Kryetari i Degës së PD, Roskovec, Syrja Misiraj, ka denoncuar rastin e kanalit që lidh tokat bujqësore të fshatit Vidhishtë me rezervuarin e Kurjanit, i cili përzihet me ujërat e zeza duke u kthyer kështu në një rrezik për prodhimet bujqësore.
Në një postim në Facebook, Misiraj shprehet se pavarësisht shqetësimeve të herë pas hershme të banorëve, bashkia nuk merr asnjë masë për ta pastruar.
Postimi i plotë:
Kur këto kanale nuk pastrohen dhe kur përziehen me ujëra të zeza, kjo është dyfish e rrezikshme për prodhimin bujqësor.
Ky është rasti i kanalit kryesor që lidh tokat bujqësore të fshatit Vidhishtë me rezervuarin e Kurjanit në bashkinë e Roskovecit.
Pavarësisht shqetësimeve të banorëve, kërkesave të tyre të herëpashershme dhe paralajmërimit për kontaminim të produkteve bujqësore, askush nuk e ka vënë ujin në zjarr.
Bashkia Roskovec dhe kryetarja e saj e kanë mendjen te shpenzimet e luksit dhe jo te orientimi i buxhetit për t’u ardhur në ndihmë fermerëve të fshatrave të Roskovecit.
Kryetarja e bashkisë nuk mund ta heqë përgjegjësinë nga vetja e saj dhe t’ia hedhë bordit të kullimit, sepse me ligjin e ri të Vetëqeverisjes Vendore bordet e kullimit varen pikërisht nga Bashkitë.
T’ia hedhësh fajin institucionit që ke në varësi, është të fshihesh pas gishtit dhe t’i ikësh përgjegjësisë.
Në emër të Partise Demokratike dega Roskovec, i kërkojmë institucionit të Bashkisë ta shohë me përparësi problematikën e pastrimit të kanaleve vaditëse, sepse kjo është një detyrë e saj funksionale dhe fermerët e Roskovecit kërkojnë zgjidhje të halleve të tyre.
Partia Demokratike e Shqipërisë siguron banorët dhe fermerët që në programin e saj qeverisës ky sektor do të zërë një vend të rëndësishëm, sepse për ne bujqësia është një shtyllë jetike e ekonomisë vendase.