Delegacioni i OSBE-së i kryesuar nga ministri Osmani pretendohet se i shpëtoi një “sulmi terrorist” në Transnistri

Rajoni separatist Transnistria i shkëputur nga Moldavia pretendon se ata që tentuan të sulmojnë udhëheqjen e saj kishin në shënjestër edhe një delegacion të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila kryesohej nga ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, transmeton Anadolu.

Zyrtari i Transnistrisë, Anatoly Guretsky, tha se komplotistët, që donin të vrasin liderin e Transnistrisë me një makinë të minuar, fillimisht kishin synuar një sulm terrorist kundër delegacionit të OSBE-së.

Guretsky tha se sulmi terrorist ishte planifikuar më 14 shkurt pranë kalasë ‘Bendery’, kur kryesuesi i OSBE-së, respektivisht ministri Osmani, ishte në vizitë për bisedime me liderin e Transnistrisë, Vadim Krasnoselsky.

Ai tha se delegacioni i OSBE-së përbëhej nga 20 persona, përfshirë përfaqësuesin e posaçëm për Transnistrinë, Thomas Harting dhe kryetaren e misionit të OSBE-së në Moldavi, Kelly Kayderling.

“Pasi një sulm terrorist (kundër OSBE-së) dështoi, presidenti Krasnoselsky u bë objektivi i dytë”, tha ai.

Sipas zyrtarit të Transnistrisë, i dyshuari për sulmin, Vyacheslav Kisnichan, “hoqi dorë nga plani, sepse e kuptoi se nuk do të mund të zbatonte planin pa i shkaktuar lëndime vetes”.

Javën e kaluar, Guretsky pretendoi se “krimi sipas direktivave të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) ishte përgatitur kundër një numri zyrtarësh” të Transnistrisë.

SBU-ja mohoi përfshirjen në sulmin e pretenduar dhe i shpalli këto pretendime “të pakuptimta”, duke theksuar se shpërndarja e pretendimeve tregon një “qëllim të qartë të Rusisë për të destabilizuar situatën në territorin që aktualisht është i pushtuar dhe nën kontrollin e saj”.

Transnistria është një rajon i shkëputur, i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Moldavisë, por aktualisht kontrollohet nga separatistët pro-rusë.

Maqedonia e Veriut mohon pretendimet për një sulm të mundshëm ndaj delegacionit të OSBE-së

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, lidhur me sulmin e mundshëm ndaj delegacionit të OSBE-së gjatë vizitës në rajonin Transnistria të Moldavisë, theksuan se vizitat e delegacioneve të OSBE-së dhe vizitat e kryesuesit parashohin protokolle të veçanta sigurie që janë nën kompetencat e vendit nikoqir, që në këtë rast ishte Moldavia.

“Kryesuesi kishte besim të plotë te shërbimet e sigurisë së Moldavisë dhe tek autoritetet atje, të cilët garantuan sigurinë e tij dhe të delegacionit. Nuk kemi qenë të informuar dhe nuk ekzistonin indikatorë për ndonjë kërcënim apo sulm të mundshëm ndaj delegacionit të OSBE-së, e as ndaj kryesuesit Osmani gjatë vizitës së tij”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Nga atje njoftojnë se vizitat e realizuara në Ukrainë apo Moldavi, si dhe ato në terrene të ashtuquajtura “zona të prekura” realizohen me një tregues të qartë se janë vizita të delegacionit të OSBE-së që në marrëdhëniet ndërkombëtare konsiderohen si “vizita me rrezik dhe vigjilencë të shtuar”.

Po ashtu në njoftim theksohet se siguria e përfaqësuesve të OSBE-së është me prioritet të lartë dhe se organizata do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet lokale gjatë çdo vizite dhe në çdo vend.





Story i mëparshëm

Radevi i përgjigjet Pendarovskit: Politikanët maqedonas të tregojnë të vërtetën për hebrenjtë

Story i radhës

Butel, komuna kundër ndërtimit të banesave

Të fundit nga