Kevin de Bryjne është optimist se Mançester Siti mund ta bëjë edhe më të paharrueshëm këtë sezon, duke fituar tripletën të shtunën kundër Interit.
Mesfushori belg fitoi Kupën e tij të dytë FA që kur është transferuar në “Etihad” në vitin 2015. Trofeu më i vjetër futbollistik në botë është i dyti për “qytetarët” këtë sezon, pasi muajin e shkuar vulosën titullin e tretë radhazi të Premier Ligës. Tani asistuesi më i mirë në Europë këtë sezon i vë syrin edhe trofeut të Ligës së Kampioneve, i cili do të diskutohet mes Sitit dhe Interit në finalen e Stambollit më 10 qershor.
“Unë nuk mendoj se ka ndonjë presion”, tha De Bryjne kur u pyet për fitimin e tripletës nga skuadra e Guardiolës. “Ne kemi pasur një sezon të shkëlqyer deri tani dhe do të përpiqemi dhe të jemi gati sa më shumë që të jetë e mundur për të shkuar në Stamboll dhe luajtur një ndeshje tjetër të shkëlqyer. Ka qenë një sezon i pabesueshëm dhe shpresojmë që të bëjmë edhe më të mirë”, tha 31-vjeçari.
De Bryjne ka luajtur në 9 ndeshje në Ligën e Kampioneve këtë sezon, duke shënuar 2 gola dhe dhuruar 7 asiste. Ai ishte vendimtar në gjysmëfinalen kundër Realit me golin e barazimit që shënoi në sfidën e parë në “Bernabeu” (1-1).