Ylber Ramadani ka regjistruar sot ndeshjen e tij të parë në Serinë A, në një sfidë që ka rezultuar me fat pwr skuadrën e tij, teksa ka mundur 2-1 Lacion e cila në edicione kaluar e mbylli si nënkampione.
Në sfidën ku vetëm mesfushori i kombëtares shqiptare ishte titullar, me Medon Berishën dhe Kastriot Dermakun në pankinë në radhët e ekipit të tij, si dhe Elseid Hysajn në stolin e Lacios, ishin miqtë të cilët shënuan me Imobilen në pjesën e parë, duke menduar më pas të administronin rezultatin.
Lecce kërkoi më shumë golin në pjesën e dytë, me Ramadanin i cili shpërdoroi një mundësi me një gjuajtje në hyrje të zonës që kaloi mbi traversë.
Por nëse Lacio shpërdoroi duke goditur traversën, nga ana tjetër vendasit nuk gabuan në minutat e fundit, duke shënuar fillimisht me Almkvist e pastaj me Di Françeskon, për të përmbysur rezultatin e sfidës brenda dy minutash.
Kështu, Lacio e nis me humbje kampionatin, ndërsa Leçe merr një bonus të rëndësishëm edhe për moralin e skuadrës që padyshim ka si objektiv mbijetesën në Serinë A.