Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë natës së djeshme disa akse në jug, veri dhe juglindje të vendit. ARRSH bën me dije se dëbora ka zbardhur dhe qafën e Llogarasë, si dhe ka vijuar me intensitet mesatar në akset Korçë-Dardhë, Kukës-Ura e Zapodit, Pukë-Fushë Arrëz, Qafë Mali-Fierzë dhe Qafë Bualli-Krastë.
Sipas ARRSH, akset e lartpërmendura janë të kalueshme, por u bëhet apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të jenë të pajisur me goma dimërore.
“Gjatë natës ka pasur reshje dëbore me intensitet mesatar në Korçë-Dardhë, në Llogara, në Kukës-Ura e Zapodit, Pukë-Fushë Arrëz, Qafë Mali-Fierzë, Qafë Bualli-Krastë, ku është punar me mjete borëpastruese dhe qarkullimi kryhet pa probleme. Kontraktorët me mjete e punëtorë kanë qenë në terren gjatë gjithë natës për të mbajtur qarkullimin në normalitet.
Tregoni kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së./Euronews Albania