Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan miraton rezolutën për vrasjen e vëllezërve Bytyqi

min lexim

Më 14 korrik, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan miratoi rezolutën për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, në vitin 1999-të në Serbi. Lajmi u publikua në faqen e internetit të Kongresit Amerikan.

Në rezolutën e propozuar nga Komisioni për Punët e Jashtme më 29 korrik të vitit të kaluar, në qëndrimin e Kongresit thuhet se “duhet të sillen para drejtësisë personat përgjegjës për vrasjet e shtetasve amerikanë në Serbi, Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi në korrik 1999”, dhe se SHBA-ja duhet të “sigurojë resurse të mjaftueshme për të ndihmuar dhe monitoruar plotësisht përpjekjet e Serbisë për të hetuar dhe ndjekur penalisht individë të tillë.”

Sipas pikës dy të rezolutës, është e papranueshme që asnjë individ nuk është shpallur ndonjëherë fajtor për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, apo për ndonjë krim tjetër që lidhet me vrasjen e tyre, dhe se asnjë individ nuk përballet aktualisht me akuza mbi këto krime.

Në pikën tre të rezolutës shkruhet se qeveria e Serbisë, ministritë dhe shërbimet e saj përkatëse, duke përfshirë Prokurorinë e Krimeve të Luftës të Serbisë, duhet t’i japin përparësi hetimit dhe ndjekjes penale sa më shpejt të jetë e mundur të zyrtarëve aktualë ose të mëparshëm që besohet se janë përgjegjës për vrasjen e tyre.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të sigurojnë burime të mjaftueshme për të ndihmuar plotësisht dhe monitoruar siç duhet përpjekjet e qeverisë së Serbisë, ministrive dhe zyrave të saj përkatëse për të hetuar dhe ndjekur penalisht sa më shpejt të jetë e mundur ata persona që besohet se janë përgjegjës për vdekjen e tyre, drejtpërdrejt ose tërthorazi.”, thuhet në pikën e katërt të rezolutës.

Në pikën e pestë apo të fundit, SHBA-ja thekson se progresi në zbardhjen e këtij rasti apo mos-zbardhja e tij duhet të jetë një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Serbisë.

Rezoluta u propozua nga kongresmeni republikan nga shteti i Nju Jorkut, Lee Zeldin dhe 423 kongresmenë votuan pro rezolutës, një ishte kundër, ndërsa gjashtë prej tyre nuk votuan.

Vëllezërit Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët e atëhershëm serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë.

Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyqi, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.

Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar në shkurt të vitit 2019 se vrasja e vëllezërve Bytyqi është një krim i rëndë dhe se Serbia po bën gjithçka që duhet për të hetuar rastin./rel

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kremlini dënon me burg aktivistin e opozitës ruse për lëvizjen e tij anti-Putin

Story i radhës

Sa u fut në det, ndjeu dhimbje në kraharor! Tre persona shpëtojnë 75-vjeçarin, i moshuari dërgohet në spital

Të fundit nga