Sot të ashtuquajturit trafikantë të qenieve njerëzore i shpallën luftë shtetit bullgar, dhe shteti bullgar do t’i përgjigjet kësaj sfide me forcë të plotë. Kështu ka thënë të enjten ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ivan Demerdzhiev, duke komentuar aksidentin në të cilin u vranë dy policë, pasi një shoferi autobusi, i cili po barte emigrantë të paligjshëm, u përplas me makinën e policisë në Burgas (në Detin e Zi).
Ai theksoi se dy persona nga një kamp refugjatësh ishin të përfshirë në incident.
“Ne do të bëjmë gjithçka që ky aksident të mos përsëritet”, tha ai, duke shtuar se mbrojtja e kufirit do të rritet. Demerxhiev tha se janë bërë arrestime, dhe se policia është në kërkim edhe të një të dyshuari tjetër. Të dyshuarit e arrestuar janë tre shtetas sirianë dhe dy shtetas bullgarë.
Në ditët në vijim, 100 punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes do t’i bashkohen forcave në kufi, tha Demerxhiev, pasi theksoi se kishte urdhëruar autoritetet policore që të kontrollojnë shumë saktë të dyja qendrat e refugjatëve për personat që guxojnë të angazhohen në të tilla aktivitete, dhe vendbanimet ku kemi dëshmi se persona të tillë banojnë.
“Këto kontrolle do të kryhen me shumë kujdes dhe shpejt. Këta persona ose do të sillen në gjykatë ose do të kthehen në vendet e tyre të origjinës, pasi ka rezultuar se në pjesën më të madhe, të ashtuquajturit kontrabandistë janë shtetas të huaj me banim në Bullgari. Ne nuk do t’i lejojmë ata të qëndrojnë në vendin tonë duke kryer aktivitete të tilla. Ne besojmë që brenda javës së ardhshme do t’i përfundojmë çështjet me ta dhe do i përfundojmë aktivitetet e tyre në përputhje me rrethanat”, tha Demerxhiev.
Gjithsej 7,630 shtetas të vendeve të treta janë ndaluar në periudhën janar-korrik të këtij viti, nga të cilët 834 në hyrje, 1,053 në dalje nga kufiri shtetëror pa regjistrim, dhe 5,743 janë konstatuar se qëndronin ilegalisht brenda territorit të vendit, tregojnë statistikat e Ministrisë së Punëve të Brendshme për situatën e migracionit, të bëra publike të enjten. Shifrat e këtij viti janë më shumë se dyfishi i vitit të kaluar, kur në të njëjtën periudhë u ndaluan gjithsej 3,673 migrantë të paligjshëm./BTA/