Si përgjigje ndaj sanksioneve ekonomike të vendeve të Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë për shkak të agresionit ushtarak kundër një vendi sovran, Kremlini hapi front në zemër të Evropës dhe “mbylli rubinetat” për gazin. Me këtë, ngriti çmimet e energjisë në tregun botëror në lartësi astronomike, e ballafaqoi kontinentin me një krizë brutale ekonomike dhe recesion dhe vuri në provë solidaritetin evropian me Ukrainën, shkruan Vërtetmatësi.
Shkruan: Zoran Bojarovski
Solidariteti në dënimin dhe ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta për të sanksionuar lojërat e rrezikshme luftarake të Vladimir Putinit nuk është lëkundur aspak, por çmimet jashtëzakonisht të larta të energjisë dhe çështja nëse do të ketë apo jo, e sfidon rezistencën e Evropës ndaj varësisë nga energjia ruse, si dhe fushata dezinformuese që shoqëron këtë luftë energjetike, siç e përshkruan situatën Alex Munton, ekspert për tregjet globale të gazit në kompaninë konsulente Rapidan Energy Group.
Fushatat ruse të dezinformimit synojnë të minojnë mbështetjen evropiane për Ukrainën duke përmbysur debatin publik dhe duke imponuar narrativa disfatiste për të ardhmen e Evropës, kanë paralajmëruar disa eurodeputetë.
Në këtë reagim, eurodeputetja liberale franceze Nathalie Loiseau, kryetare e nënkomitetit të sigurisë së Parlamentit Evropian, tha se “fushatat keqinformuese me origjinë nga Rusia” kishin vazhduar për vite me radhë me intensitet “të projektuar për të larguar opinionin publik të BE-së nga mbështetja e Ukrainës dhe të refuzohet paketa e re e sanksioneve kundër Rusisë”.
Dezinformimi rus si shkas për tensione sociale
Kërcënimet nga dezinformatat ruse si shkas për tensione sociale në Gjermani, u njohën dhe u paralajmëruan nga kryetari i komisionit të kontrollit të Bundestagut, deputeti i Partisë së Gjelbër, Konstantin von Notz.
Juliana Smirnova, nga Instituti për Dialog Strategjik, në të njëjtin tekst të Deutsche Welle-s, thekson se aktivistët pro-rusë “e ngritën çështjen e mungesës së energjisë në Evropë në fillim të luftës dhe e paraqitën atë si pasojë e sanksioneve perëndimore dhe në përgjithësi si pasojë e solidaritetit perëndimor me Ukrainën”.
“Propaganda ruse përhap narrativën se gjermanët duhet të ngrijnë për shkak të Ukrainës”, thotë Smirnova
Më tej shton se:
“Tani që dimri po troket në derë, një narrativ i tillë ka potencial të madh për të arritur te njerëzit që kanë frikë dhe shqetësime legjitime”.
Për të përballuar tensionet sociale, Komisioni Evropian propozoi ndërhyrje të gjera për shpërndarjen e rreth 140 miliardë eurove, para të qytetarëve evropianë, që do t’u kthehen si mbështetje kompanive dhe familjeve.
Të gjitha vendet veç e veç krijojnë buxhetet e krizës. Mbretëria e Bashkuar njoftoi program shpëtimi prej 46 miliardë dollarësh, Suedia njoftoi më shumë se 20 miliardë dollarë garanci likuiditeti për kompanitë e saj energjetike dhe Gjermania, përveç masave për mbrojtjen e goditjeve sociale, ka filluar nacionalizimin e gjigantëve të mëdhenj të gazit energjetik.
Përveç këtyre masave të anëtarëve të BE-së, të cilat ndryshojnë nga vendi në vend, Komisioni Evropian shpalli më 14 shtator 2022, përmes Presidentes së saj, Ursula von der Leyen, paketën e masave që pritet të zbusin ndikimin e çmimeve të larta të energjisë, shkaktuar nga Rusia. Pikat kryesore të kësaj pakete janë: depozitimi i zakonshëm i gazit; 3 miliardë euro për të lehtësuar zhvillimin e teknologjisë së prodhimit masiv të hidrogjenit; program kursimi; taksa për kompanitë e karburanteve fosile, duke qenë se kriza aktuale u ka siguruar fitime të larta nga rritja e çmimeve të naftës dhe gazit dhe kufizim të çmimeve të energjisë elektrike – BE-ja propozoi kufizim të çmimit të shitjes me shumicë prej 180 €/MWh.
Kjo skemë pritet të sjellë rreth 140 miliardë euro të ardhura të tepërta, të cilat do të rishpërndahen tek konsumatorët e fundit të energjisë, pra tek më të rrezikuarit e industrisë dhe tek familjet.
Analistët e kujdesshëm të situatës dhe qasjes së Komisionit Evropian për t’u përballur me këtë situatë “ushtarake” me energjinë e shkaktuar nga Rusia, i kushtuan vëmendje të veçantë një theksimi në fjalën e Presidentes së Komisionit Evropian, kur ajo tha se situata aktuale ekspozon të gjitha dobësitë e tregut të energjisë elektrike në BE dhe se “ne kemi nevojë për model të ri të tregut të energjisë elektrike që vërtet funksionon dhe do të na sjellë sërish në ekuilibër”.
