Lideri i opozitës, Sali Berisha akuzoi Ramën se e ka shndërruar drejtësinë në polici sekrete politike për t’i shërbyer interesave të tij.
Teksa bëri një rezyme të vjedhjeve nga zyrtarët e mazhorancës dhe ato socialistë, Berisha tha se drejtësia nuk i heton, në një kohë kur tre drejtuesit e opozitës i burgos, me qëllimin e vetëm që Rama të sigurojë mandatin e katërt qeverisës.
FJALA E BERISHËS
Miqtë e mi, mund të citoj dhe të rendis këtu me orë të tëra vjedhjet e pafundme të Edi Ramës, Belinda Ballukut, Erion Veliajt. Mund të ndalem prapë te djegësi i Tiranës. Janë dhënë 130 mln e nuk gjenden gjurmët e tij kurrëkund me firma të Edi Ramës.
Mund të ndalem prapë te Porti i Durrësit, porti mijëravjeçar i shqiptarëve që Edi Rama e plaçkit. Rreth 4 mld, 1.4 mln m2 tokë publike me Albarin e tij për të ndërtuar parajsën për 15 breza. Me 12 500 apartamente, 6 hotele, etj.
Kurse shqiptarët gjobiten me 1 mld euro për të ndërtuan portin e ri me paratë e tyre, me taksat e tyre.
Mund të ndalem prapë te hajduti i Gjipesë, pasi ishte zotuar se ai dhe nëna e tij e ndjerë nuk kishin kërkuar kurrë një m2 tokë. Del se ai ka marrë në kundërshti me ligjet 224 mijë m2 tokë, ndër të cilat njërin nga 20 kanionët më të famshme të planetit, kanionin e Gjipesë ua rrëmbeu shqiptarëve.
Por miq, pra njeriu jo i lirë është një lloj skllavi, mbi të cilin qeveritë dhe pushteti bën çfarë do. Por ne jemi njëkohësisht njerëzit me drejtësi të mohuar, me drejtësi të shfrytëzuar gjer në palcë nga klika në pushtet. Me drejtësi të inkriminuar aq sa edhe bandat, aq sa edhe vrasësit, aq sa edhe trafikantët janë.
Një drejtësi në të cilën qytetari për të marrë një vendim duhet presë 14.8 vite. Në të cilën ku qytetari për të marrë një vendim duhet të paguajë qindra e mijëra, si kurrë ndonjëherë më parë. Me një drejtësi strofull e serialkillerave, e trafikantëve, e mafiozëve.
Me një drejtësi të shndërruar në policinë sekrete politike më të rrezikshme që regjistron nga mëngjesi në darkë kundërshtarët e kreut të narko-shtetit, qofshin ata demokratë, opozitarë, socialistë, apo çdo gjë tjetër. Merr përsipër pra, ato që dikur repartet më të zeza të sigurimit realizonin për Enver Hoxhën.
Me një drejtësi e cila, në vitin elektoral, dhe në arrest shtëpie në ndjekje penale, pas anjë fakt, pa asnjë provë, tre drejtuesi kryesorë të opozitës, burgosen politikisht vetëm e vetëm që Edi Rama të ketë të sigurt mandatin e katërt.
Të dashur miq, të gjitha këto janë motivet më të thella për çdo qytetar, për çdo të ri të këtij vendi, për çdo të re të këtij vendi, të ngrihen për të bërë atë që kanë bërë dritë gjithmonë në emër të lirisë, në emër të dinjitetit, në emër të të ardhmes.
Është e drejtë, është normale që sytë e shqiptarëve janë drejtuar tek të rinjtë shqiptarë me shpresë dhe besim do t’i japin Edi Ramës ndëshkimin që meriton.
Qytetarë dhe qytetare, koha nuk pret. Koha mëshirë nuk ka, ndaj dhe të ngrihemi sepse çdo orë dhe ditë që kalon është në favor të Edi Ramës dhe kundër opozitës.
Ndaj dhe, thirrja ime për të gjithë shqiptarët opozitarë, por çdo qytetar të zhgënjyer të këtij vendi të zhgënjyer pavarësisht nga bindjet politike, të ngrihemi!
Se po nuk u ngritëm sot, nesër më poshtë do të gjindemi. Të ngrihemi, të kthejmë kohën në anën tonë, të ecim drejt qeverisë teknike, fitores së sigurtë, ndryshimit të pushtetit, fitores së opozitës.
Shqipërisë dhe shqiptarëve iu duhet opozita dhëmbë për dhëmbë me qeverinë! Iu duhet opozita e guximit dhe e sakrificës. Iu duhet opozita që iu kthen votën e lirë shqiptarëve. Iu duhet opozita që iu kthen shpresën shqiptarëve, që i kthen Shqipërisë të ardhmen e saj. Vendos Shqipërinë në rrugën e ligjit, Kushtetutës, integrimit, fitores së saj.
Ndaj dhe, edhe njëherë, mirënjohje të pakufijshme ju, oratorëve të kësaj platforme.
Ju ftoj tani tani të trokasim në çdo derë, në çdo zemër dhe të dalim në shesh, të ndeshemi me të keqen, të fitojmë mbi të keqen.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria! Faleminderit!