400 mijë euro është vlera për riparimin e dëmit që i është bërë kanalit të Ibër- Lepencit në Zubin Potok, më 29 nëntor të këtij viti.
Këtë shifër e ka dhënë të enjten kryeshefi i ndërmarrjes Ibër- Lepenci, Faruk Mujka, gjersa ka thënë se riparimi i kanalit do të bëhet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe që e gjithë puna pritet të finalizohet deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm.
Në anën tjetër, sipas ministers së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dëmi i synuar do të shkonte deri 2.5 milionë euro, vetëm në import të energjisë elektrike.
“Mos të flasim për paralizimin e aktivitetit ekonomik, të ngrohjes për qytetarët, furnizimit me ujë, e shumë shërbimeve të tjera”, ka thënë Rizvanolli të enjten para mediave.
Kanali i Ibër-Lepencit është sulmuar më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm që e ka konsideruar terrorist, ndërsa Beogradi zyrtar ka mohuar gjithçka.
Për autoritetet e Kosovës ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.
Gjersa, Kosova fajëson Serbinë për këtë sulm që e quajnë terrorist dhe më i rëndi në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99, nga Beogradi zyrtar mohojnë gjithçka.
Përkundër sulmeve të vazhdueshme në veri të Kosovës edhe pse Kosova fajëson Serbinë, një ndëshkim të saj ende nuk është bërë nga vendet ndërkombëtar.
Duke filluar nga kjo, sa është duke e penalizuar Kosovën një mos hetim ndërkombëtar për sulmet në veri?
Bytyçi: Ndërkombëtarët perëndimorë nuk deshën ta ndëshkojnë Beogradin
Sipas, profesori dhe doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtar, Enver Bytyçi, dëmi material nuk përbën arsye që ta konsideruar aktin si një akt gjenocidial, por qëllimi, mentaliteti dhe ideja ishte e përmasave të gjenocidit.
Ai thotë se pas këtij akti terrorist, ndërkombëtarëve as që duhet t’u shkojë ndërmend ndarja e Kosovës ose krijimi i asociacionit.
“Ajo që ndodhi më 29 nëntor me shpërthimin e eksplozivit në kanalin e Iber Lepencit në Leposaviç, është akt terrori. T’u privosh ujin qindra mijë njerëzve është krim kundër njerëzimit. Ndërprerja e ujit nga ana e ushtrisë së Izraelit për banorët e Gazës po interpretohet edhe në organizatat ndërkombëtare si akt gjenocidi. Nëse kjo që ndodhi në kanalin e Iber Lepencit nuk konsiderohet gjenocid, kjo është falë faktit se pasojat nuk qenë ato që kishin parashikuar terroristët. Nuk u dëmtua ujësjellësi për gati një milion banorë për të mos pasur ndikim te furnizimi me ujë i këtyre banorëve të Kosovës. Akti terrorist do të shkaktonte, sipas ministes, Artane Rizvanolli, 2.5 milionë euro dëme. Pra dëmi material nuk përbën arsye për ta konsideruar aktin si një akt gjenocidial. Por qëllimi, mentaliteti dhe ideja ishte e përmasave të gjenocidit. Imagjino nëse Serbia do t’i kishte duart e lira dhe nuk do të kishte frikën e ndëshkimit se çfarë do të bënte me Kosovën dhe kosovarët. Ujmani p.sh. nëse do të ishte pronë dhe nën sovranitetin serb, do të përdorej si mjet për të shkuar deri te lënia në mëshirën serbe të jetës së kosovarëve. Kjo do të thotë se me këtë akt mesazhi i parë për bashkësinë ndërkombëtare është se pas aktit terrorist në kanalin e Iber Lepencit as që duhet ta shkojë ndërmend ndarjen e Kosovës ose krijimin e një asosacioni që mund të çojë në cenimin e territorit të vendit. Kjo për faktin se tashmë është provuar nga dëshmitë e marrë si të pandehur se drejtues i këtij akti terrorist ishte Milan Radoiçiq, i njëjti që drejtoi edhe aktin terrorist të Banjskës të 24 shtatorit 2023. Ndërsa sponsor ishte Beogradi dhe shërbimi sekret serb”, shprehet Bytyçi.
Vendet perëndimore duhet të ngrenë një grup ekspertësh të pavarur për hetim ndërkombëtar, thotë Bytyçi, gjersa shton se ndërkombëtarët perëndimorë nuk deshën ta ndëshkojnë Beogradin.
“Kur këta aktorë të Serbisë veprojnë në kushtet e sotme me mentalitet terroristi dhe gjenocidisti, çfarë mund të ndodhë në situata të favorshme për Serbinë, nëse ajo merr nën sovranitetin e saj veriun e Kosovës. Do të ndodhë ajo që gati një milion qytetarë të Kosovës, deri dhe Prishtina të kërcënoheshin me skamjen e ujit. Ndërkohë që dihet se uji është elementi bazë së bashku me dritën dhe ajrin për jetën e njeriut. Për këtë arsye vendet e demokracisë perëndimore nuk duhet të hezitojnë të ngrejnë një grup ekspertësh të pavarur për hetim ndërkombëtar të rastit. Por unë nuk e prej një veprim të tillë se do të ndodhë. Nuk ndodhi kjo as në rastin e aktit terrorist të Banjskës. Megjithëse ai akt u demantua plotësisht si vepër e Serbisë, institucioneve të saj dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, ndërkombëtarët perëndimorë nuk deshën ta ndëshkojnë Beogradin. Nuk e ndëshkuan atëherë dhe ndodhi më pas sulmi terrorist mbi kanalin e Ibër Lepenc. Nuk do ta ndëshkojnë as këtë akt terrori të Serbisë e për pasojë duhet të presim që të ndodhin akte të tjera terroriste të Serbisë kundër Kosovës. Ndoshta ka ndonjë taktikë politike që ta lenë Beogradin të shpengosur dhe të shohin se deri ku mund të shkojë kjo veprimtari terrori e autoriteteve serbe dhe organizatave që ato kontrollojnë. Dhe është interesant se historia përsëritet. Që në fillim të shekullit të XX shteti, shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë, ministria e tij e Mbrojtjes, shërbimet sekrete serbe krijuan organizata terrori. Më të njohurat janë ato “Dora e zezë” etj., të cilat organizuan deri atentatin kundër princit austro-hungarez, Franz Ferdinand. Edhe sot, si atëherë, shteti serb ka promovuar organizata të tilla dhe kryejnë akte terroriste si ai i Banjskës dhe në kanalin Iber Lepenc”, pohon profesori.
