Deputetja e Partisë Demokratike Lindita Metaliaj ka reaguar nga zonat e përmbytura në Lezhë, në lidhje me situatën e krijuar si pasojë e motit në këtë qark.
Në fjalën e saj Metaliaj bëri fajtore qeverinë Rama për situatën e krijuar ku tha se shkaktari i përmbytjeve në Shkodër, Lezhë dhe madje deri në Krujë është hapja e portave të kasakadës së Drinit. Sipas saj vërshimi i ujit ka ndodhur për shkak të abuzimit të kësaj qeverie e cila në fakt blen shtrenjtë dhe shet shumë lirë energjinë elektrike.
“Siç shihet tashmë jemi në ditën e tretë të reshjeve të dendurave dhe situata po përkeqësohet çdo ditë e më shumë, madje mund të themi se nga ora në orë po shikohet një situatë mëse e rënduar.
Aktualisht nga po flasim jemi në Gjadër dhe situata nga pamjet shikohet që është teje shqetësuese, në fakt.
Banorët ndodhen në situatë kritike, aktualisht janë afro 24 banesa që ndodhen të përmbytura, 1400 ha tokë bujqësore dhe të mbjella janë nën ujë dhe padyshim qytetarët po apelojnë për ndihmë dhe kërkojnë mbështetjen e institucioneve shtetërore që t’ju gjenden pranë kryesisht dhe me ushqime, në këto momente.
Duke qenë se reshjet do të jenë të vazhdueshme gjatë gjithë javës, padyshim kërkohet që institucionet të mobilizohen, të lënë propagandën politike, pasi sot nuk është dita për të bërë politikë, përkundrazi është dita që të gjendemi pranë qytetarëve.
Përmbytja nuk është e vërtetë që erdhi nga reshjet, padyshim që natyra bën punën e saj por edhe institucionet kanë përgjegjësi dhe duhet të bëjnë të sajën.
Ajo erdhi si rezultat i hapjes së menjëhershme të portave në kaskadën e Drinit , ku u përmbytën Shkodra, Lezha dhe madje deri në Krujë ka vërshuar uji dhe kjo ndodh për shkak të abuzimit të kësaj qeverie e cila në fakt blen shtrenjtë dhe shet shumë lirë energjinë elektrike, ndërkohë që mund të prodhojë gjatë gjithë kësaj periudhe.
Kur është thatësirë ankohen se nuk ka reshje.
Ndërkohë që kur ka reshje çfarë bëjnë?
Hapin portat përmbysin qytetarët, banesat, qindra e mijëra hektarë me tokë bujqësore nën ujë dhe derdhin në det 2000 metër kub ujë në sekondë.
Ndërkohë që e gjitha kjo mund të prodhojë energji elektrike.
Edi Rama e ka bërë kontratën me 10 milionë euro me energjinë elektrike, duke e blerë 220 megavatin në bursë.
E gjitha kjo ka të bëjë pikërisht me abuzimin e kësaj qeverie në kurriz të qytetarëve shqiptarë, por siç shihet në kurriz të qytetarëve të Lezhës dhe Shkodrës sepse jemi të dy qarqet në situatë shqetësuese.
Apeli im është që qeveria t’i thirr mendjes t’i leje udhëtimet se ndërkohë që i gjithë shteti është në ajër qytetarët ndodhen nën ujë.
Të shpallë gjendjen e emergjencës së jashtëzakonshme t’ju vij pranë qytetarëve, t’i verifikojë me sy të gjitha dëmet që po bëhen në mënyrë që t’ju sigurohet mbështetje për banesë, për ushqime dhe për të gjitha prodhimet bujqësore që ndodhen nën ujë.
Ka shumë familje të cilat janë të rrethuar nga uji. Nga ajo se çfarë patë ju ose keni konstatuar për çfarë kanë më shumë nevojë këta banorë për momentin?
Aktualisht që flasim ato kanë nevojë për ushqime por edhe për ilaçe.
Një pjesë tjetër dhe për veshmbathje se aktualisht janë nën ujë por edhe gjëja e gjalla kanë nevojë për ushqime sepse janë totalisht të mbuluar me ujë.
Në këto moment problematik është dhe lumi Gjadër i cili është në kuota kritike, lumi Drin po ashtu në kuota kritike dhe e gjitha kjo ndodh se dhe pse hapen kanale kulluese nuk është e mjaftueshme përsa kohë që nuk investohet në thellimin e lumit Gjadër dhe lumit Drin që nga vitet 2008-2009 që ishte koha e qeverisjes së Partisë Demokratike.