Kjo na sjell në mësimin më të rëndësishëm, të paguar shtrenjtë, se Evropa ka mësuar domosdoshmërinë e elasticitetit energjetik dhe pavarësisë nga Lindja.
Lufta në Ukrainë do të përshpejtojë Agjendën e Gjelbër Evropiane
Ekspertët e kësaj teme në vendin tonë thonë se Evropa do ta ketë të vështirë këtë dimër, ndoshta edhe atë të ardhshëm, ndërkohë që çmimet e gazit rus janë të tilla, por në pak vite kontinenti do të sigurojë pavarësinë e saj energjetike.
Shpjegimi ilustrues i kryetarit të Komisionit Rregullativ të Energjisë, Marko Bislimovski, tregon se çfarë janë çmimet e gazit dhe si janë bërë armë në luftën e Putinit dhe ndikimin e Rusisë.
“Kostoja e prodhimit të një mijë metër kub gaz për Gazprom në vitin 2020 ishte rreth 40 USD. Unë nuk besoj se kostot e tyre janë rritur në 2021 ose këtë vit. Këtu shtojmë koston maksimale të transportit, çmimi arrin deri në 100 dollarë për 1000 metër kub gaz siberian. Në fund të gushtit të këtij viti, çmimi i gazit të Gazprom arriti në 2900 dollarë për mijë metër kub. Kështu financohet lufta në Ukrainë”, thotë Bislimvski nga KRRE në një bisedë për nevojat për këtë analizë.
Edhe Mitko Andreevski, një nga konsulentët më me përvojë të energjisë në Maqedoni, është i mendimit se Evropa po shqyrton disa skenarë dhe do të gjejë një mënyrë për t’u përballur me këtë kërcënim.
“A do të ketë dëme? Do të ketë! A do t’ia dalë? Do t’ia dalë, sepse, të mos harrojmë, BE-ja e ka planifikuar dhe gradualisht po e zbaton Agjendën e Gjelbër, strategjinë për uljen e varësisë nga gazi natyror dhe përjashtimin e plotë të përdorimit të tij deri në vitin 2050”, thekson Andreevski.
Edhe Bislimovski thekson strategjinë afatgjatë të Evropës, d.m.th të BE-së, për të hequr qafe plotësisht varësinë energjetike nga Rusia me investime serioze në burimet e rinovueshme të energjisë, turbinat e erës dhe fotovoltaikët, ndërsa nëse ka ndonjë gjë të dobishme nga kjo situatë e krizës, është përshpejtimi i zbatimit të Agjendës së Gjelbër.
“Tani ka tendencë në rritje në investimin në bateri për të ruajtur energjinë elektrike të prodhuar nga fotovoltaikët dhe era. Kështu krijohen rezerva që do të shfrytëzohen kur të nevojiten”, sqaron kryetari i KRRE-së Bislimovski.
Ndër skenarët afatgjatë për dalje nga kriza, të cilat i përmend Andreevski, janë përfitimet shtesë për investime në ndërtimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme për energji elektrike dhe terminalet për LNG, përkatësisht gazin e lëngshëm. Gjermania tashmë po i ndërton, ndërsa në rajonin e Greqisë, përveç Aleksandropulit, është paralajmëruar një tjetër pranë Volosit.
Evropa nuk do ta falë Rusinë
E gjithë kjo paralajmëron ekuilibrin e ri në botë, i cili tashmë përfshin edhe anën ekonomike. Megjithëse ekonomia me logjikën e tregut dhe natyrën e parasë nuk njeh kufij ushtarakë dhe politikë, do të kalojnë ende shumë vite para se të vendoset ekuilibri që diktojnë këta faktorë. Por Evropa nuk do ta falë Rusinë për këtë dhe Rusia do të duhet të pranojë pasojat afatgjata të lejimit të vetes të gjunjëzojë kontinentin, i cili është tregu më i madh në pragun e saj.
“Rusia natyrisht i përket Evropës dhe në terma afatgjatë duhet të kthehet kah Perëndimi, por tani me këto çmime po e financon luftën. Por kur financon një luftë që fillon ta humbasësh, bëhet problem i veçantë. Rusia, me potencialin energjetik që ka, në kohë paqeje mund ta sundojë botën pa luftë, ndërsa kjo tani është dhunë”, konsideron Bislimovski.
Nga ana tjetër, thotë ai, Rusia që tani kthen dhe ndërton tubacione drejt Kinës, Pakistanit dhe tregjeve të tjera në lindje, nuk do t’u sigurojë atyre çmimet që ka vendosur tani në Evropë. Ato do të jenë shumë më të ulëta, siç është edhe çmimi i naftës që ata shesin në Indi.
