Destinacioni tjetër pas Ukrainës? Si Putini po tenton ta ndezë Bosnjen

min lexim

Paqja në Bosnje është e brishtë, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës po sjell në fokus edhe veprimet e Kremlinit në Ballkan: Putini mbështet hapur separatistët serbë në vend, ndërkohë që kërcënon NATO-n dhe BE-në. Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg madje i frikësohet një ndërhyrjeje ruse.

Ndërsa Moska po bën luftë në Ukrainë, ajo po nxit në të njëjtën kohë konfliktin me separatistët pro-rusë në Bosnje-Hercegovinë. Lideri serb i Bosnjës Milorad Dodik nuk e fsheh afërsinë e tij me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin. Është marrë si e mirëqenë, se Moska do ta mbështesë atë, në planet e tij separatiste. Vëzhguesit perëndimorë paralajmërojnë se, paqja e fituar me mundim në vendin ballkanik është në rrezik.

Thirrja e fundit për alarm erdhi nga senatori demokrat amerikan Chris Murphy. “Nëse Putini (në Ukrainë) dështon, ai do të kërkojë vende të tjera, ku mund të korrë fitore. Dhe një prej tyre mund të jetë Bosnja,” i tha ai transmetuesit amerikan CNN, duke folur për një “kohë shumë shqetësuese për Bosnjën”. Në mars, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e quajti Bosnjën një objektiv të mundshëm të “ndërhyrjeve të mëtejshme ruse”.

Rreth 100,000 njerëz vdiqën në luftën ndëretnike në Bosnje nga viti 1992 deri në 1995. Që atëherë, vendi është ndarë në një federatë kroato-muslimane dhe një entitet serb, Republika Srpska (RS), shumica e të cilave ndihen shumë afër me “vëllain e madh” Rusinë. Kjo është arsyeja pse Bosnja nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për sulmin ndaj Ukrainës.

Ndërhyrja e NATO-s ishte poshtërim

Për shekuj, Rusia ka mbajtur lidhje të thella vëllazërore me serbët e Ballkanit – për shkak të trashëgimisë së tyre të përbashkët sllave dhe ortodokse dhe aleancave të tyre gjatë luftërave botërore. Kremlini e pa ndërhyrjen e NATO-s në Ballkan në vitet 1990 – fillimisht në Bosnje dhe më vonë kundër Serbisë gjatë luftës në Kosovë – si një provokim poshtërues. Që atëherë, Moska është përpjekur të rrisë ndikimin e saj mbi serbët e Bosnjës.

Në deklaratat që ngjajnë me retorikën e Putinit përpara sulmit ndaj Ukrainës, ambasadori rus në Sarajevë paralajmëroi për “reagimin” e Moskës nëse Bosnja do të anëtarësohej në NATO. Kremlini nuk e njeh Përfaqësuesin e Lartë të komunitetit ndërkombëtar për Bosnje-Hercegovinën, i cili monitoron respektimin e marrëveshjes së paqes. Rusia kohët e fundit reagoi kundër “përpjekjeve në rritje për të rishkruar parimet e marrëveshjes në dobi të BE-së dhe NATO-s dhe në dëm” të serbëve të Bosnjës siç tha ajo.

“Është e qartë se Rusia tani është shkëputur hapur me Perëndimin në Bosnje”, thotë Florian Bieber, një ekspert i Ballkanit në Universitetin e Gracit në Austri. “Pasiviteti” i Perëndimit ka kontribuar në paqëndrueshmërinë e vendit, duke i lejuar udhëheqësit serb Dodik të kapërcejë vazhdimisht vijat e kuqe gjatë viteve. Srecko Latal, kryeredaktor i rrjetit rajonal për gazetarinë hulumtuese (BIRN), ndan këtë vlerësim. “Ballkani është destabilizuar kryesisht nga mungesa e BE-së”, thotë ai. Kjo i lejoi palët e treta si Rusia, Kina dhe Turqia të mbushnin vakumin.

Bundeswehr së shpejti në Bosnje?

Por kohët e fundit Perëndimi i ka kushtuar më shumë vëmendje ballkanit. “Më duket se ky kërcënim rus, i ka detyruar me të vërtetë SHBA-në dhe BE-në të marrin një qasje pak më serioze”, thotë Latal. Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Dodik në janar, e ndjekur nga Londra në prill. BE-ja u përmbajt nga masat ndëshkuese, por pothuajse dyfishoi praninë e saj ushtarake në Bosnje në rreth 1,100 trupa. Një “masë paraprake”, siç shpjegoi komandanti i tyre, gjenerali austriak Anton Wessely.

Ministria e Jashtme në Berlin po shqyrton gjithashtu dërgimin e ushtarëve të Bundeswehr-it në Bosnje. Kohët e fundit u tha në qarqet e koalicionit se një kontigjent i Bundeswehr-it mund të mbështesë misionin e stabilizimit të BE-së EUFOR Althea përpara zgjedhjeve të planifikuara për tetor.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Agim Ademi paralajmëron risi: Luftë nuk është duke u bërë…

Story i radhës

Kurti prezanton nismën për anëtarësimin e Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave

Të fundit nga