​Departamenti i Drejtësisë njofton akuzat mbi komplotin e Iranit për eliminimin e Trump

min lexim

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së njoftoi sot akuzat ndaj komplotit për vrasje me porosi të presidentit të zgjedhur Donald Trump, që dyshohet se ishte orkestruar nga një zyrtar iranian.

Farhad Shakeri (51) nga Irani, Carlisle Rivera (49) Brooklyn – Nju Jork dhe Jonathon Loadholt (36) Staten Island – Nju Jork janë akuzuar për komplot për të kryer vrasje dhe pastrim parash. Ata përballen me dënim maksimal prej 40 vjet burg nëse shpallen fajtorë.

Shakeri u akuzua veçmas për komplot për të ofruar mbështetje materiale për një organizatë të huaj terroriste, dhe për komplot për të shkelur Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente dhe sanksionet kundër Qeverisë së Iranit. Secila prej këtyre akuzave mbart një dënim maksimal prej 20 vjetësh.

“Ka pak aktorë në botë që paraqesin një kërcënim aq të madh për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara sa edhe Irani”, tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

“Departamenti i Drejtësisë ka akuzuar një aset të regjimit iranian, i cili ishte ngarkuar nga regjimi për të drejtuar një rrjet bashkëpunëtorësh kriminalë për të çuar përpara komplotet e vrasjes së Iranit kundër objektivave të tij, duke përfshirë presidentin e sapo zgjedhur Donald Trump”, shtoi ai.

Akuzat pasqyrojnë vetëm zhvillimin e fundit në atë që autoritetet thonë se janë përpjekjet e vazhdueshme të Iranit për t’u hakmarrë për vrasjen e liderit të Gardës Revolucionare Qasem Soleimani në Bagdad në vitin 2020.

Shakeri u tha hetuesve gjatë një interviste se Garda Revolucionare e ngarkoi atë më 7 tetor për zhvillimin e planit për eliminimin e Trump, të cilin pretendoi se nuk kishte ndërmend ta përmbushte brenda afatit kohor të Iranit, sipas Departamentit të Drejtësisë.

Ai më tej tha se kishte për detyrë të vëzhgonte dy hebrenj amerikanë dhe iu ofruan 500 mijë dollarë nga një zyrtar i Gardës Revolucionare për të vrarë secilin prej tyre, sipas Departamentit të Drejtësisë.

Shakeri mbetet në Iran, ndërsa dy burrat e tjerë, Rivera dhe Loadholt, u arrestuan të premten në Nju Jork. Ata e kishin takuar Shaker në burg ndërsa ai po vuante një dënim 14-vjeçar për grabitje, thanë forcat e rendit. Shakeri, i cili emigroi në SHBA si fëmijë, u deportua në vitin 2008 pasi kreu mandatin e tij.

Departamenti i Drejtësisë tha se “në muajt e fundit” Shakeri përdori kontaktet kriminale që zhvilloi në burg për t’i siguruar Gardës Revolucionare operativë, duke përfshirë Rivera dhe Loadholt, për t’i përdorur për të kryer mbikëqyrje kundër objektivave të vrasjes në SHBA.

Sharkeri udhëzoi Rivera dhe Loadholt të vëzhgonin një shtetas amerikan të Iranit, të cilin autoritetet e përshkruajnë si një gazetar i cili ishte një “kritik i hapur” i Teheranit dhe ishte “shënjestër e komploteve të mëparshme për rrëmbim dhe/ose vrasje të drejtuar nga Qeveria e Iranit”, njoftoi Departamenti i Drejtësisë.

Më pas ata kaluan muaj duke monitoruar viktimën, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

Burimi: botasot.info

Story i mëparshëm

Pse stjuardesat e kanë të ndaluar t’ju ndihmojnë të vendosni valixhet në raftin sipër?!

Story i radhës

Si të ndiheni më pozitivë: Disa truke që mund t’i praktikoni për të përmirësuar mendimet

Të fundit nga