Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me largimin e Ligjin të Punës nga Programi Legjislativ, veçanërisht duke pasur parasysh ndikimin e këtij ligji në jetën e qytetarëve dhe në tregun e punës.
“Si DHTIK në vazhdimësi kemi përcjellur kërkesat dhe rekomandimet e tona me impute konkrete nga sektori privat dhe të njëjtat deri më tani nuk janë marrë parasysh. Duke u cilësuar si një nga ligjet më esenciale të vendit, DHTIK ka evidentuar shumë dispozita të cilat janë të paqarta dhe nuk specifikojnë marrëdhënien mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, andaj kemi kërkuar që Ligji i Punës të ndryshohet dhe plotësohet duke përfshirë rekomandimet konkrete në mënyrë që të kemi një ligj sa më funksional në praktikë”, thuhet në reagimin e DHTIK.
Sipas DHTIK, Ligji i Punës aktual ka shumë mangësi dhe si i tillë nuk është i përshtatshëm me rrethanat në të cilat operojmë. Andaj, DHTIK konsideron që së bashku me palët e interesit ky Ligj duhet të rishikohet në detaje, në mënyrë që të kemi një ligj funksional dhe të zbatueshëm duke marrë parasysh rëndësinë esenciale që ka.
“Gjithashtu shteti është duke mos respektuar ligjin aktual të punës sepse me ligj në Kosovë janë 8 orë pune dhe në orë pune nuk llogaritet pushimi. Orari aktual i punës është 08:00- 16:00, që i bie që në Kosovë punohet 7 orë në ditë apo 35 orë në javë, në kundërshtim me këtë ligj që është 40 orë për javë”, thuhet në reagim.
Po ashtu thuhet se “DHTIK kërkon që të na mbështetje që paga në Kosovë të bëhet për orë pune, ashtu siç është edhe në vendet e Evropës dhe të përcaktohet që pagesa të jetë për orë pune. Një vështirësi tjetër të cilën ne e kemi potencuar ndër vite është edhe Pushimi i Lehonisë, ku aktualisht barra kryesore për mbulim të pagës gjatë kohës kur lehona është në pushim i bie biznesit. Një gjë e tillë përveç se rëndon gjendjen e biznesit po ashtu ndikon edhe numrin e ulët të grave të cilat janë të punësuara në tregun e punës. Përveç tjerash në të gjitha vendet fqinje dhe ato evropiane barra e mbulimit të pushimit të lehonisë bie mbi shtetin dhe jo mbi biznesin. Duke mos harruar këtu edhe subvencionimet e ndryshime të cilat ipen për prindërit si lloj stimulimi për të ngritur natalitetin në vend”.
Më tej thuhet se Ligji aktual i punës ndikon drejtpërdrejt në përjashtimin e grave nga fuqia punëtore për shkak të diskriminimit gjinor në punësim, pasi jo të gjithë punëdhënësit pavarësisht dëshirës së tyre nuk mund të përballojnë përgjegjësinë financiare të pagesës së pushimit të lehonisë. “Ndërkohë, burrat nuk kanë të drejta të barabarta për të kaluar kohë me fëmijët e tyre. Ky ligj diskriminon drejtpërdrejt edhe baballarët, duke shkelur të drejtat e tyre të barabarta sipas Ligjit për Barazi Gjinore”.
Në fund Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë konsideron se shtyrja e mëtejshme e miratimit të amendamenteve në Ligjin për Punën do të rezultojë në vazhdimin e shkeljeve të të drejtave të grave dhe burrave në Kosovë.
“Andaj kërkojmë nga Qeveria që sa më parë të publikojë për diskutim Projektligjin e ri, të zhvillojë konsultime të gjera me të gjitha palët e interesuara dhe ta përfshijë këtë ligj thelbësor në kalendarin legjislativ të këtij viti”, thuhet në fund të reagimit.