“Evropa do të kthehet kah burimet tjera të mëdha energjetike si Azerbajxhani, Katari, SHBA, ndërsa Rusia do të bëhet koloni kineze kur Kina, si ekonomia me rritjen më të shpejtë, të hyjë masivisht në tregun rus dhe kjo, në terma afatgjatë, nuk është e opsion i zgjuar”, parashikon Bislimovski.
Në luftën me dezinformimin dhe energjinë, mënyra më e mirë për ta bërë të paefektshme armën e re të Putinit – energjinë, është integrimi i Evropës në një rrjet të përbashkët për sigurinë energjetike, sipas analistëve të një prej revistave më të vjetra në SHBA “The Atlantic“. Është një nga prioritetet dhe kushtet e nevojshme për të mundësuar funksionalitetin e plotë të Aleancës së Veri-Atlantike, NATO, në botën që po ndryshon para syve tanë për të mundësuar mbrojtjen e vendeve anëtare.
Lufta energjetike – Rasti i Maqedonisë: Më e shtrenjta është ajo energji që mungon
E derisa lufta me dezinformatat po merr vrull dhe po përhapet në të gjithë Evropën Juglindore dhe veçanërisht në Ballkan, në pritje të dimrit të gjatë “të ftohtë”, të cilin as politikanët në vend nuk e fshehin se është përpara nesh, Maqedonia e Veriut nuk është vëzhgues i heshtur.
Se sa efektive do të jenë masat dhe politikat e marra për zbutjen e goditjes, mbetet e paqartë, sepse ka shumë pyetje të hapura dhe çdo ditë po dalin të reja.
Para se të shohim se çfarë e pret Maqedoninë dhe nëse vendi ynë do t’i pranojë ndryshimet që rezultojnë të nevojshme dhe që Evropa po i paguan kaq shtrenjtë, një pasqyrë e shkurtër e situatës në rajon thotë se në mjedisin tonë gjeografik Greqia do të përballet më së miri me krizën energjetike. Konsulenti i energjisë Mitko Andreevski përmend dy arsye.
“E para, sepse është i vetmi vend i BE-së që nuk ka, dhe me shumë gjasa nuk do të ketë kufizime dhe nuk i nënshtrohet detyrimit për uljen e përdorimit të gazit dhe kursimin e energjisë elektrike me 15 për qind të vendosur nga BE-ja. Arsyeja e dytë është vendndodhja gjeografike e Greqisë. Temperatura mesatare gjatë dimrit është pakrahasueshme më e lartë në krahasim me Gjermaninë apo Suedinë, për shembull”, thotë Andreevski.
Përveç kësaj, edhe në një krizë të tillë, shpjegon Andreevski, Greqia ka tepricë të energjisë elektrike dhe është eksportuesi më i madh në rajon. Kjo vjen nga fakti se vitet e fundit Greqia ka ndërmarrë një nismë serioze për ndërtimin e objekteve energjetike, para së gjithash, një numër të madh fotovoltaikësh dhe termocentralesh me gaz për të cilat ka kapacitete gazi nga burimet e veta dhe rezervat në porte, si dhe gjithashtu për shkak të lidhjes me Azerbajxhanin nëpërmjet TAP-it, duke pasur kështu kapacitetin për të marrë dhe ruajtur sasi të mëdha gazi natyror dhe për ta shndërruar atë në energji elektrike, pavarësisht nga gazi që e merr nga Rusia.
Ndër vendet e tjera, Serbia po përballet me mungesë të energjisë elektrike, por në periudhën e fundit kemi parë një angazhim intensiv energjetik-diplomatik të presidentit serb Alksandar Vuçiq, i cili vendosi kontakte me Azerbajxhanin dhe u takua me Erdoganin për të njëjtën temë dhe ndoshta do të ketë vizitë në Bullgari.
Të mos harrojmë se në Bosnje dhe Hercegovinë ka kapacitete të konsiderueshme për prodhimin e energjisë elektrike dhe me lidhjen me Republikën Serbe dhe me mbulim 100% të gazit natyror, për shkak të marrëveshjes me Rusinë, me çmim konkurrues, Serbia nuk do të ketë kufizime në rrymë gjatë dimrit, beson Andreevski.
Bullgaria është gjithashtu një eksportues i energjisë elektrike, prandaj Maqedonia e Veriut dhe Kosova pritet të jenë më të prekurat. Maqedonia e Veriut do të jetë një nga vendet më të goditura në rajon, parashikon Andreevski.
Maqedonia mes skenarit më të keq dhe më pak të keq
Ekspertët thonë se kur përballesh me një njoftim të tillë, kur bëhet fjalë për energjinë, bëhet gjithmonë skenari më i keq, projektohen parashikime ekstreme për të pasur një ide të qartë se cilat janë pritshmëritë dhe cilat hapa duhen marrë.
Për Maqedoninë gjendja më e keqe që mund të ndodhë është që të mos kemi qasje në gaz natyror dhe në atë rast do të vihet në pikëpyetje furnizimi i Shkupit me energji termike dhe në vend të gazit natyror do të duhet të përdoret mazut, i cili mund të zëvendësojë gazin në termocentralet, përveç te TE-TO që operon ekskluzivisht me gaz.
