Barcelona dhe Paris Saint Germain kanë njoftuar mëngjesin e së dielës mbylljen e marrëveshjes për transferimin e Osman Dembele në kryeqytetin francez.
Operacioni u mbyll përfundimisht për 50.4 milionë euro. Barcelona është tashmë pjesë e historisë për Dembelenë, që nga dje ka nisur një kapitull të ri.
Karriera e tij si lojtar i Barcelonës është shënuar nga ulje-ngritjet (gola, asiste, dëmtimet e mungesë disipline), por anësori francez u ka thënë një lamtumirë të ëmbël klubit dhe tifozëve të Barçës.
Në ditën e zyrtarizimit të tij si një lojtar i Parisit, ai ka shkruar: “Siç e dini tashmë shumica prej jush, kam vendosur të nis një sfidë të re. Por nuk doja të largohesha pa falënderuar më parë të gjithë njerëzit në Barcelonë që më kanë mbështetur gjatë gjithë këtyre viteve: kolegët, trajnerët, punëtorët e klubit dhe menaxherët. Jam rritur si futbollist dhe si njeri dhe ka qenë krenari e nder të vesh fanellën ‘blaugrana’. Pa dyshim, marr me vete shumë kujtime që do të jenë gjithmonë në zemrën time”.
Dembele mbërriti te Barcelona në verën e vitit 2017, ka luajtur 185 ndeshje zyrtare me Barçën dhe ka shënuar 62 gola.
Si trofe, ai ka fituar tre tituj në La Liga, dy Kupa të Mbretit dhe dy Superkupa të Spanjës.