Reshjet e borës të rëna gjatë natës shkaktuan vështirësi të shumta në verilindje dhe juglindje të vendit.
Si pasojë e dendësisë së madhe, rruga e Arbrit u bllokua. Rikthimi i lëvizjes së mjeteve në këtë aks u bë i mundur vetëm gjatë paradites së të martës.
Ndërkohë, të gjitha rrugët nacionale në Qarkun Dibër janë të hapura dhe kalueshme pa problem.
Edhe në juglindje të vendit të gjitha akset rrugore kombëtare janë të hapura, me përjashtim të disa segmenteve rurale.
Situatë e rëndë paraqitet në fshatrat e thellë malor ku trashësia e borës ka shkuar deri në 35 centimetra.
Nga reshjet pati dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Problemet më të mëdha ishin në bashkinë e Devollit, ku mbi 70% e banorëve të kësaj zone u përballen me mungese të energjisë.
Sipas kryebashkiakut Eduard Duro situata është e përsëritur, ndërsa shkak është bërë mungesa e investimeve në rrjet.
Është viti i disatë që sapo kemi përkeqësim të motit, erëra, reshje shiu apo borë, në bashkinë Devoll kemi mungese të energjisë elektrike në pjesën më të madhe të fshatrave, por dhe qytetit. Ndoshta është mungesë e investimeve në rrjet. Dua t’i bëj një apel OSHEE dhe ministres së Energjisë dhe Transporteve që të marrin masa, sepse jemi bashkia me defektet më të madhe. Jemi pagues të rregullt. Dhe nuk e meritojmë situatën. 75% e bashkisë Devoll pa energji elektrike. Është rast i përsëritur.
Probleme me furnizimin me energji elektrike pati edhe në zonat malore të Pogradecit e Maliqit. Ndërkohë, 12 grupe pune të OSHEE ndodhen në terren për të riparuar defektet dhe risjellë energjinë për banorët.