“Nëse “nuk kemi” gaz natyror për ato kompani në industrinë tonë që e përdorin atë si energji, do të ketë probleme serioze dhe do të duhet ta zëvendësojnë atë me karburant ekstra të lehtë, naftë ose me mazut, nëse kjo është e mundur”, paralajmëron kryetari i Komisionit Rregullativ për Energjetikë, Bislimovski.
Për të larguar kontrastin dhe për ta bërë më të qartë pamjen, gazin e përdorin kompanitë e TIRZ-ve, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë investitorë të huaj, pjesë e kompanive më të mëdha në Shkup, ku bëhet fjalë për kompanitë eksportuese, si p.sh. , Alkaloid, Maxtil dhe të tjera, përndryshe, kryesore nga të cilat mbushet BPV-ja dhe të cilat nëse kanë probleme ose nëse u rriten kostot operative, do të na përballen me pasoja të rënda ekonomike.
Problemi tjetër, përveç atij që mund të shkaktojë ndërprerjen e furnizimit me gaz, është edhe energjia elektrike, pra fakti që ne me kapacitetet tona nuk plotësojmë nevojat totale me këtë energji në vend dhe kjo do të na përballë me problemin tonë të vjetër të ngarkesës në linjën e sistemit transmetues dhe me ndërprerje të shpeshta, sepse rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike nuk është i projektuar për ngrohje me energji elektrike.
EMV njoftoi se do të sigurojë nevojat për amvisëri dhe konsumatorë të vegjël, por ka një numër të madh të kompanive që janë në tregun e lirë. Furnizuesit e këtyre kompanive u sigurojnë energji elektrike të importuar nga tregu i lirë, por tashmë është dukshëm më e shtrenjtë dhe kjo e bën shumë më të “shtrenjtë” ndihmën që qeveria do të tentojë të japë përfundimisht me subvencione ose në mënyra tjera.
Konsulenti për energjetikë Mitko Andreevski thotë se është mirë për Maqedoninë në këtë drejtim që në fqinjësi të kemi Bullgarinë, e cila ka eksport serioz të energjisë elektrike dhe me të cilën po bëhen përpjekje që energjia elektrike të sigurohet me çmim të arsyeshëm, që në masë të madhe mund të përcaktohet nga kufiri më i lartë që Komisioni Evropian ka propozuar të jetë 180 euro/MWh.
“Problem me importin mund të ketë nëse ka mungesë të tepricës së energjisë elektrike në tregun në Evropë për shkak të situatës së luftës. Është një skenar disi i pamundur, por që duhet konsideruar si një skenar i keq. Në një rast të tillë mund t’i kemi të gjitha paratë e botës, por nëse nuk ka rrymë, është e kotë”, thotë bashkëbiseduesi ynë Andreevski.
Andreevski sqaron se problemi në këtë skenar është se Franca, nga eksportues i energjisë elektrike, u bë e varur nga importi për shkak të problemeve me disa termocentrale bërthamore në të cilat mbështetej ky shtet, i cili tani po përballet me tregun evropian të energjisë elektrike.
Ndër faktorët vendas dhe të huaj që ndikojnë në qëndrueshmërinë energjetike të Maqedonisë së V.
Sa i përket gazit, për momentin ai po vjen, por shpata e Damokleut qëndron gjithmonë mbi kokë në formën e një rubineti mbi të cilin qëndron dora e Gazpromit, pra e Kremlinit.
Dy operatorë kryesorë komercialë në vend importojnë gaz natyror – Makptetrol dhe TE-TO, ku TE-TO blen ekskluzivisht për nevojat e termocentralit të tyre kogjenerues në vend, ndërsa Makpetrol furnizon industrinë nga shkurti dhe deri në BEG. Ai gaz vjen nga Gazprom nëpërmjet Turk Stream dhe është gaz rus.
Kjo zbulon një situatë paradoksale në të cilën ndodhet vendi ynë, i cili vazhdon të marrë gazin rus nga Gazprom edhe në këtë gjendje ekstreme të jashtëzakonshme.
Bislimovski nga KRRE e shpjegon këtë me konsumin e ulët të gazit, që për Gazpromin është pikë në oqean.
“Vitin e kaluar kemi pasur konsum rekord të gazit prej 427 milionë metër kub. Kjo është një pikë në oqean për Gazprom. Sa për ilustrim, Serbia tani ka rezerva të gazit natyror prej 660 milionë metra kub gaz, dhe kjo është sasia për vetëm dy muaj. Nuk kemi konsum të konsiderueshëm të gazit. Po të mos ishte TE-TO do të na duheshin 130-140 milionë metra kub gaz”, sqaron Bislimovski.
Kryetari i KRRE-së, Bislimovski, thotë se edhe pse “jemi të sigurt deri në fund të vitit, por, për fat të keq, asnjëherë nuk kemi arritur të sigurojmë kapacitete për të mbuluar plotësisht nevojat e brendshme me energji, veçanërisht me energji elektrike, dhe kjo na bën të varur nga disa faktorë të jashtëm”.