Dhe një shqetësim tjetër që e sqaruan shumë dhe specialistët kërkohet një hidrovor i ri në Balldren, i cili tashmë projekti është që në 2011 dhe nuk zbatohet sepse po abuzohet me këto fonde.
Dhe ndërtimi i një hidrovori të ri në Gjadër dhe riparimi i hidrovore aktuale kryesisht të Gocaj i cili funksionon në mënyrë të ndërprerë për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe mungesës së furnizimit me burim të dytë të energjisë elektrike.
Ushtria është për t’u falënderuar sepse gjendet pranë qytetarëve por abuzimi nuk mund të mbulohet me prezencën e ushtrisë.
Nuk mund të mbulohen dhjetëra, mijëra, milionë euro që abuzohet në kurriz të qytetarëve shqiptarë sidomos në këto kushte”, tha Metaliaj.
Gjithashtu në lidhje me përmbytjet ka reaguar dhe deputetja tjetër e Partisë Demokratike në Shkodër, Greta Bardeli, e cila thekson se përmbytjet nxorrën hapur korrupsionin qeveritar. Sipas saj një faktor kyç për përmbytjet ka qenë dhe hapja e qëllimshme e digave të hidrocentraleve mbi Drin nga qeveria.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që si shqiptarë dhe europianë, të bëhen bashkë me 6 dhjetor dhe të marrin në dorë fatet e vendit.
Deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike, Greta Bardeli
Si deputete e Shkodrës, dua jo vetëm të raportoj për gjendjen në territorin e Bashkisë, por edhe të solidarizohem me të gjithë ata bashkëqytetarë të mitë shkodranë, që u përmbyten kur qeverisë së Edi Ramës i doli jashtë kontrollit rrebeshi i korrupsionit.
Nga monitorimet në terren sot, deri në orën 10, gjendja e përmbytjeve dhe lëvizja e ujërave në të gjitha basenet e Shkodrës është e paqëndrueshme.
Hidrometrat e liqenit të Shkodrës dhe lumit Drin shënjojnë afër kapaciteteve maksimale.
Në disfavor të gjendjes është edhe fakti se reshjet vazhdojnë, dhe po ashtu hapja e digave të dy hidrocentraleve të kaskadës së Drinit.
Në bashkinë Shkodër ka një sipërfaqe totale të përmbytur rreth 1 mijë e 458 Ha.
Familje të evakuara gjithsej janë 86 dhe vijnë nga njësitë administrative të Gurit të zi, Bërdicë, lagjet 1 dhe 2.
Duhet patur parasysh fakti se ky numër nuk përfshin shumicën tjetër të banorëve që nuk pranojnë të largohen duke ruajtur pronën dhe pasurinë e tyre dhe janë të zhvendosur në katet e dyta të ndërtesave.
Shumica e të evokuarve janë të akomoduar te të afërmit, ndërsa në konvikte 3 familje.
Falenderoj Bashkinë Shkodër dhe kryetarin Spahia, që kanë qenë dhe janë në gatishmëri me të gjithë kapacitetet njerëzore, logjistike dhe akomoduese për t’i ardhur në ndihmë popullatës të rrezikuar nga përmbytjet.
Dua të falenderoj gjithashtu me gjithë zemër Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që po bëjnë një punë atdhetare.
Ata janë të vetmit në frontin e betejës, duke u munduar të menaxhojnë me përkushtim papërgjeshmërinë e një qeverie që i lë në mëshirën e ujit e te baltës nënshtetasit e vet pa paralajmërim!
Me fondin e Emergjencës Civile të përdorur për kopshte të varura ne oborrin e korrupsionit dhe fasadat pa fund, qeveria jo vetëm i mbyt qytetarët e saj, por as nuk përgjigjet ne kohe duke i lënë në përmbytje qytetarët e Shkodrës!
Një popull që paguan taksa për zyrtarët që e drejtojnë por që mbytet nga keqqeverisja për 30 minuta, është një popull i vjedhur në mënyrë kriminale dhe i përbuzur nga arroganca dhe cinizmi.
Si shqiptarë dhe europianë, duhet të bëhemi bashkë me 6 dhjetor.
Shqipëria na kërkon që t’i dalim zot.