I vetmi anëtar i mbijetuar i një grupi ekstremistësh të Shtetit Islamik u dënua të mërkurën për vrasje dhe u dënua me burgim të përjetshëm për sulmin e vitit 2015 në Paris, në të cilin u vranë 130 njerëz. Ky ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse në kohë paqeje në historinë e Francës.
Gjykata speciale dënoi gjithashtu 19 burra të tjerë të përfshirë në sulm pas një gjyqi nëntë-mujor. Ata humbën jetën gjatë sulmit pasi aktivizuan jelekët me eksploziv.
I dyshuari kryesor Salah Abdeslam u shpall fajtor për vrasje dhe tentativë vrasjeje në lidhje me komplotin terrorist. Gjykata konstatoi se jeleku i tij me eksplozivë nuk funksionoi, duke hedhur poshtë argumentin e tij se ai hoqi jelekun sepse vendosi të mos bëhej pjesë e sulmit në natën e 13 nëntorit të vitit 2015.
32 vjeçari Abdeslam, shtetas belg me origjinë marokene, mori të dënimin më të rëndë të mundshëm në Francë.
Nga të pandehurit, përveç Abdeslamit, 18 morën dënime të ndryshme lidhur me terrorizmin dhe një tjetër u dënua për një akuzë më të lehtë mashtrimi.
Gjatë gjyqit, Abdeslam shprehu pikëpamjet e tij radikale, qau, u kërkoi falje viktimave dhe iu lut gjyqtarëve që t’ia falnin gabimet.
Për familjet e viktimave dhe të mbijetuarit e sulmit vdekjeprurës në Paris, gjyqi ka qenë i rëndë, por i rëndësishëm në përpjekjet e tyre për drejtësi dhe përmbyllje të një kapitulli të vështirë të jetës së tyre./VOA