“Nëse Rusia e ndërpret përfundimisht gazin, do të kemi problem serioz sepse në atë rast nuk do të mund të shfrytëzojmë potencialin e TE-TO-s, sepse ky termocentral me kogjenerim, përveç “avullit” për Shkupin, prodhon edhe energji elektrike dhe punon vetëm në gaz. Pavarësisht se është një kompani e huaj dhe private, TE-TO duhet të punojë pa ndërprerje, sepse siguron energji të lirë termike dhe nga pikëpamja teknike ndikon mirë në sistemin elektroenergjetik sepse ul presionin nga konsumi më i lartë i energjisë elektrike”, thekson Bislimovski.
Paralajmërimi i Bislimovskit duhet marrë shumë seriozisht sepse TE-TO furnizohet me gaz nga disa kompani filiale të Gazpromit dhe nëse ndodh që Gazprom, gjegjësisht Ministria e Mbrojtjes e Rusisë të ndalojë rrjedhën e gazit, do të kemi problem serioz në vend për shkak të TE-TO dhe për shkak të termocentraleve në Shkup, sepse do të duhet të kalojnë në mazut, gjë që do të rihapë çështjen e ndotjes së ajrit, të cilën, me sa duket, do të duhet ta gëlltisim nëse duhet të pranohet dhe të realizohet skenari më i keq.
I pyetur se çfarë duhet bërë dhe nëse pakoja financiare prej 350 milionë eurosh e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është e mjaftueshme për të dalë nga skenari më pak i keq, Bislimovski thotë:
“Duhet të dihet se sipas këtyre çmimeve që tani janë në tregun e gazit, vetëm për termocentralet në Shkup do të na nevojiten rreth 200 milionë euro, kurse për naftë diku nga 50 deri në 60 milionë euro”.
Në këtë drejtim, Bislimovski edhe një herë thekson se tani është më e rëndësishme të sigurohet lëndë e parë për prodhimin e energjisë elektrike, gjegjësisht thëngjill dhe naftë e mjaftueshme dhe shteti të përpiqet të gjejë gaz natyror më të lirë.
“Ai gaz mund të na vijë nga Greqia si LNG, gjegjësisht gaz i lëngshëm, pastaj gaz natyror, supozoj nga Katari, nga Algjeria, gaz nga Azerbajxhani nga TAP, ndërsa ka edhe gaz rus nga furnizuesit privatë në këtë vend”, informon Bislimovski.
Terminali i gazit Aleksandropolis, investimi i Maqedonisë për pavarësinë nga lindja
Situata në të cilën gjendet Maqedonia, nga keqpërdorimi i potencialeve energjetike ruse si armë në politikë dhe lufta në Ukrainë, hapi pyetje thelbësore shtesë për strategjinë e vendit tonë për pavarësinë e saj energjetike si perspektivë e vetme korrekte.
Në dy-tre vitet e fundit janë paralajmëruar investime në kapacitete të mëdha në impiantet fotovoltaike dhe me erë dhe në vend kanë hyrë dy kompanitë më të mëdha të energjisë së rinovueshme, PVD e Gjermanisë me fermën më të madhe të erës në rajon dhe Akio Energy nga Franca në energji diellore, gjithashtu më i madhi në rajon, dhe deri në fund të vitit do të përfundojë vlerësimi i ofertës së investitorit të vetëm dhe përfundimtar për ndërtimin e projektit Chebren të konsorciumit grek PPS, pas çka pritet nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtim.
Megjithatë, ajo që është dekurajuese është realizimi i këtyre projekteve të mëdha. Projekti HEC Chebren, i cili lindi si ide në vitin 1963, më në fund arriti në fazën e dytë, pasi dështuan 13 apo 14 tendera.
Ky lloj shqetësimi kërcënon të pasqyrohet në pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në projektin Aleksandropolis, i cili përfshin dy mega-nënprojekte – terminalin e gazit për LNG, gjegjësisht gazin e lëngshëm nga SHBA, Katari, Egjipti dhe vende të tjera dhe termocentrali me gaz deri në terminalin me kapacitet 800 megavat/orë, të cilat sipas planit të biznesit të investitorëve duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2024.
Maqedonia e Veriut u ftua që në fillim të këtij projekti të madh, i cili mbështetet nga BE-ja me 167 milionë euro, të jetë partner, përkatësisht aksioner, por Qeveria e Dimitar Kovaçevskit, pasi kryeministri i mëparshëm Zoran Zaev filloi procedura, nuk ndërmori hapa më konkretë dhe e gjithë procedura mbeti në memorandume të panumërta të nënshkruara dhe synime për pjesëmarrje pa marrëveshje konkrete, përveç marrëveshjes së blerjes së gazit.
Projekti i Aleksandropolis nuk është vetëm terminali i gazit dhe sasitë që duhet të jepen me qira aty, por bëhet fjalë edhe për një impiant gazi si impiant energjetik me kapacitet 800 megavat i cili do të përfundojë në vitin 2024.
