Shqipëria bëhet pre e një tjetër sulmi kibernetik nga Irani që nisi mbrëmjen e 9 shtatorit 2022.
Prej mbrëmjes së 9 shtatorit 2022 ka rënë sistemi TIMS dhe në të gjitha pikat kufitare janë krijuar radhë.
“Problemi ka nisur të premten e 9 shtatorit ora 22:00 kur fillimisht sistemi ka pasur ngecje, dhe është dashur fikja e ndezja e tyre. Ngecja dhe ngadalësimi ka nisur deri në orën 23:00 kur ka qenë e pamundur për të hyrë në sistem” informon gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj.
Deri në këto momente në të gjitha pikat kufitare po punonet me regjistra. Ora News mëson se të gjithë policëve të kufirit u është kërkuar të dalin në punë me qëllim që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve nëpër pika kufitare.
Ekspertët e IT në qeverinë Rama por dhe në ndihmë të ekspertëve të huaj po punojnë për rikthimin e sistemit.
Nuk dihet dëmi që është shkaktuar nga sulmi kibernetik.
Çfare ndodhi?
Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Teheranit janë përkeqësuar ndjeshëm pasi autoritetet shqiptare u pajtuan – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) më 2013.
Zyrtarët iranianë i konsiderojnë pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë.
Pas sulmit kibernetik të muajit korrik, Ambasada amerikane në Shqipëri pati ngritur alarm për një kërcënim të mundshëm, që është thënë se ka pasur cak një samit të organizuar nga opozita e Iranit në mërgim.
Ky samit ishte planifikuar të mbahej në Durrës më 23 dhe 24 korrik.
Samiti ishte paraparë të organizohej nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), të dyja grupe që avokojnë përmbysjen e Qeverisë së Iranit.
Më 7 shtator 2022 Shqipëria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin pasi u konfirmua se sulmi kibernetik në sistemin dixhital të Shqipërisë ishte organizuar dhe sponsorizuar nga Irani.