Gjysmë kilogramë lëndë eksploziv e llojit C4 ishte vendosur në makinën e Aleksandër Sadikajt, që vdiq një ditë më parë. Lënda plasëse u aktivizua në distancë, kur mjeti po lëvizte në dalje të Tiranës.
Hetimet kanë nxjerrë një tjetër detaje nga ngjarja që tronditi të shtunën kryeqytetin. Sadikaj ishte i armatosur, ç’ka shton dyshimet se ai ndihej i kërcënuar. Por arma nuk i shërbeu, pasi atentatorët kishin llogaritur një plan më të sofistikuar mafioz.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton se një mjetin tip “Volswagen”, që u dogj plotësisht, policia ka gjetur një armë zjarri pistoletë bashkë me një krëhër të mbushur. Për shkak të shpërthimit, arma është dëmtuar, por gjithsesi është dërguar në laborator për ekzaminim.
Megjithatë, policia nuk është ende e sigurt nëse 27-vjeçari ishte objektiv i sulmit pasi mjeti në të cilin u vendos lënda plasëse nuk ishte në emrin e tij. Por, për zbardhjen e ngjarjes policia është fokusuar tek e shkuara kriminale e viktimës.
Një grup hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes në bashkëpunim me familjarë të viktimës për të ndërtuar një hartë të lëvizjeve me makinë që 27-vjeçari ka bërë ditët e fundit për të zbuluar momentin kur në mjet pas gomës së përparme ishte vendosur eksplozivi, i cili dyshohet se ka qenë i telekomanduar. Autorët dyshohet se e kanë ndjekur në distancë 27-vjeçarin dhe kur mjeti i tij ka qenë në autostradën Tiranë-Elbasan dhe pranë tij nuk ka pasur mjete të tjera e kanë shpërthyer.
Top Channel ka mundur të sigurojë pamje të momenteve të para pas shpërthimit ku i riu ka dajë jashtë mjetit në flakë dhe gjymtyrët e poshtme i janë prerë nga shpërthimi. Kalimtarë të rastit e ndihmuan 27-vjeçarin duke e transportuar drejt spitalit të traumës aty ku mbërriti pa shenja jete.
Aleksandër Sadikaj me origjinë nga Berati e ndante jetën mes Tiranës ku jetonte së fundmi dhe Memaliajt ku kishte ndërtuar një biznes agroturizmi prej më shumë se 1 viti.
27- vjeçari, prej vitit 2011 rezulton të të jetë arrestuar 5 herë nga policia për vjedhje plagosje, tentative vrasje dhe kundërshtim dhe mosbindje ndaj policisë.
Konfliktin më serioz e ka pasur në Sarandë në korrik të vitit 2019 kur për motive të dobëta është konfliktuar me një person duke e plagosur rëndë me thikë.
Burime nga policia thanë se i riu dyshohet i implikuar edhe në trafikun e narkotikëve dhe rezulton se këtë aktivitet e kryente dhe në Greqi ku udhëtonte shpesh.