruara. Dokumenti i Grupit të ekspertëve, vlerëson se një sfidë e rëndësishme mbetet po ashtu dhe numri i lartë i rasteve të raportuara të dhunës ndaj grave, të cilat hidhen poshtë diku përgjatë rrugës së sistemit gjyqësor dhe nuk arrijnë kurrë një dënim.

Raporti kritikon faktin se vetëm viktimat që raportojnë një krim mund të marrin shërbime të specializuara mbështetëse. Për më tepër, sipas GREVIO-s, zbatimi i urdhrave urgjent të ndalimit dhe të mbrojtjes, dukshëm nuk i përmbushin angazhimet e autoriteteve, duke vërejtur kështu, se ka “mangësi të rëndësishme midis vullnetit politik për reformë dhe zbatimit të atyre dispozitave”, të cilat vazhduan të “minojnë besimin e viktimave”.

GREVIO u bën thirrje autoriteteve të kryejnë “reforma të rëndësishme” të sistemit të kujdesit shëndetësor, për të siguruar ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor gjithëpërfshirës për gratë dhe vajzat, përfshirë ato me probleme të shëndetit mendor. Sipas raportit, rrugët e standardizuara të kujdesit duhet të zbatohen jo vetëm për të siguruar identifikimin e viktimave, por edhe për hartimin e raporteve mjekësore që detajojnë dhunën e pësuar, duke evidentuar mangësi të rëndësishme në ofrimin e kujdesit të specializuar për viktimat e dhunës seksuale.

Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave, të cilat i përkasin vitit 2022, tregojnë se përgjatë atij viti, kanë raportuar dhunë në familje 1.371 gra. Bëhet fjalë për numrin e raportimeve të bëra në polici. Qarku që zë peshën më të madhe të grave të dëmtuara nga dhuna në familje është ai i Tiranës, i ndjekur nga qarku i Durrësit dhe Vlorës. Përkatësisht 34,1 % ndaj totalit të grave të dëmtuara i përkasin qarkut të Tiranës, 19,9 % Durrësit dhe 9,1 % Vlorës. Në vitin 2022, nga 42 vrasje të regjistruara me dashje rreth 26,2 % e tyre kanë ardhur si rezultat i vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare.

Që prej vitit 2006, kur në Shqipëri hyri në fuqi ligji i parandalimit të dhunës në familje, në të gjitha format e saj, mbi 33 mijë gra janë pajisur me urdhër mbrojtjeje nga gjykatat, ndërsa 611 persona janë arrestuar për dhunë në familje. Gjatë vitit të kaluar, për shkak të dhunës ekstreme, humbën jetën 11 gra, ndërsa, që nga viti 2010, në Shqipëri janë vrarë 159 gra./VOA

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Humbja në peshë dhe sjellja e pazakontë e Matthew McConaughey shqetëson fansat

Story i radhës

Të shtëna në zyrën në Moskë të shitësit më të madh në internet të Rusisë, duke vrarë 2 dhe duke plagosur 7

Të fundit nga

Istogu e fitoi ndeshjen e fundit të vjeshtës

Istogu ka fituar ndaj Besës në Pejë, të premten mbrëma. Ndeshja e mbetur e xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave përfundoi me rezultat 43:16 në
ShkoLartë