Për qëllime të kësaj analize, morëm informacion nga EMV se terminali i gazit në Aleksandropolis, i cili filloi të ndërtohet në maj të këtij viti, AD EMV do të marrë me qira 10 për qind të kapacitetit, pra tashmë është nënshkruar marrëveshje për të njëjtën. Kapaciteti i terminalit të gazit do të jetë 5.5 miliardë nm3, nga të cilat AD EMV, pra Maqedonia e Veriut do të marrë me qira 10 për qind, gjegjësisht 500 milionë nm3 gaz nga kapaciteti i përgjithshëm i terminalit. Konsumi vjetor i gazit në vendin tonë është afërsisht 400 nm3, që do të thotë se shteti jo vetëm që ka nevojë për atë sasi, por me të vetëm nga Aleksandropolis do të sigurojë furnizim të përhershëm dhe të sigurt me gaz jorus, pra do të zgjidhet varësia nga gazi i Gazprom-it. , domethënë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Kjo është e rëndësishme edhe për faktin se kërkesa do të rritet, nëse kemi parasysh se programi zhvillimor i SHA EMV parasheh ndërtimin e termocentralit me gaz në zonën e TEC Manastir, termocentral me gaz në Energetikën-Shkup, një konvertim i mundshëm i TCE Negotinë nga naftë në gaz ose ndërtimi i një termocentrali krejtësisht të ri me gaz pranë atij ekzistues në Negotinë.
Duke pasur parasysh vendndodhjen që kemi si shtet dhe vendosjen e një lloj udhëkryqi, me pjesëmarrjen tonë në Aleksandropolis, hapet mundësia edhe përmes Maqedonisë, me interkonektorë shtesë për të realizuar furnizimin me shtetet, mbi të gjitha Shqipërinë dhe Kosovën, dhe në këtë mënyrë si vend tl arrijmë fitime të konsiderueshme.
Por, kjo marrëveshje e EMV nuk do të mund të zbatohet nëse shteti ynë, nëpërmjet Burimeve Kombëtare të Energjisë (BKE), nuk nënshkruan marrëveshjen për të blerë 10 për qind të aksioneve në terminalin e gazit dhe në këtë mënyrë të fitojë pronësinë e pjesshme në vetë terminalin si infrastrukturë .
Këtë mundësi në vitin 2020 e arriti kryeministri i mëparshëm Zaev, i cili kërkoi pjesëmarrjen e vendit tonë në këtë projekt me faktin se pesë aksionerët DEPA (kompania shtetërore greke për ndërtimin e infrastrukturës së gazit), Bulgartransgas (kompania shtetërore për shpërndarjen e gazit), Gaslog (kompani private e transportit me anijet të LNG), Kopeluzos (një kompani private për tregtinë e gazit dhe infrastrukturën e gazit) dhe DESFA (kompani shtetërore e shpërndarjes së gazit), si bashkëaksionarë, ranë dakord të heqin dorë nga 2 për qind të aksioneve të tyre për Maqedoninë, gjegjësisht për BKE, shoqëri aksionare shtetërore për kryerjen e veprimtarive energjetike.
E pyetur se pse kjo kontratë është vonuar për dy vjet, BKE është përgjigjur:
“Negociatat janë duke u zhvilluar për harmonizimin e tekstit të marrëveshjes së interkonjeksionit ndërmjet Gama (shpërndarësit maqedonas të gazit) dhe Bulgartransgas, e cila do të nënshkruhet shumë shpejt. Negociatat janë duke u zhvilluar për harmonizimin e udhërrëfyesit ndërmjet BKE dhe Bulgartransgas, e cila shpresojmë gjithashtu të nënshkruhet shumë shpejt dhe me këtë ne përcaktojmë të gjitha drejtimet tona të mëtejshme të bashkëpunimit, në interes të të dy sistemeve të shpërndarjes së gazit natyror”.
Sigurisht ka pasur shumë për t’u harmonizuar dhe shumë “do të”, por duhet të besojmë se së shpejti do të kemi nënshkrim të kontratës që do të zyrtarizojë më në fund pjesëmarrjen konkrete të vendit tonë në projektin e Terminalit të gazit Aleksandropolis.
Siç thamë, kjo marrëveshje do të varet nëse do të realizohet marrja me qira nga AD EMV për 500 milionë metër kub gaz, sepse është e lidhur me 10 për qind të pjesëmarrjes sonë në terminalin me vlerë 37 milionë euro.
EMV thotë se vlera e gazit të marrë me qira prej 500 milionë metër kub për nevojat tona do të jetë 9.8 milionë euro në vit dhe ato mjete do të jenë pjesë e çmimit të gazit, pra do të përfshihen në të dhe do të kthehen përmes shitjes së gazit, gjegjësisht nuk do të ketë implikime financiare, por do të ketë kthim të fondeve të investuara në qira.
EMV gjithashtu na informoi se sa i përket termocentralit të gazit në Aleksandropolis, është nënshkruar një memorandum ndërmjet EMV dhe palës greke për projektin, por nga Qeveria e RMV-së nuk është marrë asnjë vendim për nënshkrimin e kontratës.
