As Inter dhe as Premier League, Memphis Depay do të mbetet në La Liga, pasi mediat spanjolle raportojnë se holandezi ka arritur një akord paraprak me Atleticon e Madridit, për të firmosur një kontratë të vlefshme deri në verën e 2025-ës.
Sulmuesi ka kontratë me Barcelonën deri në fund të sezonit dhe prej 1 janarit është i lirë të firmosë me cilin klub të dojë, megjithatë drejtuesit e klubit katalan po përpiqen ta shesin, që të përfitojnë diçka dhe të mos e humbin me zero në qershor.
Pikërisht për këtë arsye, Barcelona ka propozuar edhe një shkëmbim me belgun e Atleticos, Carrasco, megjithatë marrëveshja është bllokuar nga Simeone, që ka autorizuar drejtuesit të presin qershorin për të marrë Depay.
Më herët Barcelona ia propozoi edhe Interit një shkëmbim mes Depay dhe argjentinasit Joaquin Correa, megjithatë vetë sulmuesi holandez kundërshtoi një kalim në Itali, pasi pret t’i bashkohet Atleticos, me synimin që t’u tregojë katalanëve se kanë gabuar që nuk i dhanë besimin e duhur.