Ai konsideron se prezenca e KFOR-it ka dekurajuar terroristët serbë që të kryejnë edhe akte të tjera terrori në Kosovë, gjersa kërkon se bashkëpunim më të mirë midis KFOR-it dhe organeve të sigurisë.
“Mosndëshkimi i Serbisë për këto akte është tolerancë është i paimagjinueshëm. Ndoshta dhe qëllimkeqe. Unë e konsideroj qëllimkeq qëndrimin e Bashkimit Europian dhe të SHBA që nuk e detyrojnë Aleksandër Vuçiq të dorëzojë kryeterroristin Milan Radoiçiq për hetim dhe gjykim te organet e drejtësisë së Kosovës. Kjo do të thotë se jo vetëm presidenti dhe qeevria serbe, por edhe disa aktorë euro-amerikanë nuk duan ta respektojnë shtetin dhe gjyqësorin e Kosovës. Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, këta ndërkombëtarë po bëhen gjithnjë e më shumë palë e mosnjohjes nga ana e Beogradit. Se ila është arsyeja, këtë nuk mund ta them. Por fakti është ky. Është e vërtetë se prezenca e KFOR-it ka dekurajuar terroristët serbë që të kryejnë edhe akte të tjera terrori në Kosovë, por është po aq e vërtetë se nëse nuk do të kishte vepruar aq profesionalisht policia e Kosovës, akti i Banjskës do të kishte pasoja më të mëdha, ose së paku do të shënohej si ndonjë incident i papëlqyeshëm. Kësisoj mendoj se një bashkëpunim më i mirë midis KFOR-it dhe organeve të sigurisë dhe institucioneve të Kosovës është më i rëndësishëm dhe shumë më produktiv sesa bashkëpunimi me Beogradin. Bashkëpunimi i KFOR-it duket se është më i ngushtë me Beogradin, sesa me Prishtinën. Por kjo metodë nuk i ndihmon as sa duhet stabilitetit në Kosovë. Përkundrazi përballja me Serbinë sjell paqe e siguri”, shton Bytyçi.
Kujtojmë se pak ditë pas sulmit paramilitar nga Serbia me 24 shtator të vitit të kaluar në fshatin Banjë në pjesën veriore, Kuvendi i Kosovës, me një anë të një rezolute ku e dënonte këtë agresion, kërkonte edhe një hetim ndërkombëtar, më qëllim që të dëshmohej përgjegjësia e shtetit fqinj lidhur “lidhur me aktivitetet terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në Serbi”.
Mirëpo, përkundër kësaj thirrje të Parlamentit, institucionet e Kosovës nuk ndërmorën asnjë veprim për ta kontraktuar ndonjë organizatë kredibile dhe të specializuar ndërkombëtare, me qëllim të hetimit të asaj ngjarje. Ato i kreu Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila pas më shumë se një viti të hetimeve ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, në mesin e tyre edhe Millan Radoiçit.
Dashevci: Janë dëme të mëdha për ne si shtet
Një hetim ndërkombëtar për sulmet e konsideron të nevojshëm edhe eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.
Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se hetimi është i nevojshëm dhe se Kosova është viktimë.
“Serbia tenton ta destabilizojë Kosovën në çdo mënyrë të mundshme tash e sa kohë, nuk është ndalur kurrë. Tenton ta mbajë vendin tonë në tension të vazhdueshëm, na shkakton dëme në njerëz ,na cenon sigurinë kombëtare me akte terroriste me sulme të ndryshme, në forma të ndryshme dhe kulmoi me sulmin në Banjskë dhe tash së fundmi me sulmin në Ibër Lepenc, ku u sulmua edhe infrastruktura vitale uji dhe energjetika. Hetimi ndërkombëtarë është më se i nevojshëm, sepse jemi viktima, presioni ndërkombëtar për ata që po na shkaktojnë destabilizim, tension dhe sulme nuk ka alternativë. Janë dëme të mëdha për ne si shtet dhe viktima jemi ne, kurse duhet të penalizohen ata që na shkaktojnë destabilizim, sepse ne jemi në sanksione kurse kriminelët janë të lirë në Serbi”, pohon Dashevci.
Tutje, ai kërkon presion më të ashpër ndërkombëtar.
“Dhe për sa kohë kriminelët enden të lirë ne Serbi për ne vigjilenca nuk ka alternativë, ata paraqesin rrezik të vazhdueshëm, andaj bota demokratike duhet të reagojë me presion më të ashpër dhe të sanksionohet sulmuesi dhe jo viktima sepse unë mendoj që ne si Shtet jemi viktima”, përfundon eksperti.
Burimi: botasot.info