“Është një projekt i mirë”, thotë kryetari i Komisionit Rregullativ për Energji, Bislimovski
Konsulenti për energji Andreevski rekomandon më shumë proaktivitet në këtë projekt dhe thekson:
“Ishim ndër të parët të ftuar për të marrë pjesë në atë projekt, i cili mbështetet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara”.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë të lidhura energjikisht me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së
Në ndërkohë, në mesin e tetorit 2022, kompania shtetërore bullgare e shpërndarjes së gazit “Bulgargtransgas” njoftoi se së bashku me GAMA, kompaninë shtetërore maqedonase për transmetimin e gazit, kanë filluar procedurën për lidhjen e marrëveshjes për interkonektorin e Qustendil/Zhidilovo, në anën e Maqedonisë, për të bërë të mundur shpërndarjen e gazit.
Kjo do të thotë se përveç bartjes së gazit rus nga Gazprom, GAMA tashmë do të mund të sjellë gaz nga Greqia në vendin tonë përmes interkonjektorit që u krijua nga Bullgaria dhe Greqia më 1 tetor, në një ceremoni ku mori pjesë edhe presidenti Stevo Pendarovski.
Përmes kësaj lidhje dhe lidhjes së vendit tonë me Bullgarinë me interkonektorin Qustendil/Zhidilovo, Maqedonia e Veriut do të mund të marrë gaz natyror nga Azerbajxhani, Katari dhe vende të tjera, si dhe LNG, gjegjësisht gaz të lëngshëm, nga SHBA, Katari dhe burime të tjera nga terminali i gazit në Aleksandropolis.
Në një farë mënyre, interkonektori Qustendil/Zhidilovo do të dyfishojë nevojat dhe rëndësinë e lidhësit tonë me Greqinë, dhe përvoja tregon se alternativat janë të nevojshme, kështu që kjo nismë është jashtëzakonisht e mirëpritur.
Këtij vendimi të Bulgartransgas, gjegjësisht Republikës së Bullgarisë, i ka paraprirë vizita e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Athinë, Jeffrey Pyatt, në Sofje për të “përshëndetur vendimin e qeverisë atje” për përpjekjet e tyre për të ulur varësinë nga energjia ruse.
Përveç kësaj, ambasadori Payat tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara “po mobilizojnë burimet e tyre energjetike për të ndihmuar Evropën“.
Kur i lidh pikat “Payat në Sofje”, “Ursula von der Leyen në Shkup me një paketë për mbështetje energjetike të vendit”, të krijohet përshtypja se Maqedonia e Veriut dhe rajoni janë vënë në fokusin e vëmendjes së SHBA-së dhe BE-së në strategjinë energjetike të pavarësisë nga Rusia.
Depërtimi i dezinformatave në luftën energjetike në Maqedoni
Në ndërkohë, paralelisht me luftën ekonomike për sigurimin e gazit për një periudhë më të gjatë apo “për alternativa të tjera, naftë dhe qymyr”, edhe Maqedonia është bërë cak i dezinformatave lidhur me sektorin energjetik për të minuar dhe plotësisht lëkundur besimin e publikut në masat dhe politikat e qeverisë dhe institucioneve kompetente për tejkalimin e kërcënimeve nga kriza energjetike.
Kështu, për shembull, partia më e madhe politike opozitare në Maqedoni në fillim të luftës në Ukrainë dhe kur ishte e qartë se po vinte një krizë serioze energjetike dhe recesion ekonomik, mori qëndrim kritikues vetëm për të fituar pikë politike nga kriza.
Pikërisht kjo parti, në mesin e janarit të këtij viti, më pak se tridhjetë ditë pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe kur u bë e qartë se gazi rus po bëhet armë në atë luftë, doli me një deklaratë në të cilën pretendonte se:
“Derisa qeveria e Zaevit dhe pionit Kovaçevski do të përpiqeshin të siguronin në tregun ndërkombëtar, si të gjitha qeveritë e rajonit dhe botës, gaz të lirë, kompanitë dhe qytetarët maqedonas nuk do ta paguanin gazin më të shtrenjtë tani. Qytetarët tani paguajnë më shumë për gazin, sepse qeveria nuk ka siguruar çmime të ulëta të gazit, kur kanë bërë qeveritë e shteteve të tjera”.
Kundërspini i Vërtetmatësit “Çmimet e larta të importit të gazit nuk lidhen me aftësitë negociuese të qeverisë“, hodhi poshtë dezinformatat e plasuara në njoftim, “sepse edhe pse zyrtarisht dhe ligjërisht qeveria negocion çmimin e gazit me rusët, megjithatë, rolin dhe ndikimi i saj në çmim, sipas arsyeve të mësipërme, është shumë i vogël. Më shumë bëhet fjalë për përpjekje për të ndikuar palën ruse në situatën gjeopolitike në rajon, se sa për negociata reale ekonomike përmes të cilave pala maqedonase do të kishte njëfarë ndikimi në çmim”.
