Shkup, 6 dhjetor – Komisioni kuvendor për Financim dhe Buxhet sot e vazhdoi debatin për amendamentet për Propozim-buxhetin për vitin 2023 në kuadër të të cilit nuk ishin miratuar dy amendamente të parashtruara nga opozita.
Me njërin u kërkua të furnizohen 50 automjete zjarrfikëse, ndërsa me tjetrin të ndahen nga buxheti mjete në vlerë prej 860 milionë denarë për rritjen e pagave për 20 për qind në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Deputeti Zdravko Trajanov nga VMRO-DPMNE-ja për amendamentin e parë për furnizim të automjeteve zjarrfikëse tha se vendit i nevojiten vetura cilësore moderne për shuarje më efikase të zjarreve. Komunat, tha Trajanov, kanë buxhete të kufizuara dhe për këtë është normale t’i referohemi buxhetit dhe bashkë të participojmë në furnizimin e pajisjeve të tilla zjarrfikëse.
Amendamenti për rritje të pagave të të punësuarve në MPB ishte refuzuar me arsyetimin se paga e këtyre të punësuarve nga shtatori është rritur për pesë për qind, ndërsa në mars pritet harmonizimi i pagave sipas pagës minimale.
“Të punësuarve në MPB nga shtatori u është rritur paga për pesë për qind, ndërsa me metodologjinë e re për paga me rritjen e pritur të pagës minimale në mars, rreth 30 mijë të punësuar do të kenë rritje të pagës”, tha zëvendësministri i Financave, Filip Nikolloski.
Debati për amendamentet vazhdon pas orës 16.
Burimi: zhurnal.mk