sh-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, në një intervistë pas një kohe të gjatë, ka folur mbi lëvizjet politike në vend.
Deda foli për qeverinë e përbashkët në mes VV-së dhe LDK-së, ku tha se ka qenë optimist se dy partitë mund ta qeverisin mirë Kosovën, por sipas tij, kjo s’ka ndodhur dhe është paguar kostoja politike se pse nuk ka ndodhur ajo.
“Nuk ka ndodhur qeverisja e mirë pasi nuk e patën katër vjet mandatin, e prishën për 2-3 muaj, në gjysmë pandemia, e pa shpjegueshme ende, por është e kaluar. Dhe 14 shkurti i vitit 2021 është datë që e simbolizon transformimin e lidershipit në Kosovë. Sot e kemi Lumirin në LDK, Memlin në PDK. Ata janë krejt gjeneratë tjetër”, tha Deda.
Më tej, ai tha se ka menduar që presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, me 51 për qind të votave të marra, do të hynin në një politikë më të urtë të brendshme.
“Kur ti i ke 51 për qind, ti s’ke rivalë politikë dhe ty të duhet opozita më e fortë, nëse do t’ia shtrinin dorën partive politike që të mbërrihej një lloj dakordimi politik për procesin me Serbinë dhe përfundimin e shtet-ndërtimit në Kosovë edhe të dalim me një kulturë të re politike. E kjo është për keqardhje”, tha ai.