Dinamika e dezinformimit u intensifikua me fillimin e luftës dhe me avancimin fillestar të forcave pushtuese ruse në territorin e Ukrainës, kur Rusia, në përgjigje të sanksioneve ekonomike dhe politike kundër Moskës, vendosi të ndërpresë furnizimin me gaz për disa vende evropiane, përfshirë Bullgarinë.
Menjëherë pas kësaj, pasuan më shumë dezinformata apo gjysmë të vërteta, si lajmi i datës 20 mars me titullin “Maqedonia do të mbetet pa gaz? – Dërgesa vihet në rrezik, Bullgaria heq dorë nga gazi rus”.
Karakteristikë për këtë lloj dezinformimi është se përveç titullit, në përmbajtjen e informacionit, nuk bëhet fjalë fare për Maqedoninë, por për Bullgarinë dhe për gjendjen e saj në të cilën do të gjendet nëse ndërpritet gazi nga Rusia dhe për reagimin ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në lidhje me këtë çështje, i cili thekson se ndërprerja e gazit për Bullgarinë nuk pengon transitin e gazit për vendet e tjera që kanë marrëveshje me Gazprom.
Edhe një televizion kombëtar mori përsipër të dezinformojë me informacione gjysmë të sakta apo jo të plota. Në videon e bashkangjitur në portalin e tyre, e publikuar me titullin “Rusia i ndal çezmat e gazit për Bullgarinë, Maqedonia tani për tani ka gaz, por pyetja është deri kur” në plan të parë vihet informacioni se gazi për Bullgarinë është ndërprerë, ndërsa në sfond fakti thelbësor se përderisa Federata Ruse nuk merr vendim për ndalimin e furnizimit të gazit natyror në Maqedoni, ai do të dërgohet vazhdimisht dhe rregullisht në vend, sepse gazsjellësit janë vetëm kanale rrjedhëse për sasitë e dakorduara për vendet që kanë kontratë me Gazprom, ose ndonjë furnizues tjetër nga Rusia.
Si sfond, kur bëhet fjalë për dezinformimin si mjet propagande në Maqedoninë e Veriut, duhet të merret parasysh studimi i Parlamentit Evropian i publikuar në vitin 2021, “Mapping Fake News and Disinformation in the Western Balkans and Identifying Ways to Effectively Counter Them“. Ai konkludon se “ndonëse gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi merren në kontekstin e kërcënimeve të jashtme për funksionimin e qeverisjes dhe demokracisë, ky studim tregon se aktorët e huaj nuk janë fajtorët më të spikatur, por se ka edhe vendas”.
Lidhur me dezinformatat në atë kontekst, duhet parë edhe qasja e Mitko Andreevskit në tekstin e tij “Kriza ukrainase dhe gazi rus si armë për qëllime politike” në revistën “Sfidat” e qershorit 2022, botuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, në të cilën ai thekson se pavarësisht përfitimeve të jashtëzakonshme që dalin nga projekti “Aleksandropolis” për Maqedoninë për diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz “ai është ‘bombarduar’ me lajme të rreme, shifra dhe përqindje të gabuara, parashikime të gabuara për çmimin e gazit, gënjeshtra se projekti nuk është i bazuar në studim fizibiliteti, se është shumë i shtrenjtë etj“.
Në kushte të një lufte reale dhe mizore në tokën e Evropës, “bombat” nga lajmet e rreme kanë motive të njohura, nga rrethe të caktuara në shoqërinë tonë, shkruan Andreevski në artikullin e tij në revistën “Sfidat”.
Për atë se Maqedonia edhe në këtë luftë energjetike është cak i vazhdueshëm i kërcënimeve hibride jashtëzakonisht serioze nga Rusia që përfshijnë propagandë politike dhe fushatë dezinformuese, thekson edhe presidenti Pendarovski.
Në një intervistë për gazetën greke “Ethnos”, Pendarovski thotë se fushata e dezinformimit është komplekse dhe me të njëjtin intensitet si në vitin 2018, gjatë referendumit pas Marrëveshjes së Prespës.
Pikat e brishta në rajon janë të njohura mirë për Moskën dhe sigurisht që po përpiqet të depërtojë, thekson presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski për gazetën greke “Ethnos”.
Situata në të cilën ndodhet Maqedonia, nga keqpërdorimi i potencialeve energjetike ruse si armë në politikë dhe lufta në Ukrainë, e përforcuar nga dezinformata, hapi pyetje thelbësore shtesë për strategjinë e vendit tonë për pavarësinë e saj energjetike si perspektivë e vetme korrekte, si dhe për krijimin e një strategji dhe plan autentik për të luftuar fushatat e dezinformimit.
Pavarësisht nëse këto fushata vijnë nga Rusia, nga vende të tjera të botës, apo edhe nga gjeneruesit vendas të dezinformatave, nuk duhet harruar kurrë se këto janë mbi të gjitha veprime antidemokratike dhe destabilizuese.
Burimi: portalb.mk