Sot, në mbledhjen e rradhës të Këshillit Nacional për Eurointegrime e cila u zhvillua bashkë me Komisionin për Çështje Evropiane, në prezencë të zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ambasadorit të BE-së në vendin tonë, David Geer shqyrtuam Raportin vjetor të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2022.
Gjatë diskutimit deputetja e BDI-së Rina Jadari, theksoi që ky raport shpreh qartë se Maqedonia e Veriut po tregon vendosmëri të lartë për të zbatuar reformat në lidhje me Bashkimin Evropian.
Ajo, shtoi se sa i përket kritereve politike, vendi ynë vazhdon përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe sundimin e së drejtës, pavarësisht sfidave të shumta në sferën e jashtme dhe atë të brendshme.
Kuvendi duhet të mbetet forumi kryesor për një dialog politik konstruktiv dhe gjithpërfshirës ndërsa procesi i negociatave duhet të jetë transparent edhe me përfshirjen e shoqërisë civile sepse mbi të gjitha është një obligim nacional të tejkalojmë dallimet në funksion të finalizimit me sukses të rrugëtimit tonë drejt BE-së.