Deputetja Ermina Leka-Perlaskaj priti sot në
Saborin Kroat, drejtorin e ITSHKSH, prof.dr. Skender Asanin, me
ç’rast u shkëmbyen përvoja dhe ide për një bashkëpunim të mundshëm në
të ardhmen në fushën e senzibilizimit të problematikave kulturore e
shkencore.
Drejtori Asani e njoftoi deputeten Perlaskaj me disa projekte që
pritet të realizohen nga ana e ITSHKSH në vitin e ardhshëm. Ndër të
tjera ai përmendi “Ditët e Alfabetit”, një manifestim ky
kulturor-shkencor që tash më është tradicional dhe që tubon rreth
vetes emra të shquar të albanologjisë dhe fushave tjera.
Vitin e ardhshëm në kuadër të “Ditëve të Alfabetit” temë qëndrore do
të jetë komuniteti arbëresh i Zarë, i cili do të trajtohet nga
këndvështrime të ndryshme gjuhësore, letrare, etnopsikologjike dhe me
këtë rast drejtori Asani kërkoi edhe mbështetjen e deputetes
Perlaskaj. Kjo e fundit u zotua se do të angazhohet që përmes
bashkëpunimeve që ka me intelektual dhe emra të shquar, si dhe përmes
qendrave kulturore shqiptare, çështja e Arbëreshëve të Zarës do të
ndriçohet nga disa aspekte.
Ky takim i sotëm u realizuan pasi që deputetja , Ermina
Leka-Perlaskaj, disa javë më parë kishte vizituar ITSHKSH në Shkup me
ç’rast drejtori Asani dhe deputetja Perlaskaj kishin planifikuar që
në të ardhmen të shpeshtohen vizitat e ndërsjella me karakter pune, ku
do të spikasin çështjet e karakterit historik, arsimor e kulturor të
shqiptarëve në të dyja vendet. Dhe ja në rend dite erdhi çështja
kulturore-shkencore e Arbëreshëve të Zarës, si pjesë qendrore e
programit të vitit të ardhshëm të “Ditëve të Alfabetit”, që mbahen nga
14-22 nëntor.