Dëshmitari i bie pishman për atë që kishte deklaruar në Prokurori për rastin e fajdesë

min lexim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, dëshmitari Tibet Petlla ka thënë se është bërë pishman për deklaratën që kishte dhënë një vit më parë në Prokurori lidhur me rastin ku Beqir Hoxha po akuzohet për fajde.

Sipas aktakuzës, të dëmtuarit F.S dhe prindi i tij Sh.S., duke qenë në gjendje të rëndë financiare dhe nevoja për investuar në biznesin familjar në vitin 2016, ka bërë që të njëjtit të kërkojnë të holla në shumën prej 6 mijë euro nga i akuzuari Hoxha dhe se në emër të fajdesë i dëmtuari F.S është detyruar t’i paguajë shumën prej 78 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitari Petlla duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Petrit Kryeziu tha se përmbajtën e deklaratës së dhënë në prokurori më 4 shtator 2023 nuk e kujton në tërësi.

I njëjti tregoi se gjatë vitit 2023 kishte punuar si zdrukthëtar tek tani i dëmtuari F.S me të cilin ai tha se janë njohur familjarisht. Përveç të dëmtuarit F.S, ai tha se që një kohë të gjatë e njeh edhe të akuzuarin Hoxha.

Gjatë kohës sa kishte punuar aty, Petlla tha se ka pasur rast kur i akuzuari Hoxha ka ardhur tek punëtoria e të dëmtuarit F.S, që sipas tij të njëjtit kanë biseduar mes vete, por se çfarë probleme mund të kenë pasur ata, ai tha se nuk është në dijeni.

Meqenëse ai deklaroi se nuk ka dijeni se çfarë problemesh kanë pasur F.S dhe i akuzuari Hoxha mes vete, prokurori Kryeziu, ia rikujtoi një pjesë të deklaratës së tij të dhënë në Prokurori ku ndër të tjera ai kishte thënë se nga ajo që kishte dëgjuar nga të tjerët bëhej fjalë për fajde, e kur u pyet nga prokurori se cila është e vërteta, dëshmitari Petlla kërkoi pak pushim sepse u shpreh se nuk po ndihej mirë.

“Se di çka me thanë se s’jam mirë”, tha dëshmitari Petlla, të cilit trupi gjykues i ofroi kohë për pushim.

E kur i njëjti u kthye përsëri në sallë, prokurori Kryeziu pyeti nëse ndihet i frikësuar nga dikush, por një gjë të tillë e mohoi dëshmitari.

Deklaratën në Prokurori, dëshmitari Petlla tha se e kishte dhënë me vullnet dhe pa presion, mirëpo për përfshirjen e tij në këtë rast ai tha se ka presion nga familjarët dhe shoqëria e tij.

“Për çka me ndodh ky rast me u bo dëshmitar unë, se s’kam pas interes as nga ana e Beqës e as nga ana e F.S”, tha tutje Petlla.

Ai gjithashtu deklaroi se e ka njohur edhe babain e të dëmtuarit F.S, Sh.S (tani i ndjerë), por mohoi se ka dijeni nëse i njëjti ka pasur ndonjë obligim ndaj të akuzuarit Hoxha.

“Kanë pasur bashkëpunim por çka kanë pasur nuk e di”, tha ai.

Përsëri prokurori Kryeziu ia citoi deklaratën e dhënë në Prokurori ku sipas tij Petlla kishte thënë “…ne si familje kemi qenë në dijeni që Sh.S ka paguar fajde te Beqa dhe këtë e kam kuptuar nga persona të ndryshëm por kohëve të fundit edhe nga F.S i cili vet më ka treguar që ka paguar kamata të Beqa kohë të gjatë, nuk më kujtohet prej cilit vit ka paguar kamata por e di që më ka thënë se është duke paguar kamata për babën e tij prej kohës sa ka qenë gjallë, por edhe pas vdekjes se babait të tij, madje të gjitha kamatat thotë se ja paguar Beqës”, deklaratë kjo për të cilën Petlla tha kishte gabuar që kishte deklaruar ashtu.

“E kam thënë atë fjalë por kam gabuar, se në qytet është ni se çka kanë pas bizneset e veta, problemet e veta… tash për këtë kam gabu, unë kam qef me u largu prej kësaj pune, me më lehtu mu se nuk jam mirë s’muj me thanë ma tutje, nuk po muj mo”, tha Petlla.

Ndërsa, sipas tij është e vërtetë se në prokurori kishte deklaruar se i dëmtuari F.S kishte qenë në gjendje të rëndë kur ia kishte shprehur shqetësimin se persona të ndryshëm i kanë bërë presion që ta ndërroj deklaratën e dhënë në prokurori.

Ai ka treguar edhe për një bisedë telefonike që ishte zhvilluar në mes të dëmtuarit F.S dhe të akuzuarit Hoxha, të cilën bisedë ai tha se e kishte incizuar me audio përmes telefonit të tij dhe sipas tij janë të vërteta deklarimet e dhëna në prokurori se në atë bisedë ishte bërë fjalë për fajde.

Petlla gjithashtu ka thënë se për fajde që ka pasur F.S ndaj Hoxhës ka qenë në dijeni edhe familja e tij.

Ndërsa, në pyetjen e mbrojtësit së të akuzuarit Hoxha, avokatit Valdet Hoxha, dëshmitari Petlla deklaroi se asnjëherë nuk ka parë personalisht të akuzuarin duke dhënë ose marrë para.

Arsyeja se pse të njëjtit në këtë seancë iu shfaqen shumë shqetësime, lidhur me atë çka kishte deklaruar në prokurori, ai tha se nuk ka qenë në dijeni se do të vijë puna deri këtu, duke shtuar se nuk ka pasur interes nga asnjëra palë.

“Kam presion prej familjes, vllau ka ardh në pushim në Gjermani e kam pas, kemi pas debat për çdo natë për këtë rast pse me ndodh, unë kam probleme tjera, unë kam hasmin tjetër, unë jam në gjak, s’kam qef me shtu edhe një gjak për këtë. Në kam të shënosh therren me shti nuk kam qef”, tha ai.

Ai po ashtu tha se ka një djalë të moshës 16-vjeçare dhe se nuk dëshiron që ai të pëson ndonjë kërcenim apo ndonjë problem tjetër.

E për deklaratën e dhënë në Prokurori për këtë rast, ai tha se është shumë pishman.

“Po i kam ra shumë”, tha Petlla.

Fillimisht ky rast ka nisur të gjykohej në Gjykatën Themelore të Prizrenit, por pasi që kjo gjykatë ishte përjashtuar nga çështje gjyqësore, lënda ka kaluar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren më 6 nëntor 2023, pranë Gjykatës Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Beqir Hoxhës, i cili po ngarkohet për veprën penale të fajdesë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

“E ka vra djalin tem për me përfitu nga pasuria e tij”, dëshmia e babait të të vrarit në një lokal të Klinës në 2023-ën

Story i radhës

Batuta me shprehjen që nxorri argjentinasin nga vetja në Botëror

